Imazhi, sjellja, sekreti për të qenë të bukura dhe joshëse
Shumë herë nuk e shpjegojmë dot sesi të trukuara bukur, të veshura në modë, nuk kemi përsëri atë sukses që presim. Përse? Megjithëse na kanë thënë që në fëmijëri se bukuria është diçka e brendshme, nuk preferojmë të flasim shumë për këtë çështje. Por ja që ka disa aspekte të tjera, të cilat influencojnë në imazhin që ofrojmë, dhe janë vogëlsira që as nuk i dallojmë, por që dërgojnë një mesazh pak të këndshëm.
Aspektet
Qëndrimi: është i rëndësishëm. Të tërhiqni këmbët, të qëndroni me kurriz të përkulur, janë defekte që duhen korrigjuar. Është e kot të mbani taka 12 cm të larta për tu dukur sensuale. Qëndrimi dhe eleganca janë me sensual se takat e larta. E folura: shembulli klasik është e “bukur, por sa hap gojën...”. Nuk është e rëndësishme një bisedë intelegjinte dhe interesante, kjo gjë varet nga nëna natyrë, por edhe nga mënyra e të komunikuarit. Të qeshura me zë të lart, apo e kundërta “memec, me gjysmë goje të hapur” e bëjnë të shëmtuar edhe më të bukurën. Nuk mjafton të dini të trukoheni. Xhestet: të bëni me xheste është shumë mesdhetare. Ndonëse xhestet janë pjesë e jona, s’duhet të harroni se xhestet tregojnë shumë për personalitetin tonë. Të hani me gojë të hapur, të rregulloni çorapet, të kruani veshët nuk janë shprehi që të bëjnë të dukesh shkëlqyeshëm. Buzëqeshja: pothuajse duket e kotë ta nënvizosh, por është absolutisht e rëndësishme. Shumë femra mbajnë të fiksuar sytë dhe nuk lëvizin qerpikët, për tu dukur interesante. Kjo lloj sjelljeje të bën të ndihesh në vetvete si hyjnesh, por tek të tjerët (përfshi këtu dhe meshkujt) u jep një ndjenjë antipatie. Nuk ka asgjë më tërheqëse se një vajzë që shkëlqen me buzëqeshjen e saj dhe është e sjellshme me të gjithë!
Joshja
Të jesh joshëse do të thotë të shprehësh në mënyrë autentike personalitetin tënd. Shpesh ndodh që t’i bëjmë një pyetje vetes: pse disa vajza kanë shumë sukses me djemtë dhe disa të tjera jo, edhe pse ato mund të jenë të bukura? Shumë e thjeshtë përgjigjja, është çështje tërheqese, që është pikërisht ajo “gjëja” misterioze që nxit meshkujt të kthejnë kokën pas, ajo mënyrë e veçantë e të ecurit, të folurit, të qenit femërore. Në mentalitetin tonë shpesh ngatërrohet koncepti dhe perceptimi mbi një individ joshës. Nëse kemi parasysh femrat, mendohet se seksi është ajo që ka veshur minifund, apo një dekolte të hapur dhe bën gjithçka me lëvizjet e saj për të rënë në sy. Në fakt nuk është vetëm kjo, ose mund të mos jenë fare ato që përmendëm, por krejtësisht të tjera gjëra. Të jesh joshëse është art më vete, përveç atyre që kanë lindur për të joshur, që e kanë në gen seks-paraqitjen e tyre. Sipas psikologëve, të jesh provokative dhe tërheqëse nuk është çështje minifundi, por çështje truri.
Sensualiteti
Sensualiteti është pjesë integrale e personalitetit tonë, është aftësia për t’u bërë interesantë në sytë e të tjerëve. Mund të jemi seksi në çdo moment të jetës sonë: në punë, në shtëpi, teksa luajmë, kur rrimë me miqtë. Por ajo ç’ka jep një kombinim perfekt, është adoptimi i elementeve seksi me steriotipin tonë, pasi të gjithë jemi të ndryshëm, kështu që edhe kjo pjesë nuk ka se si të jetë e stampuar tek gjithësecili. Megjithatë nuk mund të mohojmë faktin se persona seksi konsiderohen ata që kanë karakteristika fizike të pëlqyera, por edhe mënyra të rafinuara në të ecur, në të folur, në sjellje, një sensibilitet të lartë, një simpati në raportimin me të tjerët. Joshje, joshëse, tërheqëse etj. Secila prej këtyre fjalëve magjike na sjell ndërmend situata ku meshkujt e bukur dhe tërheqës bëhen “pre” e sharmit femëror. Por, në fakt sensualiteti është thjesht një inspiruese e seksit? Mos vallë bëhet fjalë thjesht vetëm për një mënyrë të paraqituri dhe të performuari për të tërhequr vemendjen e seksit tjetër dhe për ta nxitur atë që të afrohet? A është e rëndësishme dhe thelbësore që të jemi gjithmonë joshëse para të tjerëve, apo ka raste kur kjo anë e jona mund të na prishë punë? Si duhet ta demonstrojmë këtë tipar për të qenë të pëlqyer dhe jo të paragjykuar? Dhe në fund të fundit, tërheqëse duhet të jesh apo të dukesh si e tillë?
Kanë thënë për të qenit stërheqëse
“Më pëlqen të vishem seksi, të tregoj këmbët. Bukuria është pushtet”,- Bruke Shields
“Për mendimin tim maksimumi i gruas ka qenë Margaret Theçer. Nuk ka asgjë më seksi sesa pushteti”, - Helmut Nuton
“Në mijëvjeçarin e ri, të jesh seksi do të thotë të kesh një perceptim solid për veten, pa e marrë atë shumë seriozisht”,- Rebeka Romijn Stamos
Detajet që të bëjnë të bukur
Si të flasësh
Duhet gjithmonë të flasësh qartë dhe me zë, mos fol me zë të ultë, sikur nuk dëshiron që të dëgjojë askush. Vetëbesimi yt i ultë do të ndikojë që të tjerët të të injorojnë. Kur flet qartë dhe me zë, tingëllon më bindshëm dhe është më e këndshme për të tjerët që të të dëgjojnë. Mundesh edhe të ushtrosh para pasqyrës. Shikoje veten në sy dhe fol diçka. Po ashtu, duhet t’i kushtosh kujdes edhe asaj që flet, duke zgjedhur fjalor të kuptueshëm për bashkëbiseduesit tu. Nëse je e shkolluar, kjo nuk dmth se duhet t’i mërzisësh të tjerët me fjalorin tënd, me fjalë që nuk i kuptojnë shumica e njerëzve.
Si të sillesh
Kur je në një shoqëri më të madhe, trego interesim për atë që flitet, kyçu në bisedë dhe mos rri anash. Me këtë, do ta tërheqësh vëmendjen te vetja jote. Nëse, përpos kësaj, je edhe e sinqertë dhe e këndshme, nuk e thumbon askënd me fjalë, me siguri se të tjerët do të të shohin si person pozitiv dhe të hapur. Pa marrë parasysh se a gjendesh në një shoqëri të vjetër a të re, mundohu që të jesh sa më e natyrshme, mos u shtir. Më mirë është që të jesh një origjinal i keq, sesa një kopje e mirë. Fundja, herët a vonë, do të dalë në shesh fytyra jote e vërtetë, nuk mundesh gjithmonë të jesh false.
Si të dukesh
Vishu në pajtim me vendin ku do të shkosh (sipas vendit edhe kuvendi), ky është rregulli themelor i stilit të mirë. Edhe grimin dhe gardërobën duhet ta përshtatësh me motin dhe stinën. Nëse shkon në shkollë me shumë grim dhe me minifund, është e vërtetë se do t’u biesh në sy të tjerëve, por për të keq. Duhet ta dish se, me anë të gardërobës, ne u dërgojmë sinjal të tjerëve. Nëse vishesh si e përdalë, të tillë edhe do të të konsiderojnë. Përpos gardërobës, duhet t’i kushtosh kujdes edhe higjienës, bile-bile, ajo duhet të vijë në rend të parë. Përpos që duhet të jenë të pastra, flokët duhet të jenë edhe mirë të prera dhe të krehura.
Çfarë qëndrimi të mbash
Gjuha e trupit mund të flasë më shumë sesa gjuha e vërtetë. Personat që gjithmonë ecin me supe të lëshuara, me flokë të shpupuritura, doemos se do të lënë përshtypje të keqe. Për këtë shkak, ec drejt, me supe të drejtuara, kur t’i përshëndesësh të tjerët buzëqeshu lehtazi, kur ta shikosh dikë mos ke frikë nga kontakti me sy, por as mos ia ngul sytë. Me një qëndrim adekuat lë përshtypje se je e sigurt në vetvete dhe se di ç’ka do. Nuk duhet të ngurrosh që t’i shfaqësh mendimet dhe ndjenjat. Trego keqardhje kur është rasti i tillë, por mos ngurro që të tregosh edhe kënaqësi kur dikush nga shoqëria arrin ndonjë sukses.
30 Maj 2009