E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finlanda dhe Holanda kundërshtojnë masat anti-krizë

Finlanda dhe Holanda kundërshtojnë masat anti-krizë të samitit të fundit të Bashkimit Europian, për të përdorur me më shumë lehtësi fondet e shpëtimit.

Qeveria finlandeze dhe ajo holandeze janë të gatshme t'i ndalojnë ESM-së, apo fondit të përhershëm të eurozonës, të blejë letra me vlerë në tregjet dytësore.

Në deklaratën e ekzekutivit finlandez, të cituar nga agjencia e lajmeve AFP, thuhej se në të ardhmen, duhet unanimitet sa i takon blerjeve të bondeve dhe siç duket kjo nuk është e mundur pas kundërshtimit të Finlandës dhe Holandës.

Edhe Gjykata Kushtetuese në Gjermani, së shpejti do të shqyrtojë ankesat kundër ESM-së Mekanizmit te Stabilitetit Europian, të cilat u paraqitën nga të gjithë ata qe besojnë se ESM bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Në një vendim të mëparshëm, gjykata tha se qeveria gjermane duhet të përfshijë më shumë parlamentin sa u takon planeve të shpëtimit të Eurozonës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të premten mori miratimin e Parlamentit për ESM-në dhe traktatin fiskal të Eurozonës.

Nën presionin e Italisë dhe Spanjës, 17 udhëheqësit e eurozonës pranuan të lehtësojnë mekanizmin e blerjes së bondeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›