Goditet portieri iFlamurtarit, ndeshjandërpritet 50 minuta
TIRANE- Ka përfunduar me tension, akte dhune, akuza dhe gjeste të rënda java e 30-të e Superligës. Dy ndeshjet kryesore, Tirana-Skënderbeu dhe Laçi-Flamurtari, kanë qenë të tejmbushura me incidente dhe akte të rënda, ndërkohë që në fund, korçarët janë shkëputur 4 pikë nga vlonjatët, duke bërë një hap të madh drejt titullit kampion. Ata kanë fituar 1-0 në kryeqytet ndaj Tiranës, ndërsa vlonjatët janë ndalur në një barazim 1-1 në Laç, në një ndeshje që u ndërpre për 50 minuta në fillimin e pjesës së dytë. Pas një pjese të parë që përfundoi me fitoren e laçianëve 1-0, falë golit të Hysës, e dyta nisi me një gjest të rëndë, goditjen me gur në kokë të portierit të Flamurtarit Shpëtim Moçka. Ky i fundit mbeti i gjakosur dhe u dërgua në spital, ndërkohë që drejtuesit e klubit vlonjat kanë refuzuar për minuta të tëra që të nisnin ndeshjen, duke e quajtur atë të rrezikshme. Negociatat e vazhdueshme mes federatës, arbitrave, dy presidentëve dhe futbollistëve, kanë çuar në rifillimin e takimit pas gati 50 minutash, ndërkohë që edhe orët e diellit ishin drejt fundit. Në pjesën e dytë, vlonjatët arritën të barazonin me Ahmatajn, por vetëm kaq, pasi ata nuk mundën të merrnin dot fitoren. Po pyetja që shtrohet është se çfarë do të ndodhë pas kësaj? Në pushimin midis pjesëve Flamurtari ka kërkuar që ndeshja të luhej vetëm për publik, gjë që do të thotë se loja do të vazhdonte për 90 minuta dhe më pas vlonjatët me një ankesë të thjeshtë në Komisionin e Disiplinës, do të merrnin 3 pikët në tavolinë. Por, Federata nuk e ka pranuar këtë opsion dhe ka urdhëruar vlonjatët të luanin, në të kundërt, ata do të dënoheshin me humbjen në tavolinë dhe heqjen e 3 pikëve nga renditje, për braktisje të fushës. Në këtë mënyrë, loja ka rinisur, por mbetet për t’u parë nëse delegati i FSHF-së ka shkruar në relacion që u luajt për publik apo u luajt normalisht. Pritet që në ditët e ardhshme, klubi Flamurtari të paraqesë një ankesë me shkrim, që çështja të futet në Disiplinë dhe të paktën de jure, ka shanse që të marrë 3 pikët në tavolinë. Gjithsesi, çdo gjë i mbetet në dorë Federatës. Në takimet e tjera të luajtura sot, Kastrioti fitoi 3-1 me Teutën, ndërsa Vllaznia mundi me të njëjtin rezultat Elbasanin.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)