E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata liron Albin Kurtin nga burgu

Lideri i “Vetëvendosjes”, nga i akuzuar në akuzues: Nuk e njoh EULEX-in

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, është liruar vetëm dy ditë pas arrestimit me forcë nga Policia e Kosovës. Gjykata e Kosovës, që drejtohet nga EULEX-i, ka vendosur lirimin, pasi ai e ka kryer dënimin gjatë periudhës që ka qenë në paraburgim. Albin Kurti u arrestua ditën e shtunë nga Policia e Kosovës, teksa mbante një konferencë për shtyp në selinë e “Vetëvendosjes”. Kurti ishte dënuar me 10 muaj burg nga Gjykata e Prishtinës për kryerjen e veprës penale të “pengimit të punës së zyrtarëve të lartë”. Nga tri aktakuza me të cilat ngarkohej, Albin Kurtit, liderit të lëvizjes “Vetëvendosje”, tashmë i ka mbetur vetëm një. Pak kohë më parë i është hequr një tjetër akuzë zyrtare ndërsa në seancën e djeshme gjyqësore, trupi gjykues e ka liruar Kurtin edhe nga akuza e dytë, ajo për "tentim për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm". Kreu i “Vetëvendosjes” akuzohet vetëm për “pengimin e personave në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”. Kurti është duke u gjykuar pa praninë e avokatit të tij mbrojtës, për shkak se ai nuk ka pranuar asnjë prej tyre. Përveç kësaj, ndryshe nga seancat e tjera, kur nuk i është mundësuar të lexojë fjalimin tij, në seancën e djeshme, trupi gjykues ia ka mundësuar Kurtit të flasë. Në fjalimin e tij të gjatë, të cilin e kishte shpërndarë më parë lëvizja “Vetëvendosje”, Kurti ka deklaruar edhe një herë se nuk e njeh EULEX-in dhe procesin gjyqësor të filluar nga ky mision. “Mua nuk mund të më ofrohet një gjykim i drejtë brenda këtij sistemi. Veprimtaria ime është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat e EULEX-it për të siguruar pushtetin e vet”, citohet të ketë thënë Kurti. “Populli i Kosovës ka jetuar tepër gjatë nën shtypje dhe nën sundim të huaj. Ne duam liri, jo shtypje më të sofistikuar. Ne duam drejtësi dhe vetëvendosje, e jo një tjetër pushtet që shtyp të drejtat tona. Akuzat kundër meje kanë të bëjnë me një demonstratë jo të dhunshme për vetëvendosje dhe për t’i dhënë fund sundimit ndërkombëtar”, është shprehur Kurti në seancën e tij gjyqësore. Duke u bazuar në këtë fjalim të shpërndarë të “Vetëvendosjes”, Kurti ka dhënë edhe vërejtjet e tij ndaj panelit të gjyqtarëve. “Duke e rifilluar këtë rast, ju e mbështetni padinë politike kundër meje që është absurde nga ana ligjore dhe synimet politike të këtij procesi. Ju tregoni sheshit se EULEX-i ka qëllim të njëjtë për rastin si UNMIK-u: mbytjen e zërave kundërshtues, kriminalizimin e rezistencës politike paqësore dhe izolimin e lëvizjes ‘Vetëvendosje’, opozitën e vetme, jo të dhunshme ndaj EULEX-it në Kosovë”, ka deklaruar Albin Kurti. Sipas tij, ky rast është iniciuar nga UNMIK-u për t'i ikur përgjegjësisë për krimet e veta dhe ky panel e mbështet këtë objektiv duke e rifilluar rastin bazuar në padinë politike të UNMIK-ut. “Unë e kundërshtoj këtë panel, sepse duke e rifilluar këtë rast ju keni shpërfillur njëmbëdhjetë muajt e mi të kaluar në paraburgim për këtë çështje politike; ju keni shpërfillur shpjegimin tim të mëparshëm pse kjo padi është ligjërisht absurde e politike dhe keni shpërfillur dëshminë e dëshmitarit kryesor të akuzës që kishte konfirmuar se demonstrata më 10 shkurt ka qenë e qetë dhe se unë nuk e kam inkurajuar dhunën”, ka deklaruar Albin Kurti në fjalimin e tij të gjatë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›