E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë nën nivelin e Berishës!

HENRI ÇILI 

Ka një amulli të përgjithshme rreth rolit, funksionimit dhe artikulimit të aktorëve politikë sot në Shqipëri, e përbashkëta e të cilit mund të përmblidhet me një stilemë të vetme: të gjithë janë jashtë rolit, funksionit dhe artikulimit të natyrshëm. Përjashto njërin: kryeministrin Sali Berisha. Edhe pse duket që projekti i tij politik nuk i përket së ardhmes, gjë e cila mund të pohohej me siguri edhe prej atij vetë, prapëseprapë Berisha, politikani që ka dominuar në mënyrë konstante gjithë tranzicionin shqiptar, jo vetëm nuk është sot nën nivelin e aktorëve alternativë, por me pak guxim mund të themi se ai qëndron mbi nivelin e të tjerëve. Ose e thënë ndryshe, të gjithë jemi nën nivelin e Berishës.
Paradoksalisht, që nga 3 korriku, kryeministri Sali Berisha, jo vetëm nuk po e dobëson projektin e tij politik të pushtetit, por po e forcon atë. Përmes betejash, luftërash, marrëveshjes, kompromisesh, komprometimesh apo s’dihet se me çfarë tjetër, ai mbijeton në pushtet. Pas marrëveshjes së fundit me opozitën ai e ka rihapur bindshëm kapitullin e përpjekjeve për një mandat të ri, për t’i dhënë jetë sërish pranisë dhe rolit të tij të mëtejshëm në jetën politike. Kjo ndoshta, jo aq për meritë të  vet se sa për mungesë të meritës së aktorëve alternativë. Po të analizonim një e nga një aktorët politikë me peshë në këtë vend, duke filluar nga kryetari i opozitës Edi Rama, në mënyrë të pabesueshme do të konstatonim se roli, funksionimi dhe artikulimi e tyre paraqitet sot nën nivelin e kryeministrit Berisha.
Edi Rama, kryetari i opozitës, e ka nxjerrë veten nga roli i tij i natyrshëm si lider alternativ për të udhëhequr nesër Shqipërinë, sepse ai propozon të njëjtën model republike si Berisha me të cilin votoi ndryshimet e fundit kushtetuese. Një republikë e mbyllur, e personalizuar pa hapësira për lojën e disa aktorëve politikë dhe institucionalë, një republikë pa garanci, e rrezikuar në parim brenda mekanizmit që ngre në vetvete. Një opozitë është në radhë të parë jo thjesht një emër, një ekip alternativ për pushtetin, por një model politik më i avancuar, një model që e liberalizon republikën, që i jep më shumë frymëmarrje lirisë dhe rrit nivelin e garantimit në arkitekturën e institucioneve. Sikur të mos mjaftonte kjo, Rama e ka nxjerrë po ashtu veten nga roli i natyrshëm i liderit të së majtës. Me ndryshimet në sistemin elektoral, të cilat dukshëm penalizojnë partnerin e tij politik të deritashëm, Ilir Meta, ai ka mbivendosur qëllimet dhe ambiciet e liderit me ambiciet e oligarkisë së mërzitshme të Partisë Socialiste. Jo më kot, e vetmja nga lëvizjet e Ramës që kjo oligarki ka mbështetur me zell e me shpirt këto tre vjet, ka qenë sistemi elektoral që penalizon LSI-në. Duke njëjtësuar ambiciet e liderit me ambiciet e oligarkisë, Rama ka dalë nga funksioni bazë i një lideri politik në një partie të madhe, ku interesat e të cilit nuk duhet të përputhen asnjëherë 100 për qind me atë të oligarkisë. Ky tension i pazgjidhshëm e mban të shëndetshme një parti të madhe.
Jashtë rolit të natyrshëm është Ilir Meta, i cili në vend që të merret me përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme i është futur mbrojtjes së Kushtetutës në kushtet kur kanë humbur intelektualët dhe konstituticionalistët.
Jashtë funksionit është presidenti Bamir Topi, i cili flet për ndryshimet kushtetuese që prekin institucionin e tij, kur kjo nuk i lejohet nga pozita e presidentit, ndërkohë që ka zhgënjyer tanimë praktikisht të gjithë atë që kishin një farë shprese te personaliteti i tij politik, edhe pse kontestuan mënyrën e zgjedhjes së tij. Në këto 9 muaj në krye të shtetit, presidenti Topi, nuk i ka dhënë vendit ekuilibrin e pushteteve që i kërkon Kushtetuta, nuk ka filtruar ambiciet e kryeministrit Berisha në projektin e zgjerimit të pandërprerë të pushtetit. Edhe pse provat e presidentit janë përditë përpara dhe ai nuk paragjykuar për atë që nuk ka bërë në të ardhmen, prapëseprapë një gjë mund të themi sot: në dyert e Presidencës do të nisemi pa qejf dhe pa shpresë kur të kemi një shqetësim për republikën.
Nën nivelin e aksionit të kryeministrit janë dhe rivalët e djeshëm apo të sotëm politikë të Berishës. Spartak Ngjela, i cili ligjërimin brilant nuk po e mbështet ende me aksion organizativ për të jetësuar idetë e veta në politikë. Nën nivelin e aksionit të kryeministrit Berisha është Besnik Mustafaj, një rival simpatik i profiluar në muajt e fundit brenda gjirit të shumicës, i cili mbeti thuajse i vetëm në aksionin për të bllokuar ndryshimet kushtetuese. Ai nuk po sendërzon politikisht ndonjë grup apo alternativë, duke i dhënë aksionit të tij thjesht emrin e vet publik dhe tërheqës për mediat. Pa llogaritur këtu faktin që mbështetja morale publike që Mustafaj i ka dhënë ish-ministrit Mediu në çështjen e Gërdecit, duket një pakujdesi që as kryeministri Berisha nuk ia ka lejuar vetes.
Nën nivelin e aksionit politik të Berishës janë të tjerë individualitete politike të PD-së, të cilët po të përdornim një qasje cinike, mund të thuhet se i përkasin të shkuarës tashmë. Ministri Genc Ruli, pa bilanc në sektorin e tij apo së paku pa bilancin që prisnin të gjithë ata që kanë besuar në potencialin dhe kompetencën e këtij të fundit. Preç Zogaj, oratori i pashembullt i politikës shqiptare, vazhdon të dalë në media pa mundur të thotë ndonjë gjë me thelb politik. Një e dy ai udhëton drejt Lezhës, zonës së tij elektorale, e cila dukshëm nuk mjafton për formatin e tij politik të klasit të parë. Arben Imami, të cilin nuk e nxorën dot nga politika as kundërshtarët, ngjarjet apo situatat më të vështira, e ka lënë në një heshtje të gjatë, shumë të gjatë politike detyra e shefit të kabinetit të kryeministrit Berisha.
Dy a tre fjalë dhe për disa potenciale politike të së shkruarës dhe ardhmes së politikës shqiptare. Fatos Nano, apriori që u tregua nën nivelin aksionit politik të Berishës, sepse humbi gjithçka në lojën e presidentit me të: vetë president nuk u zgjodh, sistemin politik e shkatërroi me investimin e për zgjedhjen e kandidatit të e forcoi “keqbërësin” e tij politik, duke i dhënë qeverisë presidentin që i takonte pakicës. Pa llogaritur këtu humbjen e pallogaritshme të kapitalit të tij politik historik, me të cilin u largua nga 3 korriku si lider i një fryme tolerante dhe demokratike.
Ben Blushi, i cili pas sprovës së pamundur gjatë krizës së fundit presidenciale, ku me investimin e tij për kandidaturën e Nanos president, ai pati iluzionin se do të kthente me duart e veta historinë mbrapsht, ka preferuar zbresë nga tribuna në plate. Më pak e dëmshmja gjë që ka ndodhur është kjo e Blushit, pasi të paktën këto kohë na dha një roman shumë të mirë dhe një debat që na bën mirë.
Kurse Lulzim Basha, për të cilën shumëkush mendon se koha punon për të, në fakt ndodhet edhe ai në një rol të panatyrshëm. Në vend që ta zhvillonte personalitetin e tij politik, ai ia ka lënë gjithçka pritjes, duke investuar gjithçka tek raportet e tij të mira me kryeministrin. A do t’i mjaftojnë?
Erion Veliaj, i cili pas aventurës parapolitike te MJAFT, është në të drejtën e vet për nisur aventurën politike të G99, momenti aktual politik e ka vendosur paksa në një pozitë ngërçi. Peizazhi politik i opozitës së majtë, me një PS që është në marrëveshje me kryeministrin Berisha, me një LSI që akuzon PS-në se po shet interesat e opozitës dhe kërkon të pyeten qytetarët në referendum, Erion Veliajt i janë lidhur paksa dy duart. Njeriu që donte pjesëmarrjen e qytetarëve dhe për kazanët e plehrave e ka sot të vështirë të mbështesë referendumin hapur. As ta hedhë poshtë hapur.
Nuk mund të mos lëmë pa përmendur dhe dy aktorë të tjerë: kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe ish–kryeministrin Pandeli Majko. Këta të dy nuk i nënshtrohen kësaj paradigme që ngre ky shkrim: aksioni i tyre ka qenë gjithnjë nën nivelin e aksionit politik të Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›