E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysma e Superligës pa trajnerë

Fillimi i kampionatit të ri po afrohet, derisa prijësit e klubeve të Superligës nuk po e prishin gjumin. Madje, përveç që ende nuk i kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri, thuajse gjysma e skuadrave të Superligës së Kosovës aktualisht janë edhe pa trajnerë.

Në Kosovë tashmë është bërë zakon që porsa të përfundojë një kampionat, udhëheqësit e klubeve hidhen në gjumë, prej të cilit nuk dinë të zgjohen për t’i nisur përgatitjet për edicionin e ri.

Ky fenomen po ngjan edhe sivjet. Përveç që ende nuk i kanë nisur stërvitjet për sezonin e ri, thuajse gjysma e skuadrave të Superligës aktualisht nuk kanë trajnerë dhe ende nuk e dinë se kush mund t’i udhëheqë në kampionatin e ri.

Trepça ’89, Hysi, Trepça, Drita e Vëllaznimi tash për tash nuk kanë fare trajnerë. Edhe vetë prijësit e klubeve e pranojnë neglizhencën e tyre, por ata premtojnë se shumë shpejt do t’i nisin riorganizimet për ta nisur sa më të përgatitur edicionin e ri.

“Ende nuk ka asgjë. Shumë shpejt do ta mbajmë një mbledhje si kryesi e klubit dhe gjithçka do të dihet”, tha drejtori sportiv i Trepçës ’89, Ilir Bojku.

Ndërsa sekretari i Trepçës, Hajrullah Haxhiu paralajmëroi se në sezonin e ri ‘Xehetarët’ mund t’i udhëheqë Shefqet Kurti, i cili fillimisht e kishte marrë përkohësisht detyrën e trajnerit pas largimit të Fidaim Haxhiut.

“Sipas të gjitha gjasave, sezonin e ri do ta nisim me Shefqet Kurtin, normalisht nëse edhe ai e pranon detyrën e trajnerit. Përndryshe, si kryesi jemi të pajtimit që ai ta udhëheqë, por paraprakisht do ta mbajmë edhe një mbledhje”, deklaroi Haxhiu.

Në Vëllaznim bëjnë të ditur se shumë shpejt do ta riorganizojnë kryesinë e klubit, e cila më pas do ta bëjë përzgjedhjen e trajnerit të ri. “Këto ditë do të mblidhemi. Do ta zgjedhim kryetarin dhe anëtarët tjerë të kryesisë varësisht nga rrjedhja e mbledhjes, e më pas do të dihet edhe për trajner”, tha zyrtari i lartë i gjakovarëve, Ahmet Morina.

Express ka provuar të kontaktojë edhe me drejtuesit e Dritës dhe Hysit, por kjo ka qenë e pamundur.

E kjo neglizhencë e krerëve të klubeve ka bërë që tregu i transferimeve të futbollistëve të jetë i varfër, derisa shumë lojtarëve nuk po u rrihet më në klubet e tyre të deritanishme duke i parë ‘shefat’ e tyre shumë pasivë.

Në anën tjetër, Prishtina sezonin e ardhshëm do ta nisë me trajnerin e ri, Ejup Mehmetin, sikurse Drenica me Fadil Ramën, derisa edhe Besa ka konfirmuar se në edicionin 2012/13 do të udhëhiqet nga Miftar Rama. Kurse, Liria më në fund e ka zyrtarizuar Skënder Kaprën.

Tre anëtarët e rinj të Superligës, Ferronikeli, Kosova e Vushtrrisë dhe Hajvalia në edicionin e ri do të udhëhiqen nga Musa Selimi, Besnik Kollari dhe Emin Bajrami.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›