E Diel, 1 Nëntor 2026

Indi, 66 vjeçarjasjell në jetë trinjakë

HARYANA -Bhateri Devi është përfshirë në rradhët e grave më të vjetra në botë që sjellin në jetë fëmijë pasi lindi trinjakë në moshën 66 vjeçare. Devi, banore e shtetit verior indian Haryana, ngjizi trinjakë pas 44 vjetësh martesë përmes fekondimit artificial në një qendër shëndetësore në Hisar. Devi dhe bashkëshorti i saj Deva Singh donin me çdo kusht të kishin fëmijë ndaj kishin provuar të gjitha mënyrat e mundshme. Më në fund ja dolën mbanë në orvatjen e tretë përmes fekondimit artificial. Devi solli në jetë tre fëmijë, dy djem e një vajzë, më 29 Maj. Që nga lindja dy prej fëmijëve kanë qenë nën peshë pasi peshojnë respektivisht 1.2 e 1.3 kilogram ndaj mjekët janë detyruar t’i mbajnë në njësinë e terapisë intensive. Tani ama fëmijët janë nxjerrë nga inkubatorët pasi shfaqin shenja se po e marrin veten me shpejtësi.
Anurag Bishnoi, mjeku i Devi, tha se ajo ishte gruaja më e vjetër në botë që sillte në jetë binjakë. "çdo muaj kemi pasur 5-7 raste grash që mbeten shtatzënë në moshën 55 vjeçare. Por ajo është gruaja më e vjetër në botë që sjell në jetë trinjakë, pasi është 66 vjeç" tha Anurag Bishnoi, mjeku i Devi. Megjithatë pretendimi i saj se është gruaja më e vjetër në botë që sjell në jetë trinjakë nuk mund të cilësohet si një rast i veçuar. Bishnoi shtoi se kjo gjë do të nxiste të tjera çifte pa fëmijë t’i nënshtroheshin këtij trajtimi. "Ajo është shembull për gratë e tjera. Raste të tilla përcillen me mjaft bujë nga shtypi pasi shpeshhere ka burra që nuk i mbështesin gratë e tyre në këtë zgjedhje. Ndaj ky është një shembull mjaft pozitiv."
Deva Singh është i ngazëllyer nga fakti që më në fund po bëhet baba. "Menduam ta provonim. Edhe pse i kishim humbur shpresat. Ndaj mjeku që na e mundësoi këtë gjë është si Zoti për ne" tha Deva Singh.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›