E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marshojnë drejt Shqipërisë

Në edicionin e ardhshëm, në Superligën e Kosovës nuk do të luajnë disa nga futbollistët më të suksesshëm të viteve të fundit. Kjo pasi klubet e Shqipërisë disi janë duke e shfrytëzuar ‘gjumin’ e klubeve kosovare, të cilave po ua ‘rrëmbejnë’ lojtarët e tyre kryesorë. Pas Yll Hoxhës, Besart Musollit e Festim Krasniqit – të cilët iu bashkuan Kukësit – edhe Mentor Zhdrella e Kastriot Rexha shpejt pritet të marshojnë drejt Shqipërisë. ‘Foleja’ e ardhshme e tyre pritet të jetë Besa e Kavajës.

Në edicionin e ri, në Superligën e Kosovës nuk do të luajnë disa nga futbollistët më të njohur të viteve të fundit. Shumë nga ta, karrierën do ta vazhdojnë në elitën e futbollit të Shqipërisë.

Në fakt, klubet shqiptare në njëfarë mënyre janë duke e shfrytëzuar ‘gjumin’ në të cilin gjenden thuajse të gjitha klubet kosovare, të cilave po ua ‘rrëmbejnë’ lojtarët kryesorë të tyre, me të cilët veç u kanë skaduar kontratat.

Pas dy futbollistëve të njohur të Hysit, Yll Hoxhës e Besart Musollit dhe atij të Trepçës ’89, Festim Krasniqit – të cilët para pak kohësh iu bashkuan Kukësit – drejt Shqipërisë pritet të marshojnë edhe lojtarë të tjerë kosovarë.

Në fakt, shpejt pritet të bëhet edhe zyrtarizimi i transferimit të Ilir Nallbanit nga Trepça ’89 në Vllazni të Shkodrës, e po ashtu edhe kalimi i Argjend Mustafës nga Trepça në Besë të Kavajës.

Por, transferimet nga Kosova në Shqipëri nuk pritet të përfundojnë me kaq. Gjatë kësaj jave, sipas të gjitha gjasave, në Besën e Kavajës do të transferohen edhe dy lojtarë të tjerë të njohur kosovarë. Fjala është për sulmuesin e Trepçës ’89, Kastriot Rexhën dhe futbollistin më të mirë të viteve të fundit në Kosovë, kapitenin e Hysit, Mentor Zhdrellën.

Të dy këtyre lojtarëve, kontratat me skuadrat e tyre u kanë skaduar, derisa klubi nga Kavaja u ka bërë oferta joshëse, të cilat vështirë se do të mund t’i refuzojnë.

Këtë e ka konfirmuar vetë Kastriot Rexha, derisa Zhdrella e ka preferuar heshtjen.

“Unë dhe Mentori jemi shokë të mirë dhe të vjetër. Kemi marrë oferta nga disa klube të Shqipërisë, por kushtet më të mira na i ka ofruar Besa e Kavajës. Unë dhe Mentori kemi vendosur që bashkërisht të vendosim se në cilin klub të luajmë, me qëllim të adaptimit më të lehtë”, deklaroi Rexha për Express.

“Oferta e Besës është shumë më e mirë sesa ato që i marrim në Kosovë. Prandaj, mund të konfirmoj se jemi shumë afër kësaj skuadre. Por, kjo do të qartësohet brenda pak ditëve, derisa t’i negociojmë edhe disa detaje të tjera. Gjasat janë të mëdha që në sezonin e ri të luajmë në Kavajë, por kjo përfundimisht do të dihet brenda tri-katër ditëve”, theksoi sulmuesi i rrezikshëm.

Rexha pranoi se bashkë me Zhdrellën dëshirojnë të sprovohen edhe në futbollin shqiptar, pas shumë viteve të suksesshme të kaluara në futbollin kosovar.

“Do të ishte diçka për ne të luajmë në Shqipëri. Kemi dëshirë ta ndërrojmë paksa ambientin dhe ta thyejmë monotoninë. Kampionati i atjeshëm është dukshëm më i fortë sesa yni, dhe nëse në Shqipëri paraqitesh mirë, atëherë je më afër transferimit në ndonjë ligë më të fortë evropiane”, përfundoi Rexha.

Por, spekulohet se edhe futbollistë të tjerë të njohur kosovarë kanë marrë oferta joshëse nga klubet e ndryshme shqiptare, andaj në edicionin e ri, Superliga e Shqipërisë pritet të jetë vendtakim për shumë lojtarë nga Kosova.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›