Godinat e reja të drejtësisë, Lamallari: Ruajtja e pavarësisë së drejtësisë, themel i shtetit demokratik

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë prezantimit të programit për konkursin ndërkombëtar për Qendrën e Drejtësisë, theksoi se sot pavarësia gjyqësore nuk është më thjesht një togfjalësh, por një realitet i prekshëm, ndryshe nga një dekadë më parë. Ai e cilësoi ndërtimin e polit të ri të godinave të sistemit të drejtësisë si një hap konkret në forcimin e institucioneve.
Në fjalën e tij, ministri u ndal te problematikat që kanë shoqëruar sistemin e drejtësisë në të kaluarën, si pabarazia para ligjit, pandëshkueshmëria e kthyer në kulturë dhe ndërhyrjet e politikës, pushtetit ekonomik apo edhe atij kriminal. Sipas tij, faktet dhe jo retorika dëshmojnë se sot drejtësia ndodhet në një fazë tjetër zhvillimi, duke e bërë të pakundërshtueshëm progresin e arritur.
“Sot pavarësia gjyqësore është jo vetëm togfjalëshi i evokuar por edhe i prekshëm për një të shkuar jo të largët. Të dominuar nga pabarazia endemike para ligjit, pandëshkueshmëria është shndërruar në kulturë dhe ndërhyrje flagrante të politikës pushtetit ekonomik dhe deri atij kriminal. Faktet dhe jo retorika jo më shumë se një dekadë më parë sot është një realitet i pakundërshtueshëm. Ruajtja e pavarësisë së drejtësisë është një përpjekje e vazhdueshme e cila qëndron në themel të një shteti demokratik dhe funksional”, u shpreh ministri,
Ai theksoi se një sistem gjyqësor është aq i pavarur sa është i drejtë, ndërsa standardi demokratik i ndërtuar duhet mbrojtur çdo ditë. Ministri nënvizoi se roli i politikëbërësve nuk është të ndikojnë në vendime gjyqësore apo çështje konkrete, por të garantojnë kuadrin ligjor, burimet financiare dhe kushtet e nevojshme që sistemi të funksionojë në mënyrë të pavarur.
Lamallari shtoi se lufta kundër pandëshkueshmërisë, trajtimi financiar i magjistratëve apo progresi në segmentin e drejtësisë nuk duhet të shërbejnë si justifikim për të fshehur mangësitë e tjera të sistemit.
“Një sistem gjyqësorë është aq i pavarur sa është i drejtë dhe standardi demokratik që kemi ndërtuar dhe që duhet ta mbrojmë çdo ditë. Nga ana tjetër roli ynë si politik bërës nuk është të ndikojmë në vendime gjyqësore apo çështje konkrete por të garantojmë kuadrin ligjor. Burimet financiare dhe kushtet që sistemet të funksionojnë të pavarur. Lufta kundër pandëshkueshmerisë, trajtimi financiar i magjistratit apo progresi i segmentit të drejtësisë nuk të shërbejnë si justifikim apo si perde për të fshehur pjesën tjetër të një sistemi të tërë. Sot shqiptarët nuk kërkojnë nga drejtësia gjëra të jashtëzakonshme por gjëra normale në çdo demokraci evropiane, të trajtohen me dinjitet, të dëgjohen pa paragjykim dhe të mos presin pa fund për një vendim që prek jetën apo pronën e tyre”, tha Lamallari.
/rtsh.al/