Rekomandimi i FMN: Kujdes me borxhin, mund ta pësoni si Greqia
Ervin KOÇI
“Shqipëria mund të pësojë të njëjtin fat si Greqia në rast se nuk i kushton vëmendjen e duhur reduktimit të borxhit publik”. Ka qenë ky krahasimi në linja të trashë që i ka bërë dje situatës ekonomiko-fiskale të vendit, përfaqësuesi i FMN-së, Gerwin Bell, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatorin e BSH-së, Ardian Fullani. Duke folur në lidhje me situatën ekonomike në vend dhe duke e vënë theksin tek rritja ekonomike për këtë vit dhe te reduktimi i borxhit nga ana e qeverisë, Bell, ka hequr një linjë paralele mis rastit të fqinjit tonë jugor, Greqisë dhe Shqipërisë, e cila rrezikon seriozisht realizimin e planeve dhe projekteve për këtë vit si pasojë e borxhit që po shtohet. Por pasoja që mund ti vijnë ekonomisë së vendit tonë nga thellimi i borxheve, edhe pse mund të jenë në përmasa shumë më të vogla se Greqia, përsëri të krahasuara me të ardhurat për frymë, si dhe buxhetin e shtetit, përsëri përbëjnë një dëm të parikuperueshëm për breza me radhë. Lidhur me këtë çështje, FMN-ja mendon se për qeverinë shqiptare ka ardhur koha “për të shtrënguar rripin”. Këtë sugjerim për qeverinë të veshur me togfjalëshin “program konservativ” e ka dhënë pikërisht FMN-ja duke kërkuar publikisht rishikim edhe një herë të buxhetit të vitit 2010.
Rishikimi i buxhetit
"Ndonëse menyja e ndërhyrjeve mund të jetë e gjerë si me ulje shpenzimesh apo rritje të ardhurash është e domosdoshme që politikat fiskale tani të tërhiqen. Mbështetja buxhetore ka qenë e rëndësishme, por tani koha është për kthesë në buxhet. Deficiti buxhetor brenda vitit duhet ulur në 3 për qind",- tha përfaqësues i FMN për Shqipërinë, Bell. Ai u shpreh më tej në lidhje me këtë çështje delikate se, parashikohet që rritja ekonomike në vitin 2010 të jetë 2-2.5 për qind, ndërsa rritja potenciale e ekonomisë do të marrë vrull vetëm në vitin 2015. Lidhur me aspektin e rritjes ekonomike, Bell bëri disa sugjerime. Sipas tij: “ekonomia shqiptare duhet të kalojë nga huamarrja për konsum në zgjerim të burimeve prodhuese, rritje të eksporteve dhe zëvendësim të importeve me eksporte. Kjo ndihmon në klimën e biznesit dhe mbrojtje për investitorët”. Gerwin Bell kryeson delegacionin e FMN-së në një vizitë 10-ditore në Shqipëri. Ai theksoi se, gjatë kësaj periudhe FMN-ja ka diskutuar me autoritetet shqiptare për ekonominë në vend, nga ku është vlerësuar si impresionues përballimi i krizës ekonomike.
Pasojat nga borxhi
Në rritjen e ulët ekonomike, sipas FMN-së ka ndikuar gjithashtu rënia e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve. Por sugjerimi konkret nga FMN është të ulet borxhi publik. “Borxhi rrezikon investimet. Deficiti buxhetor duhet të jetë jo më shumë se 3 për qind i PBB-së. Qeveria të rishikojë politikat buxhetore pasi për vitin 2009, deficiti buxhetor u rrit me 7 për qind. Buxheti ka nevojë të konsolidohet, duhet rregull fiskal i besueshëm”,- tha për gazetarët, Bell. Thellimi i borxhit publik mund ti sjellë ekonomisë së vendit mjaftë pasoja negative, duke goditur në mënyrë të drejtë për drejtë qytetarët. Të këtij mendimi janë edhe përfaqësuesit e FMN-së, që kanë thënë se në rast se qeveria nuk do të ndalë thellimin e borxhit, ajo do ti shpenzojë të gjitha paratë e programuara për rritje pagash dhe pensionesh pikërisht për shlyerjen e interesave të borxhit, të cilat do të rriten progresivisht. Po ashtu do të ketë edhe më pak para për investime publike, si në infrastrukturë, energjetikë, si dhe për të ulur papunësinë. Nga ana tjetër mungesa e të ardhurave të mjaftueshme në buxhet do të shoqërohet edhe me rritje taksash dhe tatimesh, të cilat do të varfërojnë më tej qytetarin taksapagues. Kësaj po ti shtojmë edhe pasojat e tjera të krizës si, varfërinë, rritjen e çmimeve të konsumit, kostos së jetesës dhe inflacionin, bën që gjatë këtij viti dhe atij pasardhës qytetari shqiptar të shpallë falimentimin.
Sistemi bankar
Sa i përket sistemit bankar, FMN-ë pasi e ka studiuar këtë sistemin shprehet se ka vërtetuar, se po rriten sërish dërgesat e emigrantëve. “Besimi në sektorin financiar është rikthyer dhe kjo reflektohet nga rritja e depozitave si dhe nga dërgesat e emigrantëve. FMN evidentoi se sistemi bankar gjatë krizës ekonomike hyri me rezerva dhe kapital të mjaftueshëm. Tani i duhet të përballojë e monitorojë situatën pasi rreziqe gjithmonë ka”,- tha Bell. Sipas tij, pritshmëritë për inflacionin mbeten të ankoruara mirë. Për vitin 2009, Bell tha se, FMN-ja evidentoi se pati një rënie të reflektuar tek remitancat dhe eksportet në vend. "FMN konstatoi se rritja ekonomike është në shifrat e 3 përqindëshit, ndërkohë që inflacioni në rritje përtej normës 3 për qind". Kurse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi se, sipas BSH janë ruajtur ekuilibrat e brendshëm financiarë. “Inflacioni pati luhatje nga 2-3 për qind, kurse rritja ekonomike u zbeh gjatë vitit 2009”. Sipas Fullanit, për të përballuar krizën në banka gjatë vitit 2009 u frenua kreditimi.
10 Mars 2010