DASH: Shqipëria ka probleme me kthimin e pronave
Departamenti Amerikan i Shtetit, vë theksin në shkeljet e të drejtave të njeriut në Shqipëri, dhe ligjin e lustracionit
TIRANË- Problemet e theksuara në ligjin e "Dosjeve", si dhe në çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave, janë dy ndër shqetësimet kryesore të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me vendin tonë. Në raportin e tij të përvitshëm për të drejtat e njeriut, DASH, ka renditur të gjitha shkeljet e evidentuara në Shqipëri. Ky raport u përcillet të gjitha vendeve të botës dhe është një ndër pikat e referimit të politikës së jashtme.
Dosjet
Në lidhje me ligjin e dosjeve, i kontestuar nga të gjithë aktorët politikë në vend, por edhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar, raporti i DASH-it citon se është shumë evaziv dhe i lë shteg qeverisë të ndërmarrë një fushatë denigruese ndaj sistemit të drejtësisë. Sipas tij, ky ligj është formuluar me terma të mjegullta, që i japin qeverisë hapësirë tepër të gjerë për të përcaktuar se çfarë nënkuptohet nga aktiviteti politik i ish-zyrtarëve të sistemit komunist, duke i dhënë dorë të lirë të vendosë se kush do të shkarkohet nga detyra. Këto shkarkime bëhen haptazi në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ligji themeltar i shtetit, shpjegon qartë procedurat e emërimit dhe shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve kushtetuese. Raporti nënvizon edhe konfliktin e lindur ndërmjet ekzekutivit dhe gjyqësorit nga ky ligj, pasi pritet që ligji të prekë një numër anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese, gjykatave të shkallës së parë e të dytë, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë dhe një sërë institucionesh të tjera kushtetuese. Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar, Prokuroria, Gjyqësori dhe qeveria, vazhduan që të fajësojnë njëri-tjetrin në lidhje me dështimet në fushën e luftës kundër krimit.
Pronat
"Kthimi i pronave private, të konfiskuara gjatë regjimit komunist në Shqipëri, mbetet një problem shumë domethënës. Gjatë vitit të kaluar, Avokati i Popullit ka shqyrtuar 223 ankesa në lidhje me vendimet e gjykatave për kthimet e pronave",- thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij, autoritetet shtetërore nuk kanë kryer asnjë veprim për të përmirësuar kuadrin ligjor për çështjen e pronës. Raporti citon kreun e AKKP-së, i cili ka pohuar faktin që shteti i ka vënë në dispozicion 10.3 milionë dollarë për kompensimin e pronës, në një kohë kur vlera e kërkuar për kompensimin real të tyre është më e madhe se 3.5 miliardë dollarë. Por, as kjo shumë (10.2 milionë dollarë) nuk është shpërndarë deri në fund të vitit 2008.
Media
Raporti i DASH-it citon raste të shumta të censurës qeveritare mbi mediat. Sipas tij, në disa raste, zyrtarët shtetërorë kanë akuzuar mediat si të lidhura me krimin dhe mafien. Rastet më konkrete janë gjobat e vendosura mbi disa televizione private, pasi kanë transmetuar një spot publicitar kundër qeverisë; sulmi i deputetit Tom Doshi mbi një gazetar; tentativa për largimin e një televizioni nga zyrat e tij dhe largimi i gazetës "TemA" nga ambientet e saj, edhe pse kishte një kontratë të rregullt për 20 vjet.