E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet me koncesionarët, policia ndalon disa persona

Kukës Policia e rendit ka shoqëruar mbrëmë rreth orës 19 disa persona nga Kukësi dhe Hasi, kryesisht punëtorë të minierave të kromit të Kalimashit. Një burim i policisë lokale tha se të shoqëruarit do të pyeten për konfliktet që janë krijuar mes banorëve të fshatit dhe koncesionarëve të kromit të cilët janë ankuar se po pengohen në punën e tyre. Një grup banorësh të Kalimashit kanë udhëtuar në mëngjes në Kukës në shenjë proteste për shoqërimin e kryeplakut të fshatit Kalimash Ibrahim Huta. Plaku Ismail Zeneli 75 vjeç nga Kalimashi tha se policia kishte vepruar me arrogancë duke shoqëruar Hutën pasi ai, siç tha Zeneli, nuk ka përmbushur ndonjë vepër penale dhe as ka bërë presion firmave të licencuara të kromit. “Ne jemi në hall të madh se ne duam të punojmë dhe këta na arrestojnë, ndërsa nëse do të vjedhim sërish këto do të na arrestojnë, a e shihni se ç’bëhet?” Nga ana tjetër minatori nga Hasi Rasim Muneka, 35 vjeç, tha se ata po mblidhnin gurë kromi në mal dhe nuk ishin përfshirë në asnjë marrëdhënie me firmat që shfrytëzojnë minierat dhe se ndalimi i disa minatorëve të rastësishëm ishte një veprim i palogjikshëm dhe i padrejtë i policisë. "Ne ishim në punën tonë të përditshme kur papritur na vihen prangat pa asnjë urdhër dhe asnjë njoftim. Disa prej banorëve i kanë arrestuar edhe në shtëpi. Iu kanë thënë se do t’ju çojmë deri në polici dhe asgjë më shumë. Ne jemi hallexhinj dhe duam të punojmë. nuk mund të na ndal askush të punojmë dhe këtë e kërkojmë e do ta kërkojmë gjithmonë, pavarësisht arrestimeve nga ana e policisë", tha Muneka 35 vjeç. Edhe banorë të tjerë thanë se janë të interesuar për tu punësuar në minierat e kromit por nuk do të pengojnë firmat e licencuara për këtë qëllim. Minierën e Kalimashit dhe miniera të tjera në qarkun e Kukësit ia janë dhënë me koncesion para një viti një kompanie turko-kineze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›