E Diel, 1 Nëntor 2026

Refik Halili, "çek të bardhë" për Tiranën

Problemet mes donatorëve nuk do të ndikojnë te financat. Gjithçka do të sqarohet brenda pak ditëve

Që nga muaji korrik, Tirana është sponsorizuar jo më nga katër, por nga tre donatorë. Pak a shumë dihej edhe më parë që Lutfi Nuri, një nga donatorët e Tiranës, nuk ka pranuar ta financojë skuadrën bardheblu për shkak të mosmarrëveshjeve me Refik Halilin për mënyrën e drejtimit të Tiranës, por këto mosmarrëveshje nuk do të ndikojnë te financat e shëndosha të klubit. Këtë e ka pohuar vetë presidenti Halili në Televizionin Shqiptar, në një emision sportiv, teksa ka sqaruar marrëdhëniet e krisura mes donatorëve gjatë sezonit të ri futbollistik. Halili ka siguruar se, pavarësisht këtyre problemeve, Tirana do të ketë mbështetje të plotë financiare dhe se futbollistët, stafi teknik dhe drejtues, por gjithashtu edhe tifozët, nuk duhet të shqetësohen aspak në këtë drejtim.

Fondi i miratuar, i paprekshëm

Në fillim të çdo sezoni, donatorët miratojnë fondin e parave që do të vihet në dispozicion të klubit, por, që nga muaji korrik, vetëm tre nga donatorët, pikërisht Refik Halili, Shefikat Ngjela dhe Agron Papuli, kanë dhënë pjesën e tyre të këtij fondi, ndërsa Lutfi Nuri nuk ka pranuar ta firmosë kontratën. Në fakt, Nuri e ka bërë të ditur për mediat vendimin e tij kohë më parë, madje duke kërkuar që çdo donator, për kohën që do të jetë president, duhet ta sigurojë i vetëm mbështetjen financiare. "Fakti është që një nga donatorët, pikërisht Nuri nuk ka pranuar ta firmosë kontratën, megjithëse i është dërguar disa herë për ta firmosur, megjithatë duhet t'i siguroj të gjithë tifozët se asgjë nuk do të ndryshojë në financat e Tiranës. Madje duhet të them se futbollistët dhe stafi e dinë shumë mirë se kontratat do të zbatohen me përpikëri. Unë dua që donatorët të jenë të gjithë të bashkuar, sepse është në interes të të gjithëve të jemi të bashkuar," - është shprehur Halili. Pavarësisht krisjeve të muajve të fundit, ajo që u intereson më shumë tfiozëve dhe skuadrës bardheblu është mbështetja e sigurt financiare, të cilën Halili as që e vë në diskutim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›