"Palorto", digjet banesa shekullore
GJIROKASTER/ Piro Nase
Një shkëndijë elektrike shkaktoi shkrumbimin e plotë të një banese karakteristike në lagjen "Palorto". Ka qenë ora 23:00 e të dielës kur banorët e zonës përreth, konstatuan flakët e zjarrit në banesën e braktisur prej disa vitesh nga të zotët. Për 2 orë, shtëpia dykatëshe është shndërruar në një gërmadhë të vërtetë, duke shënuar kështu rastin e dytë për këtë vit në qytetin e Gjirokastrës. Ardhja e mjeteve zjarrfikëse nuk rezultoi efeciente për ndaljen e furive të zjarrit që pushtuan banesën, e cila për pak sa rrezikoi edhe shtëpitë që gjendeshin ngjitur me të. Bashkë me zjarrfikëset mbërritën dhe forcat e rendit. Sipas banorëve të lagjes, banesa e braktisur i përket shtetasit Ylli Abazaj, i cili aktualisht ka zgjedhur azilin e pleqve në Gjirokastër të jetojë se sa të qëndrojë i vetëm në banesën dykatëshe. Flakët e shumta të zjarrit rrezikonin seriozisht banesën ngjitur me të, por dhe banesa të tjera përreth. Sipas zjarrfikësve, ndonëse në operacionin e shuarjes së zjarrit kanë dhënë kontribut tre makina zjarrfikëse, shtëpia me konstrukt druri u dogj plotësisht rreth orës 03:00 të së hënës, duke shpëtuar ndërkohë nga flakët banesat përreth saj. Mendohet se zjarri është provokuar nga një fals-kontakt në telin elektrik në pjesën ballore të godinës. Kjo mendohet të ketë ndodhur në momentin e takimit dhe stakimit të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq mbrëmjen e së dielës në qytet. Ndërkohë nga ana e tyre, punonjësit e Komisariatit të Policisë Gjirokastër që në momentin fillestar kanë kryer evakuimin e plotë të banorëve përreth duke bërë që zjarri i rënë të mos shkaktonte asnjë viktimë. Grupi hetimor në vendngjarje kreu të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe procedurale, si dhe mori deklarimet nga dëshmitarët okularë dhe banorët përreth. Në përfundim rezultoi se shkaku i zjarrit ishte shkëndija elektrike e provokuar si pasojë e motit të keq, që bëri bashkimin e telave të elektrikut në pjesën ballore të banesës. Në këtë lagje ndodhen dhe shtëpitë e Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, por sipas zjarrfikësve ato ndodhen në distancë me banesën që u shkatërrua nga djegia.
Berat, zjarri rrezikon lagjen "Kala"
BERAT - Zjarrfikësit shmangin përhapjen e zjarrit në banesat e lagjes "Kala". Flakët përfshinë kurorën e pishave, duke u shpërndarë me shpejtësi. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve shmangu përfshirjen nga flakët të banesave shekullore të lagjes muzeale. Policia ka nisur hetimet, duke dyshuar se zjarri është i qëllimshëm. Kjo, pasi ata pohuan se për shkak të rrugës së keqe aty nuk ka kalimtarë. Zjarri i djeshëm e çon në 4 numrin e vatrave brenda pak ditësh.
Zjarri në kabinë rrezikon banesat
SHKODER - Djegia e një kabine elektrike në kodrat e Rrencit, rreth 5 km larg qytetit të Shkodrës, për pak sa nuk është shndërruar në një ngjarje të rëndë. Flaka e kabinës elektrike u përhap me shpejtësi në sipërfaqen pyjore të kodrave, duke rrezikuar djegien e banesave, të disa reparteve në ish-Uzinës së Rrencit, si dhe të shkollës 9-vjeçare të fshatit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, por akoma nuk dihen shkaqet e shpërthimit të flakëve në kabinën elektrike. Zjarri është arritur të shuhet në kohë rekord dhe pa pasoja për banorët e zonës përreth. Flakët e zjarrta u ndihmuan nga era dhe temperaturat e larta, ccka solli përhapjen me shpejtësi në sipërfaqen pyjore të kodrave. Mësohet se pranë vatrës ndodhej një magazinë me bombola oksigjeni, por shuarja në kohë shmangu tragjedinë. Ka qenë ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve që ka bërë shuarjen në kohë rekord të zjarrit. Pas shuarjes së zjarrit një grup hetimor i përbërë nga specialistë të zjarrfikësve dhe të ndërmarrjes rajonale të KESH-it kanë filluar hetimin në lidhje me shkaqet e shpërthimit të zjarrit. r.d