Fajtori jam unë

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai është fajtori i dështimit të ekipit të tij këtë sezon pas humbjes 2-1 nga Boltoni, e cila ia shoi gjasat për titull të kampionit. ‘Topxhinjtë’ kanë mbetur prapa kryesuesit Manchester United 9 pikë, 4 ndeshje pa përfunduar sezoni.
Fitorja e United në Emirates Stadium të dielën që vjen do t’ia mohonte shpresat e Arsenalit që ta fitojë një trofe pas gjashtë vjetësh. “Lojtarët kanë qenë të shkëlqyeshëm gjatë tërë sezonit. Nëse dikush këtu është fajtor, ai jam unë”, theksoi Wenger pas ndeshjes.
Trajneri francez ka konfirmuar se humbja në Reebok Stadium i ka minimizuar gjasat për titull. “Ne duhet të japim gjithçka deri në ndeshjen e fundit, por natyrisht gjasat janë minimale”, vazhdoi ai.
Djelmoshat nga Londra u ndëshkuan në minutat e fundit nga zëvendësuesi i Boltonit, Tamir Cohen. Më parë, Robin van Persie e barazoi rezultatin pas epërsisë së vendësve me anë të Daniel Sturridge. Ndërkohë, portieri Wojciech Szczesny e priti një penallti të Kevin Davies.
“Është vështirë të shpjegohet mënyra se si e humbëm lojën. Ne dhamë gjithçka në këtë ndeshje dhe mënyra se si humbëm është e vështirë të pranohet. Kishim mundësi të fitonim. Ne nuk e kapëm atë pasi ishim të brishtë në kornerë. Loja jonë ishte kualitative, por e pamjaftueshme për ta arritur atë që e dëshironim”, thotë i zhgënjyer Wenger.
Arsenali ka lëshuar mundësi ideale për t’u shpallur kampion sivjet. Ky ekip nuk ka ditur t’i shfrytëzojë disa gabime të kundërshtarëve, duke lëshuar pikë atëherë kur më së paku nevojitej.
“Kemi bërë gabime shumë herë gjatë sezonit. Këtë e bëmë edhe sot. Nuk i shfrytëzuam si duhet mundësitë që na u ofruan gjatë sezonit”, përfundoi Arsene Wenger.
Ndeshja e radhës e Arsenalit do të jetë pikërisht kundër kryesuesit Manchester United, këtë fundjavë.