Godina, Kule pezullon mësimin tek Juridiku
Tiranë-Studentët e fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës janë pa mësim. Shkak është bërë godina e këtij fakuylteti që është në rrezik shembjeje pas plasaritjeve të marra nga ndërtimi pa cilësi i fakultetit tjetër ngjitur me të, a i Shkencave Sociale.
Studentët e Drejtësisë kanë ndërrmarrë masën ekstreme, në shenjë proteste ndaj situatës së krijuar në godinën ku ata ndjekin studimet. Pasi kanë pezulluar për një orë leksionet, të premten e kaluar 1350 studentë që ndjekin studimet në këtë fakultet kanë vendosur që të bojkotojnë mësimin pa afat, deri në zgjidhjen e problemit.
Vendimit të studentëve i janë bashkuar ditët e fundit edhe pedagogë të fakultetit, të cilët kanë përkrahur bojkotin si mjet i domosdoshëm për të bërë të mundur lëvizjen e instancave përkatëse përgjegjëse. Për situatën e krijuar në Fakultetin Juridik, vetëm pak ditë më parë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka vënë në dijeni edhe kryeministrin Sali Berisha.
Në shkresën, e cila mban datën 13 nëntor 2008, rektori Kule kërkon ndihmën e kreut të Këshillit të Ministrave, për të ndërhyrë pranë Prokurorisë së Tiranës për të bërë të mundur në këtë rast përshpejtimin e aktit të ekspertimit të ndërrmarrë nga ky organ në godinën e Drejtësisë.
Problemet në godinën e Drejtësisë u konstatun muaj më parë kur u vunë re ccarje të murit në sallat e katit të parë. Ekspertët kanë konstatuar se problemet kanë ardhur pas ndërtimit të godinës së Fakultetit të Shkencave Sociale, 8 vite më parë.