I jep për 1000 euro pasaportën shokut që i ngjante, arrestohet
Durrës – Një person, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh, është arrestuar në kushtet e flagrancës e bashkë me të edhe një i dytë i dyshuar. Burime zyrtare nga policia e Durrësit thanë dje se Komisariati i Policisë në Port ka realizuar kapjen e Albert Prapanikut, 25 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në fshatin Gramëz, Fushë-Krujë. Po ashtu, në pranga ra edhe 24-vjeçari Gazmir Bardhi, lindur dhe banues në fshatin Gramëz, Fushë-Krujë. Arrestimi i tyre u bë për arsye se Gazmir Bardhi është paraqitur pranë autoriteteve të Policisë Kufitare të Komisariatit të Portit duke tentuar të udhëtojë drejt shtetit italian me tragetin “Tirrenia” në mënyrë të kundërligjshme, me një pasaportë shqiptare me nr. Z0327831 dhe leje qëndrimi italiane me nr. 13759 AG, dokumente këto që i përkisnin Albert Prapanikut. Policia zbardhi se letrat përdoreshin nga ana e Gazmirit me ngjashmëri fotografie. Nga veprimet hetimore rezulton se Albert Prapaniku i kishte dhënë për t’i përdorur dokumentet e tij kundrejt shumës prej një mijë euro. Autoritetet, pas arrestimit të dy të rinjve, i bllokuan dokumentet e tyre, pasi ato u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Dy të rinjtë kanë secili nga një akuzë. Albert Prapaniku përballet me “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe Gazmir Bardhi akuzohet për “Falsifikim të letërnjoftimeve, vizave, pasaportave”.
Ndalohet i dyshuari për një vrasje të kryer para 10 vitesh
Gjirokastër - Policia e Gjirokastrës ka zbardhur një vrasje të vitit 1999, duke mundësuar më pas edhe arrestimin e të dyshuarit. Sipas të dhënave, operacioni i policisë mbi ngjarjen e rëndë, të ndodhur 10 vjet më parë në qytetin e Gjirokastrës, quhej “Harresa”. Ai ka mundur të vërë në pranga Drini Alikon, i cili akuzohet për vrasjen më 4 nëntor 1999 të Besnik Ibrahimit. Ngjarja e largët ka ndodhur në kryqëzimin e lagjes “Punëtore”, në Rrugën Gjirokastër-Kakavijë dhe dyshohet se ajo mban për autor vetëm Drini Alikon. Forcat policore bëjnë të ditur se gjatë momentit të arrestimit atij iu gjetën 5 aparate celulare, 420 dollarë dhe 30 mijë lekë që i kishte në makinën tip Audi.
30 Mars 2009