E Shtunë, 31 Tetor 2026

I riu grek, asnjë gjurmë në Devoll

• DEVOLL – Asnjë gjurmë e të riut grek nuk gjendet në territorin e Devollit. Këtë fakt e deklaroi mbrëmë shefi i komisariatit të policisë të rrethit kufitar, Artan Brahimllari.Deklarimi i tij erdhi pas një pune disaditore në kërkim të shtetasit grek, familja e të cilit pretendon se ka hyrë në tokën shqiptare. Burime policore kanë bërë të ditur se, prej gati dhjetë ditësh janë vënë në dijeni të dyshimit se 23-vjeçari Jorgo Tanos nga Follorina ka hyrë në vendin tonë në rrugë ilegale dhe se mund të jetë në familjen e një vajze shqiptare, e cila është e dashura e tij. Edhe pse informacioni i përcjellë nga familja Tanos dhe nga Policia Kufitare e shtetit grek ka qenë mjaft i pakët, policia shqiptare në rrethin e Devollit për mëse një javë rresht ka zhvilluar kërkime të çiftit. Eshtë bërë e ditur se vajza shqiptare e dashuruar me shtetasin grek është nga fshati Arrëz i Devollit të Sipërm. Nisur nga ky fakt policia e Devollit ka dërguar në këtë fshat të largët punonjësit e saj dhe pas kontakteve me banorë të zonës u konstatua se, gjatë dhjetë ditëve të fundit në fshat nuk ka shkuar asnjë shtetas grek. Komisariati i policisë Devoll, duke pasur parasysh dëshirën që kishte shprehur shtetasi grek për të vizituar vendin tonë ka përcjellë foton e Jorgo Tanos dhe informacionin rreth tij edhe në komisariate të tjera të vendit. Sipas familjarëve, i riu grek vuante nga sëmundja e epilepsisë.                                                   j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›