Globalizimi i shkencës
Shkenca është burim i paçmuar udhëheqjeje për individë dhe qeveri. Kjo është e vërtetë, në veçanti, sepse shkencëtarët shpesh mund të parashikojnë pasojat e ardhshme të veprimeve të tanishme.
Për shembull, ne e dimë se tek ata që pinë dy paketa cigaresh në ditë, mund të shfaqen pas 40 vjetësh probleme serioze me kancerin. Dhe shkenca parashikon se, nëse ne nuk kufizojmë konsumin e naftës dhe qymyrit në mbarë botën, do të vazhdojë ngrohja e klimës, duke rritur vëllimin e ujit të oqeaneve dhe shkrirjen e sasive gjigante të akujve në Arktik dhe Antarktidë; gjë që shkakton rritje katastrofike të nivelit të detit.
Këta janë vetëm dy nga mijëra shembuj, kur për politikanët ka kuptim të marrin në konsideratë se çfarë mund të parathotë shkenca rreth së ardhmes. Ndërkaq, dijet shkencore shpesh shpërfillen kur merren vendime të rëndësishme.
Kjo nuk do të thotë që shkencëtarët duhet të dominojnë procesin e vendimmarrjes nga qeveria. Është punë e politikanëve dhe jo e shkencëtarëve, që të kihen parasysh kostot dhe përfitimet relative të opsioneve, duke i peshuar, vetëm pasi politikanët të shoshitin çdo mundësi për të nxjerrë konkluzionet e veta. Por shumë nga këto vendime nuk do të jenë të sakta pa kontributin efektiv shkencor.
Për shembull, qeverisë amerikane i ofron shërbime të mira një organizatë e quajtur Akademitë Kombëtare (National Academies), e bazuar në tri organizata të nderuara, të përbëra nga shkencëtarë, inxhinierë dhe specialistë të Shëndetësisë, të gjithë këta nga më të shquarit e vendit (përkatësisht: Akademia Kombëtare e Shkencave - National Academy of Sciences, Akademia Kombëtare e Shkencave Inxhinierike - National Academy of Engineering dhe Instituti i Mjekësisë - Institute of Medicine). Kjo organizatë Joqeveritare e pavarur nxjerr më tepër se 200 raporte në vit, shumica në përgjigje të kërkesave specifike të qeverisë së SHBA-ve.
Këto kërkesa variojnë nga çështje që kanë të bëjnë me rreziqet në shëndet nga gjurmët e arsenikut në ujin e pijshëm dhe deri te çështjet se si të financohen më mirë format e ndryshme të kërkimeve shkencore. Me anë të një rishqyrtimi rigoroz, Akademitë ngulin këmbë që çdo raport, të kufizohet vetëm brenda asaj se çfarë mund të thotë shkenca për subjektin e studimit, mbi bazën e provave dhe logjikës, pa u marrë me vendimmarrjen që duhet t'u takojë të tjerëve.
Kështu, për shembull, raporti mbi ujin e pijshëm parashikon dendurinë e kancerit të fshikëzës së urinës, që do të hasej eventualisht në një popullsi të ekspozuar ndaj niveleve të arsenikut prej 5, 10 ose 20 pjesë për miliardë. Por në të nuk flitet për përqendrimin maksimal të lejueshëm të arsenikut, gjë që duhet vendosur nga qeveria.
Teksti i plotë i afër 3.000 raporteve të Akademive mund të gjendet në internet (në ëëë.nap.edu ), dhe se kushdo mund t'i shkarkojë falas në secilin prej 146 vendeve. Arseniku është njëlloj i dëmshëm në të gjithë globin dhe në këtë rast, studimi i kryer në SHBA, mund të jetë i dobishëm për të gjitha vendet.
Megjithatë, ekzistojnë dhe çështje të tjera të rëndësishme shkencore që kërkojnë studime nga ana e organizatave ndërkombëtare, në mënyrë që të marrin njohje në shkallë më të gjerë. Për të përmbushur këtë nevojë, Këshilli Ndërakademik - InterAcademy Council - (IAC) është themeluar në vitin 2000, në Amsterdam, nga një organizatë botërore e akademive të shkencave, e quajtur Paneli Ndërakademik - InterAcademy Panel - (IAP). IAC-i drejtohet nga një bord i cili përfshin një grup, me rotacion, prej 15 presidentësh të akademive nga gjithë bota, që përfaqësojnë vende me nivele të ndryshme zhvillimi ekonomik, dhe raportet e tyre pasqyrojnë një perspektivë vërtet ndërkombëtare me mbështetjen e shkencëtarëve dhe inxhinierëve më të mirë të botës.
IAC-i bën njoftim dhe këshillim në përgjigje të kërkesave të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, të cilat gjenden falas në ëëë.interacademycouncil.net. Raporti i parë i IAC-it, titullohej: "Ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë: strategji për krijim potenciali botëror në lëmë të shkencës dhe teknologjisë" (Inventing a Better Future: A Strategy for Building Worldwide Capacities in Science and Technology). Raporti argumentonte në mënyrë bindëse rëndësinë e mbështetjes së institucioneve shkencore dhe teknologjike në çdo vend, duke u fokusuar në shfrytëzimin e vëllimit në rritje të dijeve ndërkombëtare shkencore dhe teknike, për të plotësuar nevojat e këtij vendi.
Raporti "Ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë", gjithashtu, përmban udhëzime të hollësishme për qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare se si të krijojnë potencialin institucional në lëmë të shkencës dhe teknikës, si në vendet në zhvillim, ashtu dhe në ato të industrializuara. Studimi më i fundit i IAC-it, i titulluar "Ndriçimi i rrugës: drejt një të ardhmeje të qëndrueshme energjitike" (Lighting the Way: Toëard a Sustainable Energy Future) paraqet një kalendar ambicioz, të bazuar shkencërisht, për të plotësuar nevojat energjitike të botës.
Auditor i rëndësishëm i çdo raporti të IAC-it janë 100 akademi, në përbërje të IAP-it. Secila prej tyre ka përgjegjësi të veçantë për përhapjen e rekomandimeve të raportit në vendin e saj, gjë që mund të rrisë në mënyrë të konsiderueshme efektivitetin e akademive për të ndikuar në politikat kombëtare. Ndërthurja e IAP-it dhe IAC-it është një eksperiment i rëndësishëm në paraqitjen e rekomandimeve shkencore ndërkombëtare - eksperiment, i cili vetëm sa filloi të demonstrojë efektivitetin e vet potencial në shpërndarjen për të gjithë njerëzimin të përfitimeve që vijnë nga shkenca dhe teknika.
*Brjus Alberts (Bruce Alberts) është profesor i biokimisë dhe biofizikës, Universiteti i Kalifornisë (San Francisko,) bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik (InterAcademy Council), Amsterdam, dhe kryeredaktor i revistës "Sajëns" (Science).
Përktheu: Vladimir Mustaqi