Glendi Mici shpallet "Talenti më i mirë i vitit"
Për të pestin vit rresht futbolli shqiptar nderoi talentin më të mirë të sezonit nëpërmjet një ceremonie të veçantë, që synon nxitjen dhe zhvillimin e 'fidanishteve' në ekipet e të gjitha kategorive. Në evenimentin e organizuar nga shoqata "Sporti na bashkon", në Teatrin Kombëtar, mbrojtësi 21-vjeçar i Flamurtarit, Gledi Mici, fitoi çmimin "Talenti më i mirë i vitit", për të cilin votuan përfaqësuesit e mediave dhe specialistët e sportit. Lojtari fierak u shpreh i nderuar për fitoren e këtij çmimi, ndërsa shtoi se e ardhja e tij e afërt do të vazhdojë të jetë në qytetin bregdetar. Çmimin simbolik ia dha një prej ikonave të sportit shqiptar, pikërisht Agim Fagu, i cili falënderoi për këtë iniciativë të bukur. Por janë shpërndarë edhe çmime të tjera, ku Mario Morina (Tirana) dhe Indriz Batha (Besa) morën çmimet e dyta, ndërsa Alfred Zefi (Laçi), Ardit Peposhi (Tirana) dhe Endri Magani (Shkumbini) morën çmimet e treta. Për futbollistin Igli Allmuça të Kukësit, u dorëzua çmimi "Fair-Play", ndërsa çmimi i meritës iu dha presidentit të Kukësit, Safet Gjici, si njeriu i vitit në futboll. Një vend në skenë ishte edhe për skuadrën fituese të U-19, "Shkëndija e Tiranës" me trajner Shpend Kumbarçe dhe drejtues së Shkollës së Mjeshtërisë, Sulejman Mema. Figurat që lauruan fituesit ishin: Bejkush Birçe, Eduart Prodani, Jetmir Halilaj, Vasillaq Zëri, Fatmir Mneri, Gëzim Nushi, Iljaz Çeço dhe Agim Fagu, i cili e ka mbyllur me një shprehje të madhe këtë ceremoni: "Të fitosh një gjë ndoshta është e lehtë, por ta mbash atë, është shumë e vështirë!" Më parë këtë çmim e kanë fituar Vila, Roshi, G.Lika dhe Bala.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)