Gjysmasallë e Gjysmagjel
Kush e lexoi shkrimin e pardjeshëm te gazeta Panorama" nga ministri i Kulturës (së tij) Ylli Pango patjetër që është habitur me gjithë atë mllef e shpërthim që hodhi ky ministër në faqet e zonjës shërbyese.
Nuk kisha lexuar kurrëndonjëherë aq shumë shpifje e sendërgjime në aq pak vend, jo thjesht kundër meje, por as kundër ndonjë kolegu tjetër të shtypit e të kulturës.
Atë gjuhë rrugaçe, të më falë zonja e kurdondodhur për shërbime, nuk do ta kishte pranuar as gazeta 55.
Do t'i lutesha lexuesit që nuk e ka kapur, ta lexojë shkrimin në fjalë të zotit Pango, për të parë se kush na drejton, për ta kuptuar se në radhën e gjatë të ministrave të Kulturës që kemi njohur gjatë tranzicionit, askush nuk është ulur për të shkruar një seri aq të gjatë sulmesh ndaj një njeriu të shtypit dhe të kulturës. Në qoftë se shumë prej këtyre ministrave mund t'i akuzonim për mediokritet, pra për mesatari, ky i tanishmi është mesatari dhe fatkeqësi njëherëshi.
Asnjërës prej shpifjeve të tij nuk kam ndër mend t'i përgjigjem; ai është një nivel kanalesh ku nuk kam pse të zbres. Por dua t'u kujtoj lexuesve shqiptarë se gjithë shfrimi i ministrit të Kulturës (gjithmonë të kulturës së tij) ka një strumbullar, dhe strumbullari është Akademia e filmit Marubi".
Pasi ndjeu gjithë atë valë reagimesh brenda dhe jashtë vendit për gafën e rëndë që bëri ai dhe kush e komandon duke sulmuar një institucion arsimor, ministër Gjysmësalla u hodh kundër njërit prej mbrojtësve të Marubit".
Me këtë logjikë ai duhet t'u vërsulet shumë mbrojtësve të tjerë të kësaj akademie filmi, së cilës padashur vetëm po ia rrisin emrin; dhe kështu aksioni i tij do t'u ngjajë veprimeve në panik të njerëzve që mundohen të zënë vrimat e një anije e cila është shpuar në shumë vende dhe pa shpëtim.
E quajta ministër Gjysmësalla sepse ka guxuar të përgjysmojë një sallë historike të Shqipërisë për të shtuar burokratët e tij. Tani që rri e mendoj, vërej se ka shumë gjysma rreth personit të vet: mundohet të bëjë si gjel, por është Gjysmagjel, i shpërthen në duar një dinamit, që s'u mor vesh kush e vuri dhe bëhet Gjysmëhero, ka qenë i PSD-së, tani është i PD-së, pra Gjysmakuq e Gjysmablu dhe në veprimin e fundit po bën çmos të përgjysmojë Marubin", sipër akademi filmi, poshtë kafene dhe roulette.
Së fundi po i kujtoj: këtë gjysmëluftë të turpshme që po bëni e keni me Kulturën (atë të vërtetën) dhe jo me kalimtarët e përkohshëm në viset e saj.