Helmi në gjimnaz, arrest ish-nxënësit
• Paniku i së enjtes në gjimnazin e Shijakut përfundon me një të arrestuar.SHIJAK/ OERD ULQINI Policia e Durrësit ka vendosur në pranga Renato Keçin, ish-nxënësin e gjimnazit “16 Shtatori” Renato Keçi, teksa ka lënë të lirë të shoqëruarin tjetër për ngjarjen, Eno Xhia. Fletëarresti për 18-vjeçarin Keçi është prerë dhe ekzekutuar nga blutë e Durrësit. Burimet saktësuan për gazetën se, i dyshuari kryesor për helmimin me gaz të ambienteve të shkollës së mesme është prangosur në banesën e tij, të ndodhur në lagjen “Kodër” të Shijakut. Sipas policisë, nuk ka dyshime se ka qenë vetë ish-nxënësi i kësaj shkolle Renato Keçi, ai që ka hedhur lëndën helmuese, në shenjë hakmarrjeje për përjashtimin nga gjimnazi disa muaj më parë. Në banesën e 18-vjeçarit Keçi, pas një kontrolli të detajuar, policia ka arritur të gjejë edhe njërën prej kutive të spray-t helmues, që u hodh në katin e tretë të shkollës “16 Shtatori”. Për sa i përket personit tjetër të ndaluar, policia e Durrësit nuk arriti dot të provonte fajësinë e tij, ndaj u la i lirë pas 12 orëve shoqërim. Ndërkohë që Policia Shkencore, e cila është marrë me analizimin e përbërësit, ka dalë në konkluzion se lënda toksike e përdorur nga Keçi, ka qenë neuroparalizuese. Mbi ish-nxënësin e “16 Shtatorit” rëndojnë veprat penale të “ndotjes së ajrit” dhe të “prishjes së qetësisë publike”. Ndërkohë që gjendja e tetë nxënëseve të shtruar menjëherë pas ngjarjes në spitalin e Shijakut është përmirësuar ndjeshëm. “Ato kanë qëndruar në spital vetëm katër orë dhe më pas nuk janë kthyer më. Kemi kontaktuar me to dhe me prindërit e tyre, nga ku kemi marrë konfirmimin se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, tha mjeku i qendrës shëndetësore të Shijakut, Fatmir Shahini. Ngjarja që alarmoi komisariatin e Shijakut dhe policinë e Durrësit nuk ishte gjë tjetër veçse një shaka “pa kripë”, përmes së cilës nxënësi i përjashtuar Renato Keçi synonte të hakmerrej për atë, të cilën ai e konsideroi si “një padrejtësi që e kishte bërë drejtoria dhe shkolla”. Në polici, pas një pyetësori të gjatë Keçi ka pranuar autorësinë e ngjarjes, duke deklaruar vetëm se, “ishte përpjekur të bënte shaka, pa i ditur as vetë efektet e insekticidit”. Ndërkohë nga Drejtoria e Shëndetit Parësor të Durrësit ka mbërritur përgjigjja se kampionët e gjakut të nxënësve të shtruar në spital kanë tregues normalë dhe nuk janë prekur nga gazi toksik. 1 personu cilësua fajtor për ngjarjen e ndodhur të enjten në shkollën e mesme “16 Shtatori”, ndërsa tjetri u la i lirë për mungesë provash si bashkëpunëtor 2 akuzarëndojnë mbi 18-vjeçarin Renato Keçi nga Shijaku, ish-nxënës i gjimnazit, ajo e prishjes së qetësisë publike dhe ndotjes së ajrit pas hedhjes së helmit