E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deledashi: artist i kombit dhe burokrat i partisë

Përgjigje Drejtorit të Librit në Ministrinë e Kulturës


Në letrën e gjatë të shkruar mbi emocione, qarje, epitete dhe fyerje, nuk jepet përgjigja e thjeshtë: Është botuar albumi i Gazmend Mullahit, një nëpunësi të ministrisë me paratë e ministrisë apo jo?


Z. Nika ia ngarkon gazetares detyrën për të gjetur dokumentin që albumi është botuar nga Ministria, ndërkohë që ai vetë, si përfaqësues i Ministrisë, do duhej të dëshmonte të kundërtën, pra të nxirrte dëshminë se Mullahi e botoi këtë album personalisht a me ndihmën e shokëve dhe që ministria nuk ka lidhje me këtë projekt.


Ftesa që i bëhet gazetares për të gërmuar dokumentin në fjalë (ftesë e modelit "kërkoje se për ta gjetur ke!") i ngjan një shantazhi elegant për të heshtur, për t'u tulatur, stil i njohur në trojet e administratës dhe në mjedisin e artistëve që kanë nevojë për apologjinë e z. Nika.


Fakti që deri më tani ministria nuk provon dot se albumi i Gazmend Mullahit nuk është financuar me para publike, i lë të gjitha dyshimet në këmbë, ashtu siç shprehen në artikullin e dt. 31.7.2010.


Edhe njëherë: përse CD e Mullahit nuk ka markë prodhimi? Përse mban logon EDICION SPECIAL MUZIKOR, një logo me të cilën është botuar CD e Vaçe Zelës, nën drejtimin e Gazmend Mullahit? Madje edhe dizajni si është ideuar ky album, është i njëjtë me atë që Mullahi e prezantoi te "Shekulli" si fillimin e një cikli me vlera të muzikës shqiptare në CD.



Z. Nika, nëpunës prej vitesh për çështjet e librit në MTKRS, u paraqit recensent i këtij albumi muzikor! Njoftimi për daljen e albumit erdhi zyrtarisht nga MTKRS! Përbën konflikt interesash, a është etike, profesionale, normale, që ministria të promovojë produkte personale të nëpunësve të saj?


Cilës parti duhet t'i kesh bërë ndere për ta merituar këtë?


Kjo të kujton rastin e drejtorit të teatrit të buratinëve në Tiranë, kompozitor dhe ai. Ishte njëherë këshilltar i ministrit të Kulturës të të djathtëve pas 2005-s, pastaj shef kabineti, pastaj sekretar i përgjithshëm, post i krijuar enkas (sot nuk është në strukturë), pastaj në radhë pritjeje për ndonjë vend vakant që krijohej nga ndërrimi i shpeshtë i ministrave të Kulturës. Moshën e pensionit e kish kaluar.


Gjatë kësaj kohe mori titullin "Mjeshtër i Madh i Punës" dhe botoi një CD me arsenalin e vet muzikor të një karriere jo 40-vjeçare sa e Mullahit, po 50-vjeçare. Në albumin e tij shkruhej: Nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Po askush nuk e regjistroi në gazetë këtë fakt, sepse s'bëjnë përshtypje raste abuzimi që s'kanë përmasën e një afere.


Rastet e korrupsionit dhe të njerëzve shoqërisht të rrezikshëm në Shqipëri, nuk ngjajnë me këto. Këtu e keqja është e keqe kur është e skajshme, kur ka rreze veprimi që garanton përfitim të thellë në kurriz të një turme të madhe (që quhen qytetarët kur janë në gjumë). E keqja është e keqe kur të zë sytë, kur të vë përposh që të mos ngresh kokë dhe vetëdija të jetë kalbur.


Rastet e përmendura janë hallka të një zinxhiri artistësh të merituar, të popullit, mjeshtërish të mëdhenj, tituj dhënë nga instanca e lartë e presidencës aspak autoritare për të matur meritat e secilit artist në këtë vend. Fakti që artistët i kërkojnë me ngulm këto, sidomos kur janë në prag të pensionimit, tregon se sa të nevojshme e kanë përdorimin në anë tjetër të mjeshtërive që s'kanë më lidhje me artin.


Partia e artistëve të kombit është fryrë. Çdo prekje e saj, çdo kritikë ndaj saj, shihet me frikën mos po e plas, dhe për t'i dhënë solemnitet si të një religjioni, e quajnë kritikën ndaj saj sakrilegj, inkuizicion madje. Partia e artistëve akrobatë e ka bërë bark litarin e arenës së administratës: kanë ardhur në institucione për meritë të asaj që kanë mbjellë dje në arën e përbashkët dhe korrin sot po arën e përbashkët.

Përgënjeshtrimi i specialistit të Ministrisë së Kulturës, dërguar dje me mediave,
për artikullin "Pas Vaçe Zelës jam vetë"

Te nderuar kolege, miq dhe dashamires te artit!


Se pari ju kerkoj ndiese per kohen qe mund t'ju marre leximi i kësaj replike dhe publikimi i saj, por jam i detyruar, t'ju sqaroj lidhur me pretendimet qe ngrihen ne artikullin "Pas Vace Zeles jam vete", te gazetares Elsa Demo, botuar ne gazeten shekulli te dates 31. 07. 2010.


Sinqerisht sa here kam pare deformime te kesaj natyre ne pasqyrimin e shume veprimtarive kulturore qe jane zhvilluar nga MTKRS, nga gazetarja ne fjale, nuk kam denjuar t'i jap pergjigje, pasi tashme ne stilin dhe mentalitetin e gazetares ne fjale jane tashme te njohura sindroma te tilla, ku dezinformimi dhe fryma inkuizite qe vihet re ne
shkimet e saj per kulturen dhe njerezit e artit, se pari nuk jane thjesht sulme ndaj institucioneve, por ne rradhe te pare ndaj artit dhe krijuesve te tij.


Ajo qe me se shumti me shtyn per te bere kete sqarim, lidhur me pretendimin se:
Në "Edicion special muzikor" të Ministrisë së Kulturës i filluar me albumin e Vaçe Zelës, botohet një i dytë. I përket një nëpunësi të ministrisë, Gazmend Mullahi.


I financuar me para publike, emri i MTKRS nuk figuron, ndej pergjegjesine te sqaroj opinionin publik, se ky album, nuk eshte financuar aspak nga Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve. Ky eshte nje mashtrim i turpshem dhe nje konstatim thjesht mbi baza halucinante, i hedhur ne media, pa asnjë mbeshteje ligjore ose ne dokumentacion me ane te se cilit te perligjeshin pretendimet e gazetares.


Ajo qe kujdo i bie ne sy qe ne titullin e artikullit, ka te beje me mosnjohjen e dy sferave krejt te ndryshme ne gjinine e muzikes. E para, Vace Zela, njihet dhe eshte vleresuar ne mbare opinionin kombetar madje dhe me gjere, si interpretuese (kengetare) dhe nuk ka
marre askush persiper ( dhe nuk ka se si) ta mendoje kete figure ne spektrin e kompozitores.


Nga ana tjeter, ( c'ka e ben edhe me komike krejt situaten) kompozitori i mirenjohur Gazmend Mullahi, jeta artistike e te cilit ngrihet mbì nje kontribut mese 40 vjecar ne fushen e kompozicionit, nuk ka marre asnjehere persiper te shpalose aftesite e tija si kengetar!!!! Ne kete rast titulli:"Pas Vace Zeles, jam vete" behet sa qesharak dhe tendencioz, aq edhe perligj ne te njejten kohe edhe mungesen e profesionalizmit dhe te pergjegjesise per nje gazetare te kultures.


Ndiej per detyre dhe kam pergjegjesi t'ju sqaroj se ka qene vetem nje Edicion special muzikor i financuar nga MTKRS mbi krejt jeten muzikore te kengetares sone te shquar Vace Zela, ne kuader te shpalljes se vitit Vace Zela, per nder te 70 vjetorit te lindjes se saj, e realizuar ne nje set prej tri CD, te masterizuara, ne 1000 kopje tirazh, kundrejt shumes prej 300 000 lekesh, te cilat nuk kishin si objekt te saj shitjen, por thjesht promovimin e nje prej vlerave me perfaqesuese te muzikes shqiptare, ne Shqiperi dhe diaspore.


Duke qene se ne kete artikull, tentohet te implikohet autoriteti i MTKRS dhe i strukurave te saj te specializuara, i kerkoj publikisht artikullshkrueses te botoje dokumentat qe disponon, mbi te cilat ngrihen akuzat e saj.


Pasi eshte teper e rende te krijosh alibi te
tilla, ku pervoja dhe profesionalizmi i eksperteve dhe figurave te artit dhe kultures qe punojne ne kete institucion, nuk mund ta merrnin persiper nje risk te tille.


Gazmend Mullahi, si edhe shume artiste dhe krijues te tjere, kane te drejte te publikojne krijimtarine e tyre, si te gjithe krijuesit e tjere, qe kane dhene dhe vazhdojne te japin nje kontribut ne kulturen kombetare.


Te perndjekesh nje artist, nje kompozitor, nje njeri, me
truke te tilla, se po abuzon me parate publike dhe se po e vendos veten ne ate nivel qe nuk e meriton, per mendimin tim, ketu kemi te bejme me nje mentalitet te tejkaluar ne kohe, epoka ne te cilen jetojme nuk mund ta pranoje kurresesi.


Ne Shqiperine e djeshme, kane qene te natyrshme, perndjekjet ndaj krijuesve dhe njerezve te artit. Mjaftonte nje artikull i tille, dhe fati i viktimes ishte mese i qarte.


Por nese deri dje, faji kryesor i mbetet sistemit, ideologjise qe ai perfaqesonte dhe krejt mekanizmit te funksionimit te tij, atehere me lind pyetja, por sot e nderuara gazetare, ne emer te kujt ndermerret nje akt i tille?!


Vertet mendoni se Gazmend Mullahi, me pervojen e tij prej nje jete ne art, do t'ia lejonte vetes, duke qene pjese e strukurave te MTKRS, te pervetesonte para ne menyre te pandershme per botimin e rreth 40 kengeve nga krijimtaria e tij, tashme e vleresuar edhe nga brezat e rinj? Jo, kurresesi jo.


Dhe per kete ju jeni e qarte me mire se kushdo. Askush nuk mund te marre persiper te hedhe balte mbi veten e tij, tani ne epilogun e nje jete te tere ne dobi te artit dhe kultures, ku paraja per artistin dhe shkrimtarin ka qene dhe mbetet motivi i fundit ne misionin e tij te shenjte.


Sinqerisht me vjen keq, qe e shoh veten ne nje pozicion te tille. Ne nje kohe kur ngreme zerin neper media, se kemi nevoje jo me per komercialitet dhe plagjature. Se ka ardhur koha te evidentohen dhe te injektohen vlerat e verteta te artit shqiptar, por cuditerisht, po ndodh krejt e kunderta, po i sulmojme edhe tendencat pozitive kudo ku ato shfaqen, po mundohemi te krijojme konflikt dhe skandal, aty ku nuk ai ekziston.


Ndoshta, i vetmi mjet per te ngritur ne piedestal nje artist, mbetet serish vetem ndeshkimi.... Une besoj se kjo taktike asgjesuese duhet te marre fund me shkrimin : "Pas Vace Zeles jam vete". Le t'i mbetet kohes si nje nder deshmite e fundit te inkuizicionit ndaj njerezve te kultures.


Mr. Ermir NIKA

Director of the Directorate of Books and Libraries of the Diaspora and
Minorities
Ministry of Tourism, Culture, Youth, and Sports of Albania


Shënim: Duke qenë përgënjeshtrim, po e lëmë origjinalin e tekstit të z. Nika, ashtu siç ka ardhur në redaksi.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›