E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Versajës përgatiti 20 vjet më parë Luftën e Dytë Botërore

Misteret e pazbuluara të Pakti Molotov-Ribentrop” që solli nisjen e luftës. Debatet që bëhen edhe sot, pas 70 vjetësh për shkaqet e përplasjes së madhe

U mbushën 70 vjet nga dita e nënshkrimit të paktit sovjeto-gjerman për mossulmim. Më 23 gusht 1939 në Moskë, në prani të liderit sovjetik Josif Stalinit, këtë dokument e nënshkruan krerët e dikastereve diplomatike të BRSS dhe Gjermanisë Vjaçeslav Molotov dhe Joakim fon Ribentrop (më vonë këtë pakt palët e quajtën “Pakti Molotov-Ribentrop”, kurse në Perëndim e quajnë “pakti Hitler-Stalin”.)

Dokumentit i bashkëngjitej një protokoll sekret, ku ishin fushat e interesave territoriale të Moskës dhe Berlinit në Europën Lindore. Një javë pas nënshkrimit të protokollit, më 1 shtator 1939 Gjermania hitleriane sulmoi Poloninë; më 17 shtator trupat sovjetike u futën në territoret perëndimore të Ukrainës dhe Bjellorusisë, që i përkisnin Polonisë. Më vonë, BRSS vuri nën kontroll vendet pri-Baltike dhe Moldavinë.
Vlerësimi i paktit sovjeto-gjerman edhe sot vazhdon të ngjallë diskutime midis historianëve. Disa e quajnë këtë marrëveshje shkak të luftës të Luftës së Dytë Botërore; të tjerë thonë se Stalini atëherë nuk kishte rrugë tjetër për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e Londrës dhe Parisit për t’u marrë vesh me Moskën mbi një aleancë të mirëfilltë antifashiste.
Kush e solli luftën?
Më 23 gusht 1939, u nënshkrua Pakti dhe 8 ditë më vonë nisi Lufta e Dytë Botërore. A ishte ky dokument, që i krijoi mundësi Hitlerit të qërojë hesapet me Europën?
“Më vonë” nuk do të thotë “për rrjedhojë.” Këtu ka një moment interesant: urdhrin që parashikonte sulmin e gjermanëve kundër Polonisë më 26 gusht, Hitleri e lëshoi më 22 gusht, teksa Ribentropi ende fluturonte drejt Moskës! Prandaj, të thuash, që Pakti Molotov-Ribentrop hapi drejtpërdrejt rrugën për luftë, është krejt e gabuar. Madje, në të kundërt: nënshkrimi i paktit sovjeto-gjerman mbi mossulmimin krijoi gjendje parimisht të re, kur Gjermania mund ta arrinte me rrugë paqësore atë çka kërkonte nga Polonia; sipas modelit të Mynihut.
Diskutimi me temën, mbi kë bie përgjegjësia kryesore për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, nuk po qetësohet që nga viti 1945. Madje, gjatë viteve të fundit, shumë burra të ditur, politikanë dhe personalitete të vendeve perëndimore, të ish-republikave sovjetike, pa përjashtuar Rusinë, gjithnjë e më shpesh përmendim dy fajtorët kryesore, Gjermaninë Naziste dhe BRSS Staliniste.

Misioni në Versajë
Ndërkohë, për herë të parë, bisedat për një kasaphanë të re të përmasave globale nisën në mars të 1919, në prapaskenat e Konferencës së Versajës, e cila do t’i hiqte vizën Luftës së Madhe që përfundoi në nëntor 1918. Gjatë diskutimit për Poloninë, kryeministri Britanik, David Llojd Xhorxh deklaroi hapur: “Nuk duhet krijuar një tjetër Alcaz-Lorenë.” Vërtet çështja e Alcaz-Lorenës gjatë disa dhjetëravjeçarëve ka helmuar marrëdhëniet franko-gjermane dhe është bërë njëri prej shkaqeve kryesore të Europës, që nisi në vitin 1914.
Por, pas nënshkrimit të Paqes së Versajës edhe në anën tjetër të Botës së Vjetër, në Moskë, nga goja e udhëheqësit të komunistëve rusë, Leninit, gjithashtu u dëgjuan paralajmërime për pashmangshmërinë e një luftë të re botërore. Po më 1919 u përcaktua edhe data e saktë e fillimit të saj, viti 1939. Marshalli i Francës Ferdinand Fosh deklaroi: “Versaja s’është paqe, por armëpushim për 20 vjet.”
Kësisoj, Luftën e Dytë Botërore e polli Traktati i Versajës. Përse? Vendet e Antantës copëtuan dy vendet më të fuqishme të planetit; Gjermaninë dhe Rusinë. Milionë njerëz, që e quanin veten rusë dhe gjermanë, e panë veten në shtete të krijuara rishtas në pozicionin e njerëzve të kategorisë së dytë. Ushtria gjermane u reduktua deri në nivelin e forcave policore. Republikës së Vajmarit, që lindi pas revolucionit gjerman të nëntorit 1918, i ndalohej të mbante çdo lloj avioni, përfshi edhe ato sportivë, madje edhe balona. Ajo faktikisht e humbi sovranitetin mbi territorin e saj. Kështu, në të gjitha aerodromet e saj mund të uleshin fare lirshëm avionët e aleatëve të Antantës, të cilët kishin të drejtë të fluturonin ku dhe kur të donin. Kanali i Kilit, që lidhte detin Baltik me atë të Veriut, duhej të ishte vazhdimisht i hapur për kalimin e anijeve tregtare dhe luftarake (!) të ish-kundërshtarëve të gjermanëve. U shpallën rrugë ndërkombëtare lumenjtë Elba, Oder, Neman dhe Danubi (nga Ulmi deri në derdhjen në Detin e Zi).
Gjermanisë i morën të gjithë flotën luftarake; përveç gjashtë linkorëve të vjetër, asaj i ndalohej prerazi të ndërtonte çdo lloj nëndetëse. BRSS pati mundësi të bënte pa këtë Traktat? Duhet të ndahej patjetër Europa?

Dy alternativat e Moskës
Të gjykosh mbi të shkuarën nga pozitat e sotme është absolutisht anti-historike. Çdo historian e di, se për ngjarjet duhet gjykuar në kontekstin e tyre të asaj situate, që ishte më 1939: flirti antisovjetik i udhëheqësve të shteteve pri-baltike me Gjermaninë bëri që në fund të verës së vitit 1939 Bashkimit Sovjetik nuk i mbetej rrugë tjetër. Pas vizitës në Estoni dhe Letoni nga ana e delegacioneve ushtarake gjermane në qershorin e vitit 1939, kur nisën përgatitjet për shfrytëzimin e mundshëm të tyre si placdarm kundër BRSS, Moskës për sigurimin e saj i mbeteshin dy rrugë; E para, të hynte e vetme në luftë kundër Gjermanisë; E dyta, të binte në ujdi me të. Prandaj autoritetet estoneze dhe letoneze, për atë çka ndodhi, nuk duhet të fajësojë të tjerë, veç vetes. Nëse flirti i tyre nuk do të ishte aq aktiv, ka mundësi të kishte të tjera alternative të zhvillimit të ngjarjeve. Në parim, këtë e kuptonin shumë mirë edhe vetë gjermanët. Tek njoftonte për nënshkrimin e Paktit Molotov-Ribentrop, ambasadori gjerman në Estoni, Forevejn, u shpreh: “Zor se Pakti do të ishte nënshkruar në këtë formë, nëse shtetet pri-baltike, në radhë të parë Estonia, të mos mbanin qëndrim kaq të fortë e të papërkulur neutral në politikën e tyre të jashtme.”
Kjo qe deklaratë tamam jezuite, sepse autoritetet estoneze dhe letoneze e maskonin kthesën e tyre të menjëhershme në anën e Berlinit pikërisht sikur ky të qe neutralitet i plotë nga ana tyre. Këtë e luajtën bukur edhe në Berlin si mungesë nevojë për të shfrytëzuar vendet pri-baltike. Vërtet mungesë nevoje? Kjo qe çështje prioriteti. E prioriteti për Berlinin në atë moment ishte izolimi i Polonisë, lufta kundër së cilës po përgatitej. Me një fjalë, duhej siguruar neutraliteti nga ana e Britanisë, Francës dhe Bashkimit Sovjetik. Në atë situatë, vendet pri-baltike u bënë kartë, të cilën Berlini e hodhi në lojë. Sikur ngjarjet të shkonin ndryshe, këto vende padyshim, do të shfrytëzoheshin si placdarm. Por në atë situatë konkrete ajo u këmbye me neutralitetin e BRSS në fushatë polake.
Letonia dhe Estonia nuk flasin për Paktin e mossulmimit me Gjermaninë, të nënshkruar prej tyre më 7 korrik 1939. Sepse po të flasin për të, del se të parët në tavolinë me Ribentropin u ulën ministrat e Jashtëm të Letonisë dhe Estonisë, jo Molotovi. Ky është momenti i parë që duan ta harrojnë. Momenti tjetër: kontaktet aktive me strukturat ushtarake naziste në fushën e zbulimit para dhe pas nënshkrimit të Paktit, shërbimet speciale të Pribaltikut bashkëpunonin ngushtë me gjermanët, për çka flasin dhe shkruajnë me dorën e tyre gjeneralët e Abverit. Ka edhe subjekte të tjera. Bie fjala, pas bashkimit të krahinës së Vilenit me Letoninë në fund të vitit 1939 – fillimi i 1940, autoritetet letoneze deportuan nga kjo krahinë popullatën çifute dhe polake. Por, meqë nuk kishin Siberi të tyren, ata i shpërngulën nga kjo krahinë, në thellësi të Letonisë, si dhe i kërkuan Gjermanisë dhe BRSS: a nuk i merrni këta…sepse neve nuk na duhen shumë…Kjo është temë ende e patrajtuar, për të cilën flitet vetëm nga disa historianë letonezë.
Po të mos llogariten veprimet e lojtarëve të tjerë, ne kurrë s’do të kemi tablo të plotë; ne do të operojmë me modele të mitizuara, të cilat nuk i përgjigjen vërtetës. Veç të tjerave, Rusia e sotme nuk hyn fare midis vendeve “që shfrytëzojnë rezultatet e Paktit.” Ku qëndron e fshehta politike e rezolutës së fundit të PASE? Ku qëndron injoranca e barazimit të stalinizmit dhe nazizmit?
Dilemat e një dite
Le ta nisim nga fakti, që në këtë vendim, propozohet të bëhet ditë përkujtimore e viktimave të dy regjimeve një ditë të vetme: 23 gushtin. Por, dihet shumë mirë, që kulmi më i lartë i përndjekjeve politike sovjetike i përket viteve 1937-1938. Po të kremtohet dita e kujtimit të viktimave të represionit Stalinist, ajo duhet të lidhet pikërisht me këtë tragjedi, kurse 23 gushti nuk ka asnjë lidhje me represionin sovjetik. Kjo ditë nuk shënoi fillimin e përndjekjeve as në Ukrainën Perëndimore, as në vendet pri-baltike, as në vetë Bashkimin Sovjetik. Prandaj, ky vendim është absolutisht i papranueshëm. Gabimi tjetër: përpjekja për të barazuar përndjekjet staliniste me terrorin nazist. Pushteti sovjetik nuk i vuri detyrë vetes të asgjësojë ndonjë popull, kurse nazistët po. Madje, jo vetëm i vunë detyrë por dhe u përpoqën ta zbatojnë atë.

Materiali është marrë nga Instituti i Evropës pranë Akademisë Ruse të Shkencave

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›