E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: “Ministri Bode pranon rrokullimën e ekonomisë shqiptare”



Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, deklaroi dje se më në fund ministri i Financave pranoi koston e lartë të çmimeve për qytetarët shqiptarë. Ajo theksoi se qeveria nuk do të mund të keqpërdorte INSTAT-in për të fshehur rrokullimën që po merr ekonomia shqiptare. “Kjo flluskë sapuni, e krijuar me anë të një propagande të papërgjegjshme për çudirat ekonomike të Saliut e Ridvanit, ka plasur, ne e ftojmë kryeministrin e Ruzhdies që të pranojë publikisht dështimin e tij monumental ekonomik dhe t’u tregojë shqiptarëve se ç’masa është duke marrë qeveria e tij për të ndihmuar qytetarët e këtij vendi në këto kohë të vështira”, - tha Xhaçka. Duke iu referuar shifrave që publikoi dje INSTAT-i, Xhaçka tha se rritja vjetore e çmimeve për muajin shkurt është plot 4.4%, ndërkohë që vetëm në krahasim me muajin janar çmimet janë rritur me 1.1%. Ndërkaq, ajo tha se çmimi i energjisë i shtrenjtuar me 13.1%, çmimet e zarzavateve të rritura me 13.2% dhe lista e gjatë e rritjes së çmimeve të çdo produkti bazë po e rëndon në mënyrë të papërballueshme gjendjen ekonomike e financiare të familjeve shqiptare. “Këto të dhëna, deri diku abstrakte, në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse konfirmojnë në përqindje e presje dhjetore atë realitet konkret që qytetarët shqiptare e kanë ndjerë prej kohësh në xhepat e tyre: shqiptarët sot janë më të varfër, rritja e rrogave dhe pensioneve kurrsesi nuk mjafton për të përballuar shtrenjtimin e jetesës, numri i familjeve shqiptare që me vështirësi e shtyjnë deri në fund të muajit është rritur dhe situata sa vjen e po rëndohet më tej me çdo javë e muaj që kalon”, - u shpreh Xhaçka.

Lutaj: “Maxhoranca të distancohet nga aktet e dhunës në fshatin Ruzhdie”

Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Pirro Lutaj, ka dënuar me forcë aktin e shëmtuar kriminal që ka ndodhur në fshatin Ruzhdie. Lutaj deklaroi se një nga komisionerët e Partisë Demokratike ka dhunuar një simpatizant të Partisë Socialiste vetëm e vetëm sepse ky i fundit, sipas tij, kishte shprehur në media mendimin e tij mbi manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “I kërkoj kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike që të distancohen publikisht nga ky akt i shëmtuar i ndërmarrë nga një prej përfaqësuesve të kësaj force, që për më tepër është nën hetim për krimin e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në të kundërt, kemi arsye të dyshojmë se kryerja e këtij akti vetëm një ditë pas vizitës së Sokol Olldashit në atë zonë nuk është e rastësishme”, - tha Lutaj. Ai i ka kërkuar sërish Berishës që të heqë dorë nga gjuha e konfliktit dhe urrejtjes që kanë prodhuar deri tani shumë raste të rënda sulmesh, madje edhe atentatesh ndaj përfaqësuesve të Partisë Socialiste. “Prokuroria ka provën më të qartë se dhunuesi i votës së lirë që dhunon gjithashtu pa të keq e në mes të ditës një qytetar, nuk duhet të ketë më vend në liri, por vetëm përballë drejtësisë”, - u shpreh deputeti Lutaj.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›