Gjyshja kineze balerine

Nuk është aq e zakonshme në Kinë kjo gjë. Ndoshta, pak a shumë si në Shqipëri, edhe atje gratë që bëhen gjyshe pritet që të bëjnë një jetë të qetë duke rritur nipërit e mbesat, veçse kjo nuk vlen për 60-vjeçaren Sun Fengçin, nga qyteti i Nanking ose Nanxhing.
Kësaj gruaje i lindi papritur pasioni për një lloj të ri vallëzimi, një vallëzim që kryhet më shumë nëpër klubet e natës nga femra që nuk kanë imazh shumë të mirë tek populli kinez. Por, Sun nuk do t’ia dijë, ajo është shumë entuziaste për këtë sfidë që po e fiton.
“Ky është një lloj i veçantë vallëzimi. Lëvizjet që bëhen në këtë vallëzim janë shumë elegante. Kur gruaja kryen këto lëvizje ajo bëhet shumë femërore dhe tërheqëse. Është shumë rinore dhe seksi. Ndjej shumë zili kur shoh vajzat e reja që bëjnë lëvizje që duan më shumë teknikë. Por, unë po mësoj, po rrotullohem dhe po ngjitem më lehtë”, u shpreh ajo.
Instruktorja e saj, Shen Ting, tregon sesi u ndje kur pati përballë këtë grua dhe dëgjoi kërkesën e saj.
“U trondita, por edhe u ndjeva e lumtur. Ndaj e mirëprita ardhjen e saj, sepse ky lloj kërcimi është një stërvitje e vërtetë. Kur shikoj këtë 60-vjeçare të pranojë këtë sfidë dhe të vallëzojë kaq mirë, mendoj se e mësuara nuk ka kufij moshe”, deklaroi Ting.
Sot flitet shumë për dobinë e sportit. Flitet për ndikimin pozitiv që ka tek shëndeti, por harrohet se ndikimi më i madh është psikologjik. Gjyshja 60-vjeçare Sun Fengçin ndihet e lumtur. Ajo sikur i thotë të gjithë njerëzve: Bëhuni edhe ju të lumtur si unë.