Goditet arbitri në Ersekë, ndërpritet ndeshja
ERSEKE- Një tjetër episod i shëmtuar në futbollin shqiptar, teksa ndeshja Gramozi-Skënderbeu është pezulluar që në minutën e 75-të për shkak të goditjes së arbitrit anësor nga tifozët kolonjarë. Sfida më e rëndësishme e javës së 25-të të Superligës është përfunduar para kohe nga ana e arbitrit Artan Taullaraj, si rrjedhojë e gurëve të shumtë të hedhur në fushë. Skënderbeu ishte duke udhëhequr 1-0 që nga minuta e parë, pas golit të Guerrib, ndërkohë që vendasit dominuan përsa i përket lojës, por pa arritur të barazonin. Anulimi i një goli, por edhe disa pozicione jashtë loje të dhëna nga gjyqtari anësor, kanë irrituar tifozët e skuadrës së Gramozit, që kanë nisur të hedhin gurë në fushën e lojës, duke goditur edhe anësorin. Treshja e arbitrave më pas ka hyrë në dhomat e zhveshjes së bashku me delegatin e Federatës Besnik çela dhe pas 20 minutash konsultime, është marrë vendimi që takimi të mos rifillojë. Probleme ka patur edhe mes tifozëve, por ndërhyrja e policisë që ishte e shumtë në numër, ka shmangur konfrontimet e ashpra. Tashmë pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës, por është e qartë se pas kësaj, Gramozi do ta humbasë ndeshjen në tavolinë me rezultatin 2-0 si edhe do të penalizohet me gjobë dhe me dënim të fushës. Takimi mes Gramozit e Skënderbeut ishte më i rëndësishmi i kësaj jave, për shkak se përballeshin dy skuadrat e vendit të fundit në renditje.
Ndërkohë, në takimin tjetër të luajtur sot, Dinamo barazoi 1-1 me Kastriotin. Eleandro Pema shënoi në minutën e 89-të për krutanët, ndërsa në shtesë barazoi argjentinasi Maksimiliano Timpanaro.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
Ndërkohë, në takimin tjetër të luajtur sot, Dinamo barazoi 1-1 me Kastriotin. Eleandro Pema shënoi në minutën e 89-të për krutanët, ndërsa në shtesë barazoi argjentinasi Maksimiliano Timpanaro.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)