E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godet Dell

Ambasadori i SHBA’ve, Christopher Dell, tha se pajtimi për përfaqësim në iniciativat rajonale është në favor të Kosovës, pasi Rezoluta 1244 është e vdekur. Në këtë mënyrë shkurtohet edhe rruga e Kosovës drejt BE’së më së paku për 5 vjet. Diplomati amerikan ka ritheksuar se vendi i tij është vend mik i Kosovës dhe nuk lejon të dëmtohet sovraniteti i saj. Dell është shfaqur kritik edhe ndaj LDK’së, duke thënë se po kjo parti po radhitet me parti antiamerikane dhe antieuropiane.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, ka deklaruar se pajtimi për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale është në favor të Kosovës, derisa kritikoi ashpër kundërshtarët. Ai ka ripërsëritur se Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë kurrë nga Kosova të bëjë diçka që do të dëmtojë sovranitetin e saj, pavarësinë apo tërësinë e saj tokësore.

“Mendoj se në pikëpamje afatgjate, shënimi (fusnota) do të jetë e tillë në histori. Me fjalë të tjera, nuk është çështja kryesore, është e parëndësishme. Çështja e rëndësishme është se Kosova do të jetë anëtare e organizatave, do ta përfaqësojë vetveten me të drejtën e saj dhe përfaqësuesit e popullit të Kosovës do të jenë të pranishëm në të gjitha forumet rajonale duke u përkujdesur për interesat e vendit”, ka thënë ai për Zërin e Amerikës.

“E di se shumë skeptikë, shumë të ashtuquajtur intelektualë dhe analistë mendojnë se kjo e kurthon Kosovën në njëfarë getoje në të ardhmen. Ata e kanë shumë gabim. Ajo që do të ndodhë është se kjo do të hapë rrugën e ardhmërisë evropiane të Kosovës për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet tregtare dhe mbase edhe për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.

Dell ka thënë se me këtë Kosova ka lëvizur edhe drejt BE’së.

“Pikëpamja ime është se nëse Bashkimi Europian, unë nuk i përfaqësojë vendet e BE-së dhe nuk pretendoj të flas në emër të tyre, por nëse Kosovës i është ofruar studimi i fizibilitetit që çon drejt marrëveshjes për stabilizim – asociim, mendoj se keni lëvizur konkretisht në rrugën evropiane për të paktën pesë vjet më shpejt nga sa do të ishit në rrugë të tjera. Nëse e marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave brenda disa javësh, jam i sigurt se do të ecni përpara për të paktën 12 deri në 18 muaj më shpejt sesa që do të përparonit në të kundërtën”, ka theksuar ai.

Ambasadori amerikan po ashtu ka theksuar se shtetësia e Kosovës forcohet nëpërmjet ushtrimit të shtetësisë e jo duke u mbështjellë me flamur e duke thënë unë jam Kosova, jam i lirë.

“Jo. Ju e fitoni shtetësinë duke punuar për të. Ju e fitoni shtetin duke e ndërtuar atë. Ju e fitoni vendin në komunitetin ndërkombëtar duke punuar për të dhe duke punuar me të tjerët. Jo duke qëndruar ulur në shtëpi, duke pirë kafe në ndërtesën e Parlamentit dhe duke folur për simbole dhe formula të pakuptimta. Kemi parë komente të mira nga analistë ndërkombëtarë, të cilët vërejnë se për arsye krejt praktike, Rezoluta 1244 është e vdekur”, ka thënë Dell.

“Ajo është në libra, sepse vende të caktuara që kanë të drejtë vetoje në Kombet e Bashkuara nuk duan të lejojnë largimin e saj nga librat. Por, në pikëpamje praktike, nuk ka kuptim. Dhe këtu qëndron rëndësia e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të para një viti e gjysmë, se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244, që nuk ka asgjë të paligjshme në pavarësinë e Kosovës. Kuptimi i saj është se Rezoluta 1244 nuk ka më vlerë”, ka shtuar ai.

Dell ka thënë se tashmë dihen partitë që kanë ngrirë qëndrimet kundër rrugës europiane të Kosovës dhe kundër marrëdhënieve më të mira me Serbinë, si dhe kundër përmirësimit të mundësive për bujqit dhe afaristët e Kosovës.

“Mend se Lidhja Demokratike e Kosovës po bën gabim historik si parti. Kjo është parti, që në kohën kur drejtohej nga dr. Rugova ishte pjesë e plotë e të gjitha proceseve që ndihmuan Kosovën të fitojë pavarësinë, përfshirë negociatat në Vjenë dhe pranimin e planit të Ahtisaarit. Ajo çka shohim sot është një prapakthim, ku Lidhja Demokratike po e radhit, për fat të keq, vetveten me partitë që janë antiamerikane dhe antieuropiane. Nuk di si ta shpjegoj këtë, përveç që kryetari Mustafa është këshilluar shumë keq nga ish ministri i jashtëm, i cili duket se mendon që duke lënë çështjen e simboleve të ngadhënjejë..., ai di më mirë, ai e di se kjo është një lojë politike për t’i shërbyer partisë si parti në opozitë sesa të bëhen përpjekje serioze për të punuar për interesat e vendit në tërësi.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe mbështetjen e sekretares amerikane të Shtetit.

“Nuk duhet të më intervistoni që të jeni të sigurt për këtë. Hiq më pak, por vetë sekretarja Clinton i tha kryeministrit në një bisedë telefonike dhe këtë e lexova sot në mëngjes në telegramin nga Washingtoni, se Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë kurrë nga Kosova të bëjë diçka që do të dëmtojë sovranitetin e saj, pavarësinë apo tërësinë e saj tokësore. Ne kemi qenë miqtë tuaj, kemi qenë më ju para luftës, gjatë luftës dhe gjatë pavarësimit. Nuk duhet të shpenzoj shumë kohë për të bindur popullin e Kosovës se Amerika është miku i tyre dhe që gjithmonë do të jemi në anën tuaj, do të jemi në krah duke u përkujdesur për interesin tuaj. Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në këtë apo se kjo do të ndryshojë”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›