Goditja e Milanit, Ronaldinjo te kuqezinjtë

Ronaldinjo është vetëm një hap larg Milanit. Sulmuesi i Barcelonës ka fituar një duel në distancë me Adebajorin e Arsenalit dhe pritet të nënshkruajë një kontratë dyvjecare me kuqezinjtë. Marrëveshja u arrit të premten në mbrëmje, ku fituesi i "Topit të Artë 2006" dhe agjenti i tij, Roberto de Asis, njerësh edhe vëllai i Ronaldinjos, pranuan të firmosnin deri në vitin 2010 me një pagë vjetore prej 6.5 milionë euro, shumë që do t'i shtohen më pas edhe premio, për të arritur në pagën që ai fiton aktualisht në Katalonjë me Barcën.
Padroni i Milanit, Silvio Berluskoni ka mbetur i kënaqur, por me të njëjtin humor është Karlo Anceloti, i cili do të ketë nën urdhrat e tij një nga lojtarët më të mirë në botë. Tashmë, topi ndodhet në fushën e Barcelonës, që duhet të japë miratimin e saj për transferimin e lojtarit. Sinjalet nga klubi i presidentit Johan Laportës janë pozitive. Sipas "Gazzeta dello Sport", nga 35 milionë euro që kërkonte më parë Barcelona, tashmë është ulur në 25 milionë, ndërkohë që Milani pretendon ta blejë 15 milionë euro.