E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjyqtarët të kenë integritet, jo imunitet”

Nënkryetari i KLD-së pohon se një nga problemet e mëdha është zvarritja e proceseve dhe puna e dobët e përmbarimit

DURRËS Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka deklaruar nga Durrësit duke iu drejtuar gjyqtarëve të kësaj gjykate, se gjyqtarët kanë nevojë për integritet dhe jo për imunitet. Duke shprehur një sërë rezervash dhe konkluzionesh, pas analizës që i është bërë punës njëvjeçare të gjykatës së rrethit gjyqësor në Durrës, nënkryetari i KLD-së është shprehur midis të tjerash se, për fat të keq, një pjesë e perceptimit negativ të publikut për gjykatat qëndron dhe është i drejtë. Spahiu, duke marrë pjesë në analizën e punës për vitin 2010 të gjykatave të rrethit gjyqësor të Durrësit dhe Kavajës, është shprehur se drejtësia duhet të funksionojë si një e tërë, jo vetëm nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë, por në të gjitha hallkat, deri tek Gjykata e Lartë. Numri dy i KLD-së ka folur në fillim të analizës, pasi analiza është hapur nga kryetari i Gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, Ervin Metalla. Spahiu ka deklaruar se raporti i punës njëvjeçare i Gjykatës së Durrësit është analizuar në inspektoratin e KLD-së, duke nxjerrë edhe konkluzionet përkatëse. Në lidhje me vërejtjet e paraqitura, Spahiu ka renditur”: neglizhencë nga ana e gjyqtarëve në gjykimin e çështjeve, mosrespektim i afateve të gjykimit, mosrespektim i orareve dhe procedurave, mosrespektim i seancave të çështjeve civile, si dhe mjaft çështje të mbartura nga viti 2010 për këtë vit, plot 1347. Spahiu ka hedhur kritika edhe në drejtim të Zyrës së Përmbarimit, duke thënë se: “Kjo zyrë shumë vendime penale dhe civile nuk i ka zbatuar”. Ai ka fajësuar gjyqtarët që kanë lejuar shpesh në seanca të çështjeve civile, praninë e avokatit pa uniformën e duhur (veshjen e togës). Në përfundim të fjalës së tij, Spahiu iu është drejtuar gjyqtarëve se “ju nuk keni nevojë për imunitet, por për integritet”.

Kryetari i Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës, Ervin Metalla ka bërë të ditur se gjatë vitit 2010 janë paraqitur për gjykim 8516 çështje, nga të cilat 5646 (66.2 për qind e totalit) çështje themeli penale e civile, 800 kërkesa administrative (9.39 për qind) penale e civile dhe 1003 urdhra ekzekutimi (12.52 për qind). Aktualisht kjo gjykatë ka një numër prej 24 gjyqtarësh në total, pasi nga 13 që kishte vjet, tani ka 24 gjyqtarë të çështjeve penale dhe civile. Kreu i gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës ka theksuar se është arritje pozitive shpejtësia në gjykim, pasi më shumë se gjysma e çështjeve, 65 për qind e tyre, kanë përfunduar vetëm me anë të një seance. Vetëm 9 për qind e çështjeve që janë paraqitur në këtë gjykatë kanë kërkuar që të përfundojnë me më shumë se 10 seanca. Po kështu përmendet edhe masa e sigurisë “arrest me burg”, për të cilën gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për këtë masë në 310 raste, nga 401 kërkesa të tilla në total. Në lidhje me problematikën dhe vështirësitë e hasura, kryetari Metalla ka deklaruar se ato lidhen me probleme të vazhdueshme të sistemit të adresave, shërbimi postar që akoma nuk është në lartësinë e duhur, zvarritjet e palëve në gjyq, të cilat shpesh kanë shkaktuar zgjatje pa fund të përfundimit të çështjeve. Këtu ai ka përmendur se “shpesh paraqitet në gjykatë një justifikim, me anë të një letre bakalli, se filan avokat mungon për këtë arsye dhe kjo gjë merret për bazë nga trupi gjykues. Mendoj se duhet të ndërhyjë Gjykata e Lartë dhe të bëjë rregullimet dhe amendimet e nevojshme, sepse situata në këtë drejtim është mjaft e vështirë”.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›