E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli: Të hapim kufijtë, unifikim të teksteve shkollore

22/03/2011  Presidenti i Kosovës, Pacolli, zhvillon vizitën e tij zyrtare në Tiranë

“Është e mbrapshtë ideja që të mos bisedojmë me Serbinë kur jemi në kohë paqe”

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, vizitën e tij të parë zyrtare si kryetar shteti në Tiranë e ka filluar me takimin që zhvilloi dje me homologun e tij shqiptar. Ai është pritur me ceremoni në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Të dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas drejtuan bisedimet zyrtare dypalëshe të delegacioneve shtetërore përkatëse. Në përfundim të këtyre bisedimeve dy presidentët dolën para përfaqësuesve të shumtë të medieve në një konferencë të përbashkët për shtyp. “Jam i emocionuar që vizitën e parë e bëj në Shqipëri, te shteti-mëmë, te miku im, dhe kjo do të thotë shumë për mua. Jam betuar që të punoj për Kosovën, qytetarin e Kosovës dhe kombin tim”, - është shprehur Pacolli. Më pas gjatë konferencës së shtypit dy krerët e shtetit u shprehën të mendimit se duhet të ketë një unifikim të standardeve në sektorë të caktuar, siç është ai i unifikimit të teksteve shkollore. Ndër të tjera të dy liderët vunë theksin te lëvizja e lirë mes dy vendeve, jo vetëm të njerëzve dhe mallrave, por dhe të ideve. “Të kemi lëvizje të lirë të ideve, unifikimin e teksteve shkollore, unifikimin e dokumentacioneve përcjellëse etj., etj. Këto forume insistoj që të ndodhin për arsye se ne duhet tia fillojmë tani. Tani duhet ta fillojmë punën. Jemi me vonesë”, - u shpreh Pacolli.

Dialogu me Serbinë

Duke folur për bisedimet me Serbinë, Pacolli theksoi se. kur gjuha e armëve pushon, duhet të jetë dialogu që duhet të ekzistojë mes dy vendeve fqinje. “Kosova ka nevojë të diskutojë me Serbinë, pasi humbësi ka qenë Kosova dhe humbja ka qenë e madhe”, - nënvizoi Pacolli, duke vijuar se “kur u larguan nga Kosova, ata morën paratë tona, pensionet tona, të ardhurat tona, ndaj bisedimet janë të nevojshme. Është e mbrapshtë ideja që të mos bisedojmë. Kemi shumë gjëra për të biseduar. Kur armët pushojnë, atëherë duhet të bisedohet. Asnjëherë nuk do të bisedohet për integritetin dhe kufijtë tanë. Çdo gjë tjetër që diskutohet është shumë e rëndësishme për vendin”, - tha kreu i shtetit të Kosovës. “E kemi pasur një gëzim të madh në fund të vitit që kaloi për lëvizjen e lirë, por kam shprehur brengën time që kjo nuk ndodhi edhe për Kosovën. Kosova nuk mund të mbetet e izoluar dhe kjo është në interesin e partnerëve që kjo të bëhet e vlefshme”, - e garantoi homologut të tij kosovar Presidenti Topi. Gjithashtu ai theksoi se Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. “Jam i bindur se bashkëpunimi ynë do të bëjë të mundur që Kosova të ketë reputacion të ri në të gjitha përpjekjet e përbashkëta dhe që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete. Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë në një të ardhme, si pjesë e Bashkimit Evropian”, - nënvizoi Topi.

Takimet

Gjatë vizitës së tij dyditore Pacolli zhvilloi dje takime të veçanta me personalitete të larta të shtetit dhe të politikës shqiptare. Ai zhvilloi një takim me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, si dhe mbajti një fjalim dje pasdite para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Më tej ai zhvilloi dhe një takim me kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama, ku në nder të tij i dhuroi “Çelësin e Qytetit”. Gjithashtu në kuadër të kësaj vizite presidentit të Kosovës do ti jepet titulli “Honoris Causa” nga një nga universitetet në kryeqytet dhe më pas do të zhvillojë një takim në Forumin e Biznesit Shqipëri-Kosovë. Presidenti i Kosovës do të përmbyllë vizitën e tij të parë si kryetar shteti në Shqipëri me një vizitë në qytetin e Krujës dhe të Lezhës.

Pacolli në Kuvendin e Shqipërisë:

Të unifikojmë ligjet, arsimin e biznesin

Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, mbajti sot një fjalim para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Ai bëri thirrje për unifikimin e qëndrimeve dhe bashkëpunim në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe mes vendeve të tjera të rajonit. “Kemi pasur rezultate, por nuk duhet të kënaqemi me kaq, duhet ti japim kuptim angazhimit shekullor të paraardhësve tanë”, - tha Pacolli. Ai bëri më tej propozime konkrete në fjalën e tij përpara deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. “Propozoj një takim periodik të drejtuesve të vendeve tona të modelit të Këshillit Europian, duke ftuar këtu edhe Maqedoninë dhe Malin e Zi”, - tha Pacolli. Në fjalën e tij drejtuar deputetëve Pacolli e quajti të pafalshme shfrytëzimin e burimeve tona nga vende të treta, duke e vënë theksin te burimet energjetike. Gjithashtu në fjalën e tij ai shtoi se vendet e Ballkanit tashmë duhet të shohin nga e ardhmja euroatlantike.

Propozimet e Presidentit të Kosovës

Forumi i biznesit

“Propozoj të zhvillojmë edhe forumin periodik të bizneseve. Iniciativat janë të pakta, është normale që bizneset tona të konkurrojnë ashpër me njëra-tjetrën",- tha kreu i shtetit të Kosovës.

Unifikimi i përbashkët

“Të njësohet prodhimi i energjisë elektrike, një sistem energjetik i përbashkët. Të eliminojmë barrierat për lëvizjen e mallrave. Për dhënien e licencave, për themelimin e ndërmarrjeve të trajtohemi njëlloj. Të njësojmë legjislacionin dhe rregullat e komunikacionit. Të unifikojmë sistemin akademik”, - tha Pacolli. Ai vuri në dukje se jo vetëm gjuha është element unifikues. “Duhet të bëjmë më shumë, sepse kjo është mënyra për të realizuar bashkimin kombëtar”, - u shpreh Pacolli.

Lëvizja e lirë

“Shqipëria u krijoi qytetarëve të vet lëvizje të lirë. Lëvizje e lirë kjo që do të thotë shumë për ne në Kosovë. Lëvizje kjo që kosovarët e duan tani. Kur flas për lëvizjen e lirë, unë kisha ndër mend gjithmonë që së pari ti krijojmë vetes një lëvizje të lirë, ndoshta dhe pa dokumente, pa pasaporta, pa letërnjoftime mes vendeve tona”, - u shpreh Pacolli.

Bashkëpunimi institucional

“Sot me Presidentin e Republikës së Shqipërisë biseduam për intensifikimin e kontakteve tona në nivel të përfaqësuesve kryesorë të institucioneve tona dhe propozova që ne së paku dy herë të takohemi në nivel presidentësh, në nivel kryeministrash dhe në nivel parlamentarësh”, - tha Pacolli.

Bashkëpunimi me fqinjët

“Të sigurojmë lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, të ideve, të kapitaleve. Së pari mes nesh. Do të hapim derën edhe për ato shtete që duan ti bashkohen kësaj ideje. Dhe kjo vlen për Maqedoninë, ku kemi një numër të madh, një përqindje të madhe të banorëve të saj, të cilët i përkasin kombit tonë. Po ashtu vlen edhe për Malin e Zi. Unë jam i bindur se ato janë shumë të interesuara për tiu bashkangjitur kësaj ideje”, - tha Pacolli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›