E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtari Imeraj: Nuk jap dorëheqje nga "Gërdeci"

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Besnik Imeraj, i zgjedhur dy ditë më parë me gogla në Kolegjin Penal të Gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen "Gërdeci", ka mohuar në mënyrë kategorike dje që të japë dorëheqje, megjithëse vajza e tij punon në një studio ligjore që mbron interesat e të pandehurit Mihal Delijorgji. Nëpërmjet burimeve zyrtare të Gjykatës së Lartë, u konfirmua se gjyqtari ka deklaruar që aktualisht nuk ka arsye ligjore përse të japë dorëheqjen nga çështja në fjalë. "Nëse të pandehurit e dosjes ‘Gërdeci‘ do të përfaqësohen nga studioja ligjore ku punon vajza ime, atëherë do të detyrohem që të jap dorëheqjen", mësohet se ka deklaruar gjyqtari Imeraj, duke ripërsëritur se nuk ka asnjë arsye që të japë dorëheqjen. Burimet zyrtare nga Gjykata e Lartë deklaruan se pretendimi i gjyqtarit bazohet në nenin 15 dhe 17 të Kodit të Procedurës Penale.
Dy ditë më parë, gazeta "Shqip" publikoi një lajm, sipas të cilit, gjyqtari Besnik Imeraj kishte konflikt interesi për të gjykuar dosjen "Gërdeci", pasi vajza e tij punonte në studion ligjore që mbronte interesat e të pandehurit Mihal Delijorgji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›