E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e buron lirinë e ndërgjegjes?

Përhapja e internetit, survejimi elektronik, pronësia e gjeneve? Cilësia e qeverisjes? Numri i alternativave e aftësia e individit për të zgjedhur mes tyre? Niveli i zhvillimit të forcave prodhuese? Marrëdhëniet e individit me shoqërinë civile dhe klasën politike?... Dhe pyetje të kësaj natyre të lindin sidomos kur është fjala për lirinë në tërësi e të lirisë politike të ndërgjegjes në veçanti, që janë edhe objekti i këtyre radhëve. Shtrohet pyetja:

1. Është në hapësirën e vet, liria politike e vetëdijes?

Në tërësi, do të thosha Po. E mbështes këtë tezë me faktin se në fund të shekullit të 20-të edhe ne shqiptarët e thyem diktaturën, monizmin dhe mbi këto themele vendosëm shoqërinë e re pluraliste e demokratike. Ne më të moshuarit në raport me të rinjtë e ndjejmë këtë hap cilësor që ka bërë liria në tërësi e liria e ndërgjegjes në veçanti. E ndjejmë se nuk kemi frikë e ndrojtje, nuk i vëmë "kyçin" ndërgjegjes kur kritikojmë kryeministrin, presidentin, kryetarin e partisë, ministrat e deri kryetarët e bashkive…E ndjejmë në fushata elektorale përpara kutisë së votimit... Por e ka krijuar hapësirën e vet liria në vetëdijen tonë? Mendoj se, plotësisht, ende jo. Le t'u qasemi fushatave elektorale. Në pamje të parë çdo gjë të duket sikur ecën qetë e qetë, pa probleme e kontradikta. Vijnë partitë, individët, liderët, shtrojnë alternativa me zgjidhjen e problemeve e të kontradiktave me kapërcimin e pengesave, kaq sa të duket sikur çdo gjë nesër do të jetë si jo më mirë. Mirëpo, janë alternativat alternativa? Ka mundësi që unë si qytetar të zgjedh njërën prej tyre?

Kjo se liria e vetëdijes varet sa nga numri i alternativave, aq edhe nga mundësia e zgjedhjes së njërës prej tyre. Dhe politika, p.sh., nga vetë natyra e saj, nga marrëdhëniet që ka me shoqërinë buron e nxit interesa te një numër më i madh njerëzish; se nga politika, nga klasa politike qeverisëse, qytetarit i burojnë ose i shteren të drejta që kanë të bëjnë me jetën, pasurinë, votën, vendimmarrjen, arsimin, shëndetin... Dhe në këtë rast, mund të jesh i lirë apo i penguar, i ndritshëm apo i errësuar, aktiv apo pasiv në rrokjen apo në kundërshtimin e alternativave që shtrohen e në zgjidhjet që parashtrohen. Por sa është e prirë vetëdija ta rroki e ta bëjë pjesë të saj një alternativë? Kjo varet nga shkalla e lirisë e nga hapësira që ajo zë në vetëdije. Liria i zgjeron kufijtë e saj, kur individët, grupet shoqërore, shoqëria civile në tërësi, kanë mësuar mirë mjeshtërinë e të lexuarit të realitetit; kur sendet, fenomenet, prirjet e tendencat i shohim sa në marrëdhënie mes tyre, aq edhe në një kohë të dhënë. Si rrjedhojë, nuk mund të bësh fjalë për liri të vetëdijes, tek ata që shohin në ëndërr një monark apo një diktator.

2. Sa varet liria e vetëdijes sonë nga alternativat dhe zgjedhjet e tyre?

Pohimi se atje ku mungojnë alternativat e zgjedhjet e tyre, nuk mund të bëhet fjalë për liri të ndërgjegjes politike, më duket i saktë. Kjo, se "liria e dikujt, varet nga numri i alternativave që shtrohen para tij/saj dhe nga aftësia e tij/saj për të zgjedhur mes tyre" (David Miller, "Filozofia politike" faqe 74). Këtej shtrohet pyetja: Ka parti pa alternativa? Sa është e aftë vetëdija jonë për të zgjedhur këtë apo atë alternativë?... Në këtë kuptim, kur flasim për alternativa e për zgjedhjen e tyre natyrshëm është fjala për pluripartitizëm e për pluriprograme nga ku burojnë edhe alternativat. Ndryshe te një parti e vetme, siç është rasti i partisë-shtet, nuk bëhet fjalë për zgjedhje. Është kjo arsyeja qënocioni liri ndërgjegjeje ka hapësirë vetëm në shoqëritë pluraliste, e, tek ne pas viteve '90 me daljen në skenë të PD-së, PS-së, PR-së, PSD-së e të partive të tjera. Sot, 15 parti të tilla janë vetëm parlamentare. Dhe prirja për lindje partish, me programe e alternative të qarta e të dallueshme nga njëra-tjetra është pozitive. Por ka parti, mes tyre edhe parlamentare, që u ka mbetur vetëm emri, që s'dinë as vetë se ç'janë, pa programe e pa alternativa. Ndaj, edhe mua si qytetar, në këtë "pyll" partish me vështirësohet zgjedhja e kësaj apo asaj alternative; madje ndonjëherë me vështirësi dalloj alternativat e majta nga të djathtat. Kjo se alternativat që dalin nga zyrat e nga penat e stërvitura, që dinë vetëm të tjerrin mirë frazën, por që janë analfabetë kur lexojnë realitetin, në thelb e në përmbajtje ato nuk janë të tilla. Në shumë raste nuk di se me kë të ballafaqohesh, me alternativat e majta apo të djathta; me kandidatët e komunës, të bashkisë, apo me parlamentarët e ardhshëm.

Alternativat në tërësi pasqyrojnë problemet e punësimit, të pronës, të luftës kundër varfërisë, krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit, me të ardhmen e turizmit, të bujqësisë e të ekonomisë në tërësi...; zgjedhja e njërës prej tyre në këto raste i krijon vështirësi qytetarit. Kjo se ka rendje pas sasisë, pas premtimeve boshe e jo pas zgjidhjeve cilësore. Dhe "cilësia e zgjedhjeve është e rëndësishme…se mundësia për të zgjedhur mes dy punëve të mira na jep më tepër liri sesa 10 alternativa punështë pakëndshme, veçanërisht kur ndryshimet mes tyre janë të papërfillshme", (David Miller, "Filozofia politike", faqe 75).

Liria e zgjedhjes kërkon, para së gjithash, arritjen te e vërteta. Këtë gjë e kërkon koha, sejetojmë në një botë që hapësira të veçanta të vetëdijes, sidomos politika, janë në terr. Sot, p.sh., marrëdhëniet mes forcave politike, madje dhe mes atyre që kanë natyrë të përafërt, segmente të veçanta janë në acar. Ato me vështirësi bashkëpunojnë për probleme të mëdha, për reforma e për strategji kombëtare; dhe këtu, pa mëdyshje, kërkohet të operosh me të vërtetën. Kjo se opozita nuk duhet të thotë "JO" për gjithçka e për çdo gjë; nuk duhet të shkatërrojë çdo lidhje; në emër të popullit, të mos bjerë në populizëm.

Një opozitë konstruktive që është në kërkim të së vërtetës e të jetës reale të qytetareve të saj, siç po vepron PS-ja dhe lideri i saj, duke shkelur çdo hapësirë të Shqipërisë, arrin edhe konsensusin me kundërshtarin, por edhe e kritikon ashpër atë, madje i kërkon edhe dorëheqje kur është e nevojshme; i jep edhe dorën në fatkeqësi, por thellohet e kërkon edhe shkaqet e asaj ndodhie; kritikon ashpër, por sugjeron edhe masa konkrete për të "shëruar" gjendjen. Ndërsa opozita ekstremiste që nuk pajtohet me gjithçka, e quan mëkat edhenjë konsensus të domosdoshëm, siç ishte rasti i reformës zgjedhore. LSI, që ëndërron lidershipin e së majtës, shtrembëron të vërtetën kur pohon se PS-ja po i zgjat jetën PD-së e Berishës, se PS-së po i "shuhen" prirjet opozitare, se i ka kthyer krahët Kushtetutës, se...

Por të vërtetën nuk e ka monopol, LSI-ja e lideri i saj, ajo nuk është monopol i askujt, por i atyre që rendin në kërkim të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›