Të enjten Kuvendi pret të miratojë Rezolutën për vizat, grupi i PS-së diskuton sot pjesëmarrjen në votim
Eneida Jaçaj
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të marrë pjesë në seancën e ardhshme të ditës së enjte, ku do të miratohet rezoluta e Partisë Demokratike për liberalizimin e vizave. Ditën e sotme janë mbledhur krerët më të lartë të PS-së,të cilët kanë vendosur që opozita të marrë pjesë në votimin e rezolutës. Vendimi i opozitës për të marrë pjesë të enjten në Kuvend do të bëhet publik pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist ditën e sotme. Ftesa e mazhorancës që opozita të merrte pjesë në votimin e rezolutës, dukej një manovër e saj për të thirrur opozitën në Parlament. Socialistët patën deklaruar ditë më parë se nuk do të merrnin pjesë në asnjë votim të projektligjeve, derisa të miratoheshin dy nismat ligjore të PS-së. Sipas PD-së, Rezoluta ka si synim që të nxisë Ekzekutivin dhe të gjitha institucionet e tjera që të përfshihen me të gjitha kapacitetet e mundshme për të ecur sa më shpejt në drejtim të liberalizimit të vizave. Mendohet se paraqitja e Rezolutës ditën e enjte përkon edhe me një tjetër zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Një ditë më pas, të premten e ardhshme, do ta vizitojë Shqipërinë drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pier Mirel, i cili do të drejtojë Komitetin e Stabilizim-Asocimit, organizëm që monitoron zbatimin e detyrimeve të Shqipërisë pas hyrjes në fuqi një vit më parë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Duke qenë se kriteret politike janë një nga shtyllat kryesore të kësaj marrëveshjeje, situata aktuale politike në vend pritet të jetë në fokusin kryesor të bisedimeve mes Brukselit dhe Tiranës zyrtare.
Votimi
Në seancën parlamentare të ditës së hënë, deputetët socialistë nuk votuan projektligjin për Gjykatën Administrative. Ishte e njëjta arsye për opozitarët; derisa të miratohen dy projektvendimet e PS-së, nuk do të marrin pjesë në votimin e asnjë projektligji në Kuvend. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka cilësuar mospjesëmarrjen në votim një përpjekje të opozitës për të penguar procesin integrues, pasi miratimi i projektligjit për Gjykatën Administrative është një kërkesë e ndërkombëtarëve. Por, me sa duket, Topalli dhe maxhoranca kërkon të spekulojë me opozitën. Nëse opozita nuk merr pjesë në miratimin e Rezolutës, maxhoranca do ta përdorë në favor të saj, me qëllimin se ata nuk janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe po pengojnë procesin.
Nisma
Partia Demokratike e ka konsideruar miratimin e kësaj rezolute në interesin e drejtpërdrejtë të çdo qytetari shqiptar. Sipas maxhorancës, Rezoluta ka për qëllim të inkurajojë Ekzekutivin dhe çdo agjenci tjetër të lidhur drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte me procesin, duke ftuar njëkohësisht çdo aktor politik dhe shtetëror që të përfshihet me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta në përmbushjen sa më të shpejtë të tij. Për PD-në, siç ajo thekson, liberalizimi i vizave nuk është thjesht një premtim i saj elektoral, por një objektiv i madh kombëtar, ndaj edhe ai ka nevojë për kontributin e gjithsecilit.
Zgjedhjet vendore, Lëvizja Socialiste për Integrim nis përgatitjet
Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, duke patur ne fokus rritjen e përfaqësimit të saj në nivel bashkish dhe komunash. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili konfirmoi edhe njëherë objektivat për të fituar 20 bashki, 100 komuna dhe 1500 këshilltarë. Për LSI zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jetë një test i rëndësishëm që do të konfirmojë, sipas Vasilit forcën e vërtetë të saj, ndërkohë që ai theksoi se ka ende kohë për të diskutuar për pozicionin dhe lëvizjet në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013. Sipas sekretarit të përgjithem të LSI-së, Petrit Vasili përgatitjet do të vijojnë në të gjithë vendin duke diskutuar dhe debatuar mbi problemet që shqetësojnë më shumë qytetarët.
10 Mars 2010