Konfindustria: Gjobat, parapagimi nuk është hequr
Biznesi deklaron se detyrimi, duke qenë i paprovuar, është gjobë e mirëfilltë
Bizneset bëjnë të ditur se ndaj tyre janë vendosur gjoba në vlera të mëdha, që vijnë kryesisht për shkak të sistemit të referencave të vendosura nga qeveria. Me anë të disa vendimeve në vazhdimësi, qeveria ka vendosur pagat dhe çmimet e faktorëve të prodhimit si dhe të produkteve përfundimtare, duke caktuar në këtë mënyrë të gjithë aktivitetin e biznesit. Janë pikërisht ato biznese që kanë deklaruar situatën reale në treg, mbi të cilat kanë rënduar edhe gjobat nga organet e fiskut.
Biznesi ka vazhduar që të kërkojë abrogimin e ligjit që detyron sipërmarrjen të paguajë detyrimet e nxjerra nga ana e tatimorëve në parapagim. Kërkesa vjen në një kohë që ligji është duke u diskutuar në Kuvend, duke qenë pjesë e Ligjit të Procedurave Tatimore. Bizneset e grupuara në Konfindustria bëjnë të ditur lidhur me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e nenit përkatës të Ligjit të Gjobave, se akti në fjalë nuk jep praktikisht asnjë lehtësim praktik për biznesin, në përballjen e tij me institucionet e fiskut. Përfundimi nga ky akt del pasi biznesi, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të fituar të drejtën e natyrshme të ankimimit në gjykatë për pretendimet e pavërtetuara të institucioneve të fiskut, i duhet të paguajë paraprakisht detyrimin e pretenduar dhe të pavërtetuar nga një trupë asnjanëse e pavarur gjyqësore. Kjo do të thotë se në praktikë, gjendja nuk ndryshon, me përjashtim të një lehtësimi mjaft të vogël financiar për biznesin, që në çdo rast do t'i duhet të paguajë detyrimin e pretenduar të institucioneve fiskale. Detyrim që, duke qenë i paprovuar, është "gjobë" e mirëfillte. Duke marrë si shembull vendet anëtare të BE-së, duhet që të ndërtohet dhe të fillojë sa më shpejt punën Gjykata Administrative, e pavarur nga ekzekutivi dhe profesionale, që do të duhet të gjykojë dhe të japi vendimin për përballjet biznes-shtet. Konfindustria bën të ditur se nga anëtarët e saj, rezulton se ka gjobitje të të gjitha madhësive për biznesin nga institucionet e fiskut, që e kanë burimin pikërisht nga sistemi i referencave të paravendosura nga ekzekutivi, në mjaft raste, krejtësisht të ndryshme nga gjendja e vërtetë në treg. Bizneset bëjnë të ditur se nëse nuk ndërmerren lëvizjet e duhura ligjore dhe institucionale për parandalim, gjendja mund të vijë duke u rënduar tashmë, që është edhe periudha e vlerësimit të bilanceve të vitit financiar.