Ujërat e zeza mbysin plazhin në Malin e Robit

Një kanal derdh sasi të mëdha ujërash të zeza në vilat e pushuesve në Golem. Ndërtuesit kanë instaluar tubacione klandestine nëpërmjet të cilave realizohet derdhja e ujërave dhe mbeturinave në kanal. Ankesat e banorëve për ndotjen, kanë rënë në vesh të shurdhër
DURRËS - Në hyrje të plazheve dhe resorteve të zonës së Malit të Robit ndodhet një kanal që është bërë burim i madh shqetësimi për pushuesit e zonës. Ai është i mbyllur në hyrjen e rrjedhjes së dikurshme kur lidhej me kanalin anësor të rrugës së Malit të Robit. Pra, një kanal relativisht i vdekur pas mbylljeve që i kanë bërë firmat e ndërtimit duke hedhur dhera në burimin kryesor të tij. Këtu fillon dhe historia e kanalit tashmë "fantazmë" që ringjallet çdo 3 ditë dhe përmbyt bregdetin me ujëra të zeza, të cilat sipas banorëve "e nyjnë edhe detin" në një rreze prej 500-600 metrash.
Në këtë kanal derdhen sasi të mëdha të ujërave të zeza të vilave të shumta, që kanë instaluar tubacione klandestine nëpërmjet të cilave realizohet derdhja e ujërave dhe mbeturinave në kanal. Shumë prej banorëve që pushojnë në zonën e derdhjes së kanalit me ujëra të ndotura, kanë bërë ankesa për ndotjen mjedisore të zonës. Ata shprehen se "në orët e mëngjesit ka përmbytje të vërtetë me këto ujëra, ndërsa në kanal sapo ka filluar që të bjerë niveli...". E përsëri me rënien e nivelit era e rëndë është tmerrësisht e padurueshme. Temperaturat që rriten e bëjnë edhe më problematike atmosferën e atij plazhi të bukur e të asfiksuar nga kjo murtajë mjedisore.
Një pushues thotë se kjo situatë përsëritet çdo 2-3 ditë kur shkarkohen ujërat e resorteve dhe vilave me tubacione të nëndheshme. "Jemi ankuar, - thotë ai, - po askush nuk na ka mbështetur deri tani. Kanali edhe në dimër ka sjellë ujëra në det, po jo ujëra të zeza. Ndërsa tani po derdhen ujërat e pallateve të cilat kanë arritur gjer këtu. Pas ankesave na kanë thënë se do ta zgjidhnin problemin. Patëm shumë besim tek bashkia, por hiç". Ai shton se është e nevojshme që të krijohen lëvizje qytetare, pasi burokracia është e shurdhuar tashmë.
Një banor i ardhur nga viset e Kosovës shprehet se ka 16 vite që vjen për të kaluar pushimet në Shqipëri dhe se e bën plazhin në këto zona. Ai thotë se me sa ka pare gjatë kohës që qëndron në Durrës, asnjë qeveri nuk ka punuar siç duhet. "Dikur këto vende, - rrëfen ai, - mund të krahasoheshin me Kaliforninë. Madje, pa frikë mund të quheshin Kaliforni e Dytë, sepse ishin nga më të bukurat në Evropë. Ndërsa tashti është kthyer në mizerje..." Në tonin e zërit të tij ndihet keqardhja dhe trishtimi.
Pazari i fruta - perimeve
Ndërsa ndjek bisedat e banorëve rreth problemeve që u shkakton ndotja mjedisore në plazh, si për të konkretizuar fjalët e kosovarit të revoltuar, pak më larg kalojnë mjetet e furnizimit të plazhit të cilat përbëhen zakonisht nga kafshë samari, gomerë e mushka të ngarkuara me fruta për t'i shitur direkt në rërë.
Ndonjë mund të thotë se përbëjnë "atraksion turistik", po në realitet një kafshë e tillë dhe të bërtiturat e shitësve të pakulturuar përbëjnë një bezdi për këdo që vjen të çlodhet pak orë në bregdet. Pas tyre kalon një mjet më "i motorizuar", një gomar që për t'i rritur rendimentin e transportit, i kanë vënë nga pas një karrocë. Karroca ngec në ujërat e ndotura të kanalit të anatemuar dhe mezi e shtyjnë, duke e spërkatur ngarkesën me fruta-perime me ujërat e ndotura të grykëderdhjes së përfolur.
Kjo është pamja e fillimit te grykëderdhjes, ndërsa në horizont shihet se atje ku mbarojnë fshatrat turistike, ka përparuar në det një digë e madhe gurësh e betoni. Me sa duket, pushtetarët e Kavajës kanë filluar që të ndajnë tapitë e detit, pasi ky segmentarizim shkakton bllokimin e lëvizjeve të ujërave të detit normalisht dhe si rezultat edhe krijimin e një segmenti bregdetar me ujëra të bllokuara që krijojnë llumra dhe ndërrim ekosistemi... Pamjet tregojnë se po ndodh një masakër e plazhit nga papastërtitë.