E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali, Kaka është një çështje, Manuel Pelegrini në shënjestër

Murinjo e Venger, në krye të listës së Florentino Perezit

“Rritet temperatura” në shtëpinë e Real Madridit pas eliminimit në Champions League nga Lioni. Trajneri i merengues, Manuel Pelegrini, është sërish në shënjestër të shtypit spanjoll pas këtij dështimi: eliminimi i gjashtë në tetëshe në 6 vite, ëndrra e një finaleje në Madrid që sfumohet, objektivi nr. 1 që hidhet në erë së bashku me 254 milionë eurot e fushatës së blerjeve të shpenzuara nga presidenti Florentino Perez për të realizuar objektivat e “Galacticos”. “Një katastrofë e re”, titullon “AS”, e përditshmja kryesore sportive spanjolle, pranë klubit Madrilen. Ndërsa “Adios Champions, adios Pelegrini”, është titulli i zgjedhur nga “Marca”, që kërkon sërish kokën e trajnerit, ashtu siç bëri në eliminimin nga Kupa e Mbretit kundër amatorëve të Alkorkon. Për pankinën e Realit kujdeset edhe shtypi anglez: sipas “Times” në krye të listës së Perezit është sërish Zhoze Murinjo, të cilit presidenti i madrilenëve i çmon disiplinën dhe lëvizjet taktike. “çfarë i nevojitet Realit, një trajner që të jetë i zoti për të bërë të funksionojnë lojtarët si një skuadër”, shkruan e përditshmja angleze. “Nuk do të kushtojë pak, por ai njeri është Murinjo”. Kandidati tjetër i përfolur për pankinën “blanca” është Arsen Venger, i cili që prej vitit të kaluar konsiderohej mes më favoritëve për të marrë në dorë skuadrën më të pasur të botës. “I marr përsipër të gjitha përgjegjësitë, por jemi akoma në luftë për ‘La Liga’-n dhe nuk jap dorëheqjen nga detyra ime”, njofton Pelegrini, që merr edhe mbrojtjen e drejtorit të përgjithshëm të Realit, Horge Valdano: "Pelegrini ka një kontratë dhe projekti i klubit vazhdon”. Edhe tifozët e Realit nuk janë shumë të bindur për ndërrimin e trajnerit: në një sondazh të propozuar nga “Marca”, vetëm 32% kërkon shkarkimin e Pelegrinit. Por kritika të rënda në drejtim të tij vijnë edhe nga ata që janë pranë skuadrës. Sipas shtypit iberik, në fakt në faqen “Twitter” të gruas së Kakasë, pas ndeshjes kundër francezëve dhe veçanërisht zëvendësimit në fund të brazilianit, ka dalë në pah një frazë me një sulm të ashpër ndaj Pelegrinit. Karolina Celiko i është përgjigjur një komenti të bërë në “Twitter” nga përgjegjësi i shtypit të Kakasë, Diogo Dkotscho: “Një trajner frikacak zëvendëson gjithmonë një lojtar në përpjekje për të shmangur paaftësinë e tij”. Pak më vonë komenti është fshirë, shpjegonte edicioni online i “Marca” dhe “El Mundo”. Me siguri Kaka, mes të tjerash i fërshëllyer në “Bernabeu” nga tifozët e “blancos” gjatë ndeshjes, ka dhënë shenja irritimi kur trajneri e ka zëvendësuar 15 minuta nga fundi i ndeshjes, ndërsa të dyja skuadrat ishin në barazim 1-1, rezultat që firmosi eliminimin e Realit, pas humbjes 1-0 në ndeshjen e parë. Ish-milanisti më pas ka bërë të ditur se është i irrituar nga zëvendësimi për si shkoi ndeshja. “është një goditje shumë e dhimbshme, një moment shumë i vështirë për Realin e Madridit dhe për tifozët. Mundet vetëm t’u kërkojmë falje fansave", pranon Kaka, që në kryeqytetin spanjoll nuk po përjeton kënaqësitë që priste. Dhe duke marrë në konsideratë edhe dëmtimin në pulpë dhe që e ka limituar prej muajsh rendimentin e tij, asi brazilian është në qendër të një çështjeje. Gjithsesi priten zhvillime të reja në të ardhmen.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›