Kuqi: Ende nuk kam mbaruar

Përkundër faktit se ka mbushur 35 vjet, vushtrriasi ndien se mund të luajë ende.
“Sigurisht, vitet kanë shkuar, por unë ndihem ende në formë të mirë. Do të arrijnë edhe gola të tjerë, në këtë periudhë. Do të mundohem të shënoj sa më shumë”, deklaroi Kuqi i uritur për gola, në uebfaqen finlandeze iltalehti.fi.
Ish përfaqësuesi finlandez, të shtunën e ka shënuar golin e nëntë në garat kampionale, të 12-in në përgjithësi këtë sezon. Ai e ndihmoi Oldhamin që të fitonte ndaj Chesterfield me rezultat 5:2.
“E kemi nisur mirë ndeshjen dhe fitorja u sigurua praktikisht te rezultati 3:0. Fitoret në Kupë dhe kjo e sotmja janë një shenjë e mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Mbes me shpresë që të vazhdoj të shënoj”, ka deklaruar Kuqi, skuadra e të cilit tani gjendet në mes të tabelës, me 25 pikë të fituara, prej 18 ndeshjeve të zhvilluara.