E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat në Parlamentin Europian për heqjen e vizave, Fajon mbështet Shqipërinë dhe Bosnjën



Eneida Jaçaj

Parlamenti Europian në Strasburg ka zhvilluar dje një debat lidhur me heqjen e regjimit të vizave për vendet e zonës “Shengen” për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës. Europarlamentarja Tanja Fajon ka kërkuar mënjanimin e çdo pengese në lidhje me liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Fajon është mbështetur nga eurokomisionerja për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom. Debati kishte në qendër diskutimin dhe ndryshimet në rregulloren për Konventën e zbatimit të Marrëveshjes “Shengen”, ndërsa eurokomisionerja për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom, ka rënë dakord për të mënjanuar çdo pengesë të panevojshme në lëvizjen e lirë. Gjatë ditës, çështja e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën ishte në qendër të takimit të europarlamentares Fajon me eurokomisionerin për Zgjerim, Shtefan Fule.
Basha
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, deklaroi dje për Radion “Europa e lirë” se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kriteret që përshkruhen në Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Basha garantoi se liberalizimi i vizave për Shqipërinë do të bëhet brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë “Berisha”, ku sipas tij i bie shtatori. “Në një numër të madh fushash, siç është siguria e kufirit apo siguria e dokumenteve në instalimin e sistemeve, në trajnimin e personelit, në performancën e suksesshme të realizimit të proceseve të reja të kontrollit kufitar, të prodhimit të dokumenteve të sigurta, ne kemi vendosur dhe po implementojmë standarde të njëjta me ato të Shengenit, apo disa edhe më të përparuara, që sot praktikohen vetëm në një numër të kufizuar vendesh”, - u shpreh ministri Basha.
Procedurat
Sipas ministrit Basha, janë procedurat burokratike ato që po vonojnë procesin e liberalizimit të vizave. Ai bëri të ditur se skuadra ekspertësh po përgatisin raportet e tyre dhe këto raporte do të përbëjnë bazën e raportit që Komisioni ua shpërndan vendeve anëtare. Më tej, tha Basha, vendet anëtare në formën e Këshillit të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, do të marrin vendimin për adoptimin e të njëjtit vendim, siç kanë marrë edhe me 3 vendet e tjera. “Ajo që Shqipëria po bën tani në forma të ndryshme, qoftë nëpërmjet aparatit diplomatik të Ministrisë së Jashtme, por edhe nëpërmjet aktorëve të tjerë në këtë proces, siç është Ministria e Brendshme, Ministria e Integrimit, nën lidershipin e kryeministrit, është një përpjekje në Bruksel për të mos vonuar procesin, e në veçanti ato hallkat e procesit që janë decizive tani, pra përgatitja e raportit nga ekspertët, përpilimi i raportit të përgjithshëm nga Komisioni dhe dërgimi i këtij raporti vendeve anëtare”, - tha Basha. Ministri Basha tha se raporti i Komisionit mund të jetë gati brenda mesit të prillit, që t’i lërë kohë të mjaftueshme Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian për të përmbyllur procesin e vendimmarrjes brenda presidencës spanjolle. “Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat për një fushatë informuese për publikun shqiptar, se ç’do të thotë liberalizim vizash – pra, është lëvizje me një regjim të liberalizuar pa viza në territoret ‘Shengen’, për një periudhë 90-ditore dhe që nuk jep të drejta të tjera, siç mund të jenë: punësimi apo e drejta e azilit”, - sqaroi Basha.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›