Berat, tregu industrial, shitësit përplasen me bashkinë për vendin
• BERAT – Tregtarët e Beratit përplasen me bashkinë për vendndodhjen e tregut të ri industrial.Urdhri për transferimin e tij nga qendra e qytetit në periferi, ka mbledhur 500 tregtarë që prej mëngjesit e djeshëm në derën e godinës së bashkisë. Ora 08:00 i ka gjetur ata duke protestuar, duke u nisur nga pjesa e tregut aktual, përgjatë rrugës që të çon në bashki e para ndërtesës së tij. Këtu reagimi i tyre është ashpërsuar, pasi kanë bllokuar derën e bashkisë dhe nuk kanë lejuar punonjësit e saj të hyjnë brenda. Në këto momente ka qenë Policia Bashkiake ajo që është përleshur me protestuesit, duke i larguar ata nga dera e bashkisë, në një distancë prej 5 metrash. Për 1 orë rresht, protestuesit kanë vazhduar të lëshojnë thirrje për realizimin e kërkesës që tregu të mos zhvendoset. Duke parë se situata nuk po qetësohej, vetë kryetari i Bashkisë, Fadil Nasufi, është takuar me protestuesit. Në fillim takimi është zhvilluar në ambientet e jashtme të godinës, aty ku ishin mbledhur tregtarët. Kur është parë se palët nuk po binin dakord mes tyre, kryebashkiaku Nasufi ka kërkuar që një grup përfaqësuesish nga protestuesit të zhvillonin një takim në zyrën e tij. Menjëherë është krijuar përfaqësia, kryesuar nga kryetari i sindikatës të tregtarëve, Xhevit Sulejmani. Gjatë takimit përfaqësuesit e tregtarëve janë shprehur se e shikojnë të padrejtë zbatimin e këtij urdhri për transferimin e tregut industrial nga qendra e qytetit në një ambient tjetër, në periferi të qytetit. Sipas tyre, zona e caktuar për zhvendosjen e tregut është pranë rrjedhjes së ujërave të zeza dhe grumbullimit të mbetjeve inerte. “Ne pranojmë të shpërngulemi nga qendra e qytetit vetëm nëse na gjendet një ambient i përshtatshëm për tregti”, u shpreh kryetari Sulejmani. Pas debateve është rënë dakord që urdhri i transferimit të pezullohet, derisa një tjetër vend të caktohet me miratimin e bashkisë dhe të vetë tregtarëve. d.xh