E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet rekord, buka merr 110 mln USD shtesë

Rritja e ndjeshme e çmimit të drithërave ka ulur importin në sasi, ndërsa shtesa në shpenzime shkon 110 milionë dollarë

Rusia mbetet furnizuesi kryesor i vendit me drithëra, duke zënë 60 mln dollarë në importet e drithit

Çmimet e grurit janë ato që kanë pësuar edhe rritjen më të madhe gjatë vitit të kaluar, duke u reflektuar gjerësisht në çmimin e bukës në treg dhe të miellit. Rritja e çmimeve të grurit në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2007 bëri që importet e këtij produkti në volum të shkonin në 73.8 milionë dollarë, nga 38.7 milionë dollarë që ishin në vitin 2006.

Gjatë vitit 2007 ka patur një orientim të dukshëm të importeve shqiptare të drithërave nga Rusia. Sipas të dhënave të ACIT rreth 55 për qind e importeve totale të kësaj kategorie, që në vlerë shkojnë në 60 milionë dollarë, kanë patur për vend origjine Rusinë

Rritja galoponte e çmimeve të drithërave ka frenuar importet përsa i përket sasisë së tyre, ndërsa në vlerë kemi një rritje të ndjeshme, që për vitin 2007 shkon në rreth 52 për qind. Të dhënat bëhen publike nga Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT). Rritja e çmimeve në këtë treg u ka kushtuar xhepave të shqiptarëve 110 milionë dollarë për vitin 2007, ndërsa importet në sasi kanë patur një rënie të lehtë, me rreth 0.3 për qind. Çmimet e grurit janë ato që kanë pësuar edhe rritjen më të madhe gjatë vitit të kaluar, duke u reflektuar gjerësisht në çmimin e bukës në treg dhe të miellit. Rritja e çmimeve të grurit në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2007 bëri që importet e këtij produkti në volum të shkonin në 73.8 milionë dollarë, nga 38.7 milionë dollarë që ishin në vitin 2006. Rritja në vlerë llogaritet në 90 për qind, duke mbartur edhe koston shtesë që ka rënduar mbi xhepat e konsumatorëve. Rritja në vlerë, është tepër e lartë nëse e krahasojmë me sasinë e grurit që është importuar. Sipas të dhënave të ACIT gjatë vitit 2007 janë importuar 282 293 ton, nga 244 092 ton që ishte importuar në vitin 2006. Rritja në sasinë e importit të grurit gjatë këtij viti, ka rezultuar me 16 për qind në vitin 2007, ndërsa për shkak të çmimeve të larta në vlerë, rritja kalon 90 për qind.

Rusia, vendi nga importohet drithi

Gjatë vitit 2007 ka patur një orientim të dukshëm të importeve shqiptare të drithërave nga Rusia. Sipas të dhënave të ACIT rreth 55 për qind e importeve totale të kësaj kategorie, që në vlerë shkojnë në 60 milionë dollarë, kanë patur për vend origjine Rusinë. Vendet nga të cilat është importuar pjesa tjetër e drithërave janë Egjipti, Ukraina, Serbia dhe Mali i Zi. Por në vitin 2007 ka patur një ndryshim të ndjeshëm përsa i përket orientimin të tregut drejt Rusisë. Importet nga Rusia kanë pësuar një rritje me 95 për qind, duke e bërë këtë vend edhe furnizuesin kryesor për drithërat.

Çmimet në Shqipëri

Në mars të këtij viti, çmimet e drithit në Shqipëri pësuan një rritje prej 31%, sipas të dhënave të INSTAT, me bazë vjetore. Rritja e çmimit në Shqipëri qe së paku sa një e treta e rritjes në tregun ndërkombëtar dhe ekspertët mendojnë se këtu ka një defekt në mënyrën e matjes së inflacionit në Shqipëri. Gjatë dhjetorit të vitit të kaluar dhe janarit të këtij viti, kompanitë e prodhimit të bukës bënë presion dhe arritën të rrisin çmimin deri në 100 lekë për bukën standard 800 gramë. Çmimet u zbutën sërish në 80 lekë për bukën më të konsumuar në vend, por u vërejt në shumë raste edhe ulja e gramaturës në 700 gramë, gjë që e bën rritjen reale të çmimit të bukës me bazë vjetore së paku 64%. Shqipëria arrin të prodhojë më pak se një të tretën e drithit të konsumuar në vend, por drithi i prodhimit vendës nuk del në treg, për pasojë, as nuk ndikon në çmimin e tregut. Shqipëria konsumon rreth 60 milionë euro grurë në vit. Por, sipas të dhënave të bëra publike nga vetë prodhuesit e bukës, një pjesë e madhe e kostos së rritur të bukës është e fshehur, pasi një pjesë e mirë e furrave që punojnë në të zezë, shesin bukë nën peshën standarde. Këto furra që punojnë jashtë të gjitha kritereve teknike, realizojnë shitjen e bukës në dyqane të ndryshme, duke shkelur haptazi një rregullore të vendosur vetëm pak muaj më parë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Sipas kësaj rregulloreje, ndalohet shitja e bukës në dyqane me mallrat e tjerë dhe ndalohet tregtimi i saj pa qenë e ambalazhuar me material prej letre, ku të jepen shpjegime edhe për prodhuesin e këtij produkti. Sipas Ministrisë së Bujqësisë janë rreth 80% e njësive tregtare ushqimore, në të gjithë vendin, që shesin artikullin "bukë" në dyqanet e tyre, ndërkohë që janë të destinuara për tregti mix të ushqimeve, fruta-perimeve apo dhe bulmetra. Specialistët e bujqësisë shprehen se kjo masë merr vlera akoma më aktuale, për vetë faktin e abuzimit që po ndjen tregu dhe konsumatori, në rritjen artificiale të çmimit të bukës në vend nga tregtarët dhe prodhuesit. Vendosja e kësaj rregulloreje, që deri më tani nuk ka mundur që të zbatohet në asnjë dyqan shitjeje, është në kuadrin e forcimit të kontrollit higjieno-sanitar të tregtimit të ushqimeve në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›