E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godina e Muzeut Historik në qytetin e Vlorës në rikonstruksion

Godina e Muzeut Historik në qytetin e Vlorës, e ndërtuar në periudhën 1918-1922, të shekullit të kaluar, i është nënshtruar kohët e fundit rikonstruksionit falë një fondi prej 9 milionë lekë, të dhëna nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. "Projekti parashikon rikonstruksionin e mjediseve të brendshme të godinës, restaurimin e fasadës së saj, realizimin e hidroizolimit, modernizimin e sistemit të ndriçimit, zëvendësimin e stendave ekzistuese me të tjera më funksionale etj", tha Drejtori i këtij muzeu, Skënder Spahiu. Sipas tij, projekti pritet të përfundojë brenda një periudhe 3-4 mujore, ndërkohë që ai synon të ridimensionojë jo vetëm vlerat e Muzeut Historik, por edhe ato të godinës ku është vendosur ai, që është një nga objektet më të vjetra në qytetin e Vlorës, e ndërtuar në periudhën 1918-1922, të shekullit të kaluar. Godina e ndodhur në qendër të qytetit është mjaft e veçantë për shkak të stilit të saj arkitekturor, që përbën një gërshetim të traditave qytetare në ndërtim dhe elementë të stilit barok. Fillimisht ajo ka shërbyer si godinë e bashkisë së qytetit të Vlorës dhe më pas për organizatat e masave deri në vitin 1962, kur u krijua Muzeu Historik. Këtu janë ekspozuar dhe ruhen qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që fillojnë me antikitetin dhe vazhdojnë me ditët tona. Mes tyre, përfshihen objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës, Olimpias(Mavrovë) e më tej, Kioninës(Kaninë). Në mjediset e këtij muzeu ndodhen gjithashtu objekte origjinale të periudhës së mesjetës, armë, sende luftëtarësh të njohur në histori. Në Muzeun Historik, ka një kënd të veçantë ku pasqyrohet kontributi i popullit të rrethit të Vlorës për shpalljen e pavarësisë. Në të ndodhen njëkohësisht edhe 2 pavione që evokojnë Luftën e Vlorës në 1920, si dhe Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924. Në këtë muze është vendosur edhe arkivoli origjinal, ku prehej trupi i patriotit Avni Rustemi, në momentin që u varros e deri në castin, kur u zbulua për t’u rivarrosur në të njëjtin vend. Projekti i rehabilitimit të godinës së Muzeut Historik, është pjesë e investimeve që po realizohen në ruajtjen e vlerave kulturore, historike e arkeologjike në qytetin dhe rrethin e Vlorës, me mbështetjen financiare të qeverisë. Pak muaj më parë, përfunduan projektet e rehabilitimit të godinave të Muzeut Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë dhe Muzeut Etnografik. Gjithashtu është në proces edhe një projekt i ngjashëm në Kullat e Dervish Aliut, në fshatin Dukat, 30 km në jug të qytetit të Vlorës. Ky objekt është një dëshmi e historisë së zonës në shekullin XIX, si dhe e traditave në ndërtim në këtë periudhë. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›