Tani, titulli i botës

Barcelona u nis drejt Japonisë, të dielën, për Kampionatin botëror të klubeve, pas dëshmimit se ende janë skuadra më e fuqishme në Spanjë, duke mposhtur në udhëtim 3-1 në El Clasico rivalin e saj kryesor, Real Madridin. Kampioni aktual i Evropës dhe Spanjës i dha një goditje të fuqishme rivalit të saj kryesor për titull në La Liga duke heshtur Bernabeun ,të shtunën. Tani, skuadra e Pep Guardiolës do të ketë mundësi të re për triumf nëse mposht kampionin e Azisë, Al Sadd në gjysmëfinale të Botërorit të klubeve të enjten.
“Barcelona e Guardiolës është ende mbret”, shkroi e përditshmja spanjolle El Pais në ballinën e saj të dielën ndërsa El Mundo komentoi: “Fuqia absolute e Barcelonës”. Pep Guardiola regjistroi fitoren e tij të tetë në 12 Clasico prej kur mori drejtimin e gjigantit katalan, dhe përfundoi serinë e Realit prej 15 fitoreve rresht në të gjitha garat duke barazuar me pikë skuadrën e Jose Mourinhos por ka një ndeshje më tepër të zhvilluar.
“Ne vazhdojmë të shkruajmë histori. Një tjetër ndeshje e fituar në Bernabeu”, deklaroi portieri Victor Valdes, i cili u lavdërua nga Guardiola për mënyrën si tejkaloi gabimin që u përcoll me golin e epërsisë nga Reali në minutën e parë të ndeshjes. “Ne shkojmë në Japoni për të fituar titullin e botës” theksoi ai. Cesc Fabregas, realizatori i golit të tretë të Barcelonës, shtoi: “Kjo na jep shumë besim për Kampionatin botëror të klubeve. Një gjë është e qartë, rruga do të jetë shumë më e kënaqshme”. Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta ishte i shkëlqyeshëm pas pushimit dhe El Pais e përshkroi si “magjistar me këpucë sportive”. Cristiano Ronaldo, realizuesi më i mirë në La Liga së bashku me Messin me nga 17 gola, humbi dy raste shumë të mira që mund të kishin kaluar Realin në epërsi 2-0 e më pas barazuar shifrat në 2-2. Tifozët vendas shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj portugezit i cili sërish dështoi të dhurojë shkëlqimin e pritur kundër Barcelonës. “Iniesta dhe Messi të shkëlqyeshëm, Cristiano sonte kaloi natën e tij më të keqe” shkroi e përditshmja sportive e Madridit, AS, në ballinën e saj. Marca ia dedikoi faqen e tretë një fotografie të Ronaldos në gjunjë përballë futbollistit më të mirë të bitit, Messi.
Guardiola: Titulli nuk fitohet në dhjetor
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola nuk beson se fitorja 3-1 ndaj Real Madridit është goditje vendimtare në luftë për titull në La Liga duke insistuar se “nuk ka kampion në dhjetor”.
“Jam i lumtur me paraqitjen. Por, Madridi do të kthehet. Për të fituar këtu, ju duhet të luani një lojë shumë të mirë dhe ne e kemi bërë këtë. Por, ka edhe shumë deri në fund dhe Reali do të jetë sërish lider nëse mposhtë Sevillën. Nuk ka kampion në dhjetor”, deklaroi Guardiola.