Ikjet e Kostës dhe morali i lidershipit të PS
• Dritan YlliTë gjithë duhet të jenë habitur shumë, kur dëgjuan sharje dhe fyerje të dala nga goja e një prej eksponentëve të lidershipit të PS, kundër deputetit tashmë të PDK-së, Hamit Kosta. Habia e tyre është krejtësisht e justifikuar. Të gjithë e mbajnë mend mirë ceremoninë e shumëpritur të pranimit të z.Kosta në radhët e PS-së, pasi u largua nga PDS e Milos. Madje, njerëzit kujtojnë edhe vlerësimin që iu bë lëvizjes së tij nga PDS, në një PS që po përpiqej të ngjizte politikën e re, duke “vjedhur” deputetë!!. Fytyrat e ekzaltuara të lidershipit të PS, ndërsa Kosta merrte teserën e saj, demonstronin dukshëm rolin diversiv ndaj Milos dhe PDS. Por, nuk qe e thënë që lidershipi i PS, t’i gëzohej edhe aq shumë deputetit që “i vodhën” Milos. Populli thotë që mos u mundo t’i bësh të keqen tjetrit, se do ta pësosh vetë”. Hamit Kosta iku nga PS-ja dhe tashmë gjendet në një tjetër gji të ngrohtë, atë të PDK-së. Problemi nuk duhet kërkuar thjesht dhe vetëm te Kosta, por te kostoja që sjell politika e mbrapshtë e standardeve të dyfishta të lidershipit të PS-së. Nëse do t’i referoheshim aspektit retrospektiv, PS si iniciatore e sistemit të trafikimit të votës me Mega-Dushkun, menjëherë pas zgjedhjeve të korrikut 2005, duhet t’i kërkonte falje shqiptarëve, pasi kishte përgjegjësinë e devijimit të votës së tyre, të trafikimit të vullnetit të tyre. Por, ndërsa ky moral nuk u shpalos kurrë nga lidershipi i PS, etja për “trafik” sikur u shtua pas masakrës së Mega-Dushkut të 2005. PS e politikës së re, mikloi Hamit Kostën për të ikur nga PDS, me një qëllim të qartë që të linte pa grup parlamentar LSI dhe PDS, dy parti aleate. Lidershipi i PS e quajti këtë veprim të moralshëm atëherë, kur tani pas afro dy vitesh, largimin e Kostës nga PS tek PDK e quajnë të pamoralshëm. Kjo sjellje me standarde të dyfishta e drejtuesve të PS, tregon jo vetëm imoralitetin që i injektoi sistemit politik dhe parlamentit, por edhe në ç’gjendje të mjeruar është katandisur PS, që nuk mban dot as deputetet e grupit të saj parlamentar. Megjithatë, fenomeni Kosta është vetëm një rast konkret i sjelljes së paskrupullt me standarde të dyfishta të drejtuesve aktualë të PS. Ka plot raste të tjera, që tregojnë falsitetin dhe mungesën e koherencës së lidershipit aktual të PS-së, kundrejt partive të koalicionit dhe elektoratit të majtë në tërësi. Një tjetër mishërim i kësaj sjelljeje, është pandershmëria në marrëdhënie me aleatët. Ndërkohë që firmoste në pranverën e 2006, marrëveshjen me aleatët e majtë dhe përbetohej për realizimin sa më parë të Reformës Zgjedhore, sot Edi Rama ka bërë marrëveshje me Berishën, në kurriz të aleatëve të tij. Rama dikur linçonte Nanon për takimin e bërë me Berishën. Ai e konsideruar këtë të fundit tiran të votës së lirë. Kurse sot ai e pranon vetë publikisht se “çorbën” e sistemit të ri zgjedhor po e gatuan ai me Berishën. Ai që gjoja tregonte një vullnet të hekurt për bashkimin e të majtës, tashmë është arkitekti i shkatërrimit të koalicionit të majtë, duke filluar nga grupi i tij parlamentar. Sot Grupi parlamentar i PS është katandisur me gjashtë deputetë të përjashtuar, tre deputetë të ikur në parti të tjera majtas apo djathtas dhe disa të tjerë që vetëm formalisht vazhdojnë të jenë deputetë të kësaj partie. Këta të fundit për shkak të frustrimit, dhunës politike, autoritetit imponues dhe censurës, janë në kërkim të gjetjes së mjedisit politik që garanton bindjet dhe identitetin e tyre, sikurse edhe lirinë njëkohësisht. Ashtu si grupin parlamentar, nëpërmjet spekulimit me parimin “një anëtar-një votë”, ai arriti të shpërbëjë të gjitha strukturat organizative të partisë, duke i kthyer ata në artificiale dhe fantazmagorike. Me të njëjtin zell, kreu aktual i PS punoi për shkatërrimin e koalicionit të majtë, kur ky nuk i duhej më për qëllimet dhe interesat e tij të ngushta. Rama ka arritur të krijojë një frymë të pabesueshme lidershipi në PS, ku vlerat dhe solidariteti janë vetëm në funksion të qëllimeve të tij. Siç e ka përmendur një politikan vizionar, kreu aktual i PS do që të ketë një parti presidenciale, ku forumet të jenë në shërbim të ideve të tij, por nuk kanë asnjë vlerë për të prodhuar ide. Shqiptarët, që siç thotë vetë Rama janë të lodhur nga politika, nuk i besojnë më përrallat e politikës së re. Ata nuk gënjehen më nga montazhet me pasazhe të dhimbshme gjatë takimeve me popullin, kur në të njëjtat takime hallexhinjtë ofendohen me fjalët më të rënda. Presidenti i Francës, Sarkozi mori penalitete publike të pallogaritshme, në një moment kur ju përgjigj me fjalë fyese një fermeri, edhe pse ky i fundit e kishte ofenduar i pari. Sepse në politikën moderne perëndimore, nuk e pranojnë dot që një politikan i rëndësishëm, ndryshe të hiqet në kronikat e tv-ve dhe krejt ndryshe të sillet në jetën reale. Pikërisht këtë frymë të sjelljes me dy standarde Rama deshi ta instalonte edhe në koalicion. Me të njëjtat standarde të dyfishta Rama e përdori koalicionin e majtë të pesë partive, për të fituar dhe uzurpuar strukturat e PS-së. Në momentin kur mendoi se fitoi PS-në, largoi edhe Fatos Nanon, hyri në lidhje me Berishën për të shkatërruar koalicionin e majtë… Po le të kthehemi te Hamit Kosta. Ai sot gjendet në një parti të djathtë, duke marrë pas vetes edhe qindra vota të së majtës. Dhe për këtë nuk është përgjegjës vetëm ai, por më shumë politika e mbrapshtë e diversionit dhe e standardeve të dyfishta.