Gjyqtari anglez Rili, problem edhe për Milanin

Majk Rili, gjyqtari anglez, i cili bëri disa gafa të mëdha në takimin Shqipëri-Holandë, nuk mund të rrinte pa qenë pjesë e debateve edhe pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve, Milan-Benfika (2-1). Gazeta e përditshme sportive italiane "Corriere dello Sport" shkruan se goli i portugezit Nuno Gomesh në fund të takimit ishte i parregullt, pasi Edkarlos ishte në pozicion jashtë loje. Gazeta numëron një numër rastesh kur gjykimi i Rilit ndikoi në ecurinë dhe ritmin e ndeshjes. Më minutën e 8-të, Jankulovski ndalohet nga Kasturanis, topi përfundoi te Ambrozini, i cili mund të dilte në sulm një kundër një, Tili mund të lejonte avantazhin, por nuk e bën. Gjithsesi, gjithcka shkoi mirë për Milanin, pasi nga kjo goditje dënimi lindi edhe goli i parë i jashtëzakonshëm i Pirlos. Në pjesën e dytë, Rili bëhet sërish protagonist, kur loja kishte fituar ritëm të lartë dhe gjyqtari anglez me stilin e tij synon uljen e ritmit. Kulmi arriti me golin e Nuno Gomeshit. Kur Katsuranis harkoi topin drejt qendrës së zonës së rreptësisë, përpara Didës ishte Edkarlos në pozicion jashtë loje, i cili kërkon të shqetësojë portierin.