Ardi Behari: Te Flamurtari po rritet një brez cilësor
Të krijohet përshtypja sikur fëmijët vlonjatë kanë lindur së bashku me topin e futbollit
Loja magjepsëse e futbollit është traditë për të gjitha moshat në Vlorë. Jo më kot futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar, por edhe të kombëtares, janë produkt i kësaj shkolle. Trajneri i Flamurtarit U-19, Ardi Behari, pas një karriere të shquar si futbollist me Flamurtarin, Partizanin dhe Tiranën, duke lënë pas nostalgjinë e së kaluarës, i është përveshur punës sistematike, plot pasion dhe përkushtim, pikërisht për të zbatuar në tapetin e gjelbër futbollin e bukur dhe rezultativ.
Ai vijon punën si trajner i Flamurtarit U-19. Luhatjet e skuadrës së tij sezonin e shkuar nuk e kanë lëkundur pasionin e tij, përkundrazi, i kanë nxitur sedrën për përgatitjen cilësore të sa më shumë talenteve dhe integrimin e tyre te skuadra kryesore e Flamurtarit. E veçanta e kësaj skuadre është aktivizimi i rreth 80% të futbollistëve në ndeshjet miqësore dhe të Kupës së Shqipërisë me skuadrën e të rriturve.
Furnizimi i skuadrës së parë Objektivi që kemi si staf teknik është përgatitja e sa më shumë lojtarëve cilësorë për furnizimin e skuadrës kryesore të Flamurtarit. Natyrisht, nuk nënvlerësoj renditjen në tabelën e klasifikimit, por nëse ne po realizojmë objektivin, atëherë edhe rezultatet pozitive do të vijnë gradualisht vetvetiu, – shprehet trajneri i U-19, Ardi Behari.
Në skuadër gjeta një brez lojtarësh jo shumë cilësorë, me të cilët nuk arrita rezultatet e duhura, por edhe hasëm disa vështirësi të tjera. Ndeshjet në transfertë shumicën e rasteve janë zhvilluar në terrene të papërshtatshme, por ka pasur edhe raste që vendasit nuk i kanë organizuar sipas udhëzimeve të FSHF-së. Shumë rezultate janë zgjidhur në Komisionin e Disiplinës pranë FSHF-së për moszhvillimin e ndeshjeve për arsye subjektive
Ky sezon, me pretendime Ka ndryshuar pozitivisht në shumë drejtime zhvillimi i këtij kampionati. Jam shumë i kënaqur që në çdo ndeshje të kampionatit U19 FSHF dërgon delegatë. Infrastruktura ka ndryshuar në shumë qytete, pasi janë ndërtuar fusha të reja. Kjo ka ndikuar direkt në rritjen e cilësisë sportive si dhe në ruajtjen e shëndetit të lojtarëve (sa i përket shmangies së traumave fizike).
Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar edhe në rezultatet pozitive të Flamurtarit dhe në shtimin e sa më shumë talenteve në këtë skuadër. Shumë futbollistë të rinj të Flamurtarit, si Nelaj, Qejvani, Xhani, Kuçi, Xhaferraj, Brozi, Azizi, Stara dhe shumë të tjerë, janë aktivizuar në ndeshjet miqësore dhe të kupës në radhët e Flamurtarit si dhe në përfaqësueset e moshave.
Ky është një brez që premton për të ardhmen e futbollit vlonjat. Dua të theksoj së një kontribut të rëndësishëm ka Bashkia e Vlorës, e cila po bën një punë shumë të mirë, duke stimuluar këta të rinj me investime të shumta për të ardhmen e tyre te Flamurtari dhe për më lart, – përmbyll Ardi Behari.
