PDK: Tragjedia e Gërdecit fillon dhe mbaron në Shqipëri
Demokristianët këmbëngulin në idenë se "tragjedia e Gërdecit fillon dhe mbaron në Shqipëri". Deklaratat e djeshme të zyrës së PDK-së kanë ardhur fill pas vendimit të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, që provoi se ambasadori Uidhers dhe pesë punonjësit e tjerë të ambasadës nuk janë të implikuar në trafikun e armëve në Shqipëri. "Ne kemi dënuar dhe dënojmë përpjekjet që bënë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar për të fshehur nën ombrellën e bashkëpunimit me SHBA trafikun e armëve dhe korrupsionin që solli tragjedinë e rëndë të Gërdecit", thuhet në komunikatën për shtyp të PDK-së. Kjo parti shpreh besimin se Gjykata e Lartë do ta shqyrtojë me paanësi dhe në zbatim të ligjit dosjen e Gërdecit dhe do të ndëshkojë me gjithë ashpërsinë e ligjit autorët e vërtetë të tragjedisë së Gërdecit, si dhe gjithë personat e tjerrë të implikuar në tregtinë e paligjshme të armëve.