Edhe BE kundër ligjit të lustracionit
Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim në lidhje me ligjin e lustracionit. Ka qenë pikërisht presidenca çeke e BE që ka theksuar se ligji është me probleme dhe ka deklaruar se do takohen me qeverinë për t’i bërë të qartë qëndrimin e BE.
“Bashkimi Evropian i kushton një rëndësi të madhe dialogut politik përgjatë spektrit politik. Ky është një nga kriteret politike me rëndësi thelbësore për pranimin në BE.
Në të njëjtën mënyrë, ne i kushtojmë një rëndësi të madhe një gjyqësori mirë-funksionues dhe politikisht të pavarur.
Ligji i ri “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve” ngre shqetësime në lidhje me disa aspekte, si mbi procedurën, ashtu edhe mbi përmbajtjen.
Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian do takohet me qeverinë, që të bëjë të qartë pozicionin e BE”, - thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Presidenca e BE.
Reagimi i BE vjen pas qëndrimit të mbajtur nga Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Terry Davis.
“Analiza e ekspertëve ligjorë pranë Këshillit të Evropës nxjerr në pah disa çështje shqetësuese në lidhje me standardet e Këshillit të Evropës. Ato përfshijnë:
- rrethin e gjerë të kategorive të zyrtarëve që preken nga ky ligj dhe që në fakt përfshijnë dhe njerëz që mbajnë aktualisht detyra e poste;
- ndershmëria dhe proporcionaliteti i procedimit të lustrimit;
- numri i sanksioneve të parapara dhe fakti se nuk ka asnjë limit kohor.
Gjithashtu, vë re disa mospërputhje të rëndësishme për sa i përket Rezolutës për masat që duhen marrë për zhdukjen e trashëgimisë se sistemeve të ish-regjimeve totalitare komuniste, miratuar nga Asambleja e Këshillit të Evropës në vitin 1996.
Asambleja jonë e ka bërë të qartë se çdo masë individuale lustracioni nuk duhet t’i kalojë pesë vitet, se procesi i lustracionit duhet të përfundojë më 31 dhjetor 1999 dhe se lustracioni nuk duhet të aplikohet te kandidatët për zgjedhje. Asnjë nga këto përfundime nuk është marrë parasysh në ligjin e lustracionit shqiptar”, - thuhej në deklaratën e Davis.
Menjëherë pas miratimit të ligjit, Shtetet e Bashkuara reaguan ashpër në lidhje me ligjin. Vetëm pak orë pas deklaratës së ambasadës amerikane, se ligji ngre probleme serioze ligjore dhe qeverisëse, ka reaguar edhe Departamentit i Shtetit përmes zëdhënësit, Shon McCormack. Shtetet e Bashkuara, tha ai, ia kanë shprehur këto shqetësime qeverisë shqiptare dhe pikërisht ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Daniel Fried, bisedoi me kryeministrin e Shqipërisë për këto shqetësime.
Zoti McCormack tha se ky është një nga ato procese që Shtetet e Bashkuara po e ndjekin nga afër. Është me rëndësi shtoi ai, që në çdo demokraci qeveria të udhëheqë në një mënyrë të tillë që të gjithë njerëzit të kenë mundësi të marrin pjesë në përcaktimin e së ardhmes së vendit. Shtetet e Bashkuara, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, e kanë të qartë se Shqipëria është duke u ballafaquar me historinë e saj, por ajo duhet të sigurojë që në këtë proces të mos i përjashtojë njerëzit nga jeta e përditshme në vend.
Pak javë më parë, Berisha mohoi një bisedë më zotin Fried.
OSBE, Bosch: Qeveria të reflektojë pas komenteve të BE
Dje, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Robert Bosh, duke i bërë jehonë shqetësimit të Bashkimit Evropian për ligjin e dosjeve, i bëri thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë mbi çështjet e ngritura nga Bashkimi Evropian.
“Do t'i bëja thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë seriozisht mbi komentet e bëra në deklaratën e Bashkimit Evropian. Unë e kam thënë edhe më parë se, ndonëse nuk jam kundër në parim për një ligj për pastrimin e figurave, një ligj i tillë duhet të bazohet te shteti ligjor, respektimi i pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe në respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare”.
Ambasadori Bosch shpreh më tej gatishmërinë e OSBE për të ndihmuar autoritetet shqiptare me aspektet teknike për këtë çështje.
Prezenca e OSBE në vendin tonë reagoi menjëherë në lidhje me ligjin e lustracionit pas miratimit të tij. Ata kërkuan që ligji të përmbushë standardet ligjore dhe të ketë konsulencën e ndërkombëtarëve. Alex Finnen, zv/kryetar i Prezencës së OSBE në Shqipëri, tha: “Ligji për “Pastërtinë e Figurës”, i miratuar nga Kuvendi, duhet të përmbushë kërkesat e një vendi që bazohet mbi shtetin ligjor. Në veçanti, duhen respektuar plotësisht dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe standardet e pranuara ndërkombëtare. Për këtë qëllim, qeveria shqiptare pritet që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në konsultim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të garantuar që ky ligj përmbush standardet ndërkombëtare, dhe në këtë mënyrë do të sigurojë partnerët ndërkombëtarë për angazhimin e saj ndaj këtyre standardeve.”
Zv/ambasadori çek: Ligji ynë për lustracionin, shumë i ndryshëm nga ai shqiptar
Disa ditë pas miratimit të ligjit të lustracionit, zv/ambasadori i Çekisë në Shqipëri, Adam Pino, deklaroi në një intervistë se ligji për lustracionin që ka bërë Shqipëria nuk është si ligji çek, madje ka ndryshime të dukshme. Ai i bëri komentet, pasi kryeministri, Sali Berisha, tha se ligji shqiptar është kopjuar nga ligji çek, madje është më i butë se ai çek.
Pinos tha se në ligjin çek të lustracionit nuk parashikohej penalizim për ata që duan të kandidojnë në zgjedhje, si dhe nuk kishte komision partiak për verifikimin e figurave. Këto vërejtje iu bënë ligjit dhe nga Këshilli i Evropës.
“Mes këtyre projekteve shoh ndryshime të dukshme. Ligji shqiptar u inspirua nga ai çek, por në asnjë mënyrë nuk është i njëjtë.
Unë e kam lexuar ligjin shqiptar shpejt, por dy ndryshime më bënë përshtypje. Ajo që më bëri përshtypje së pari është se projektligji shqiptar prek edhe deputetët e parlamentit. Veç kësaj, gjëja tjetër që përbën dallimin është ngritja e komisioneve partiake, që do të merreshin me ligjin e lustracionit. Ligji çek, komisione të tilla nuk i ka njohur”, - deklaroi Pinos.
Ai tha gjithashtu se ligji çek përfshinte dhe disa kategori ish-zyrtarësh komunistë, të cilët në ligjin shqiptar janë lënë jashtë lustracionit dhe që përbëjnë një pjesë të njerëzve që janë në politikë. “Deri tani kam përmendur ato kategori, të cilat, sipas ligjit të lustracionit, duhet të ishin të pastra. Megjithatë, le të përmendim rastet kur ky ligj për punonjësit e tjerë ishte pozitiv, d.m.th. i prekte: përmend këtu bashkëpunëtorët e afërt të Sigurimit të regjimit të asaj kohe, pastaj ata që ishin në nivelin e mesëm, të lartë dhe më të lartë në hierarkinë komuniste nga sekretarët e partive lokale dhe deri tek organet më të larta të kësaj partie komuniste. Në qoftë se këta persona kërkonin një vërtetim, sipas ligjit të lustracionit, për këta persona përgjigjja ishte pozitive. Për këta persona nuk do të thoshte fundi i karrierës plotësisht, se ata mund të punonin në sektorin privat”, - tha Pinos.
Lustracioni, mazhoranca nuk tërhiqet
Deklarata e Presidencës së Bashkimit Evropian dhe e kreut të opozitës, Edi Rama, ka sjellë menjëherë reagimin e mazhorancës, por, të paktën deri tani, nuk vihet re asnjë tërheqje nga pozicioni i saj aktual.
Nëpërmjet zëdhënësit të grupit parlamentar, Partia Demokratike rikonfirmoi së pari, se Ligji i Lustracionit vendos një standard moral për ndarjen nga e kaluara e krimeve të komunizmit, si në Çeki apo Sllovaki dhe së dyti se Partia Demokratike do të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, ky pohim i dytë i demokratëve kishte një kusht.
“Ne respektojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese. E kemi treguar këtë në qeverisjen tonë dhe do të respektojmë çdo vendim që kjo gjykatë merr duke evituar konfliktin e interesit”, - u shpreh zëdhënësi, Aldo Bumçi.
Rama: Ky është shansi i fundit që i jepet Berishës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje pas deklaratës së Presidencës së Bashkimit Evropian për ligjin e lustracionit. Rama tha në një konferencë për shtyp se ky është shansi i fundit që po i jepet Berishës dhe kësaj mazhorance.
“Shqipëria nuk bëhet dot Evropë dhe as nuk hyn dot në Bashkimin Evropian, nëse politika e saj nuk flet gjuhën e këtij bashkimi dhe nuk respekton vlerat e parimet e këtij bashkimi. Kështu përkthehet deklarata e sotme e Bashkimit Evropian, e cila është në leximin tim shansi i fundit që Evropa i jep Sali Berishës e kësaj mazhorance të papërgjegjshme, përpara sesa faturën e sjelljes antidemokratike e të marrëzive antikushtetuese të kryeministrit e të oborrit të tij ta paguajë Shqipëria me shtyrjen pa afat të kërkesës për të marrë statusin e vendit kandidat e me të gjitha pasojat që ka për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi një vonesë e re në rrugën e integrimit evropian”, - tha Rama.
Kryetari i PS tha se Berisha nuk mund të zvarrisë më Shqipërinë në rrugën drejt BE. “Miratimi i një ligji dosjesh me verbërinë e një shumice të thjeshtë, jashtë frymës evropiane, jashtë kornizës së vlerave e parimeve të Bashkimit Evropian, jashtë kufijve kushtetues të Republikës së Shqipërisë dhe me arrogancën provinciale që Sali Berisha tregoi pa kursim ndaj kritikave që erdhën nga të gjitha anët e tjera, brenda e jashtë vendit, ka bërë që sot 27 vendet e Bashkimit Evropian të lëshojnë sinjalin më shqetësues të mundshëm.
Përkthimi im për kryeministrin që nuk e kupton gjuhën e Evropës, është që ta marrë këtë sinjal me seriozitetin më të madh dhe të kuptojë se, kur kanë mbetur edhe 151 ditë nga mandati që ka marrë për të afruar Shqipërinë me Evropën, Sali Berisha s'mund ta zvarrisë edhe më shumë nga sa e ka zvarritur rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, duke përdorur krimet e një regjimi, të cilit për 25 vjet i shërbeu me devotshmëri për të mbuluar mëkatet e qeverisë që prej 3 korrikut 2005 drejton me papërgjegjshmëri”, - tha kryetari i PS.
Ai paralajmëroi se nesër ligji do të shkojë në Kushtetuese.
“Për t'iu hequr një orë e më parë shqiptarëve e shqiptareve kufijtë ndarës me Bashkimin Evropian dhe për ta futur sa më shpejt Shqipërinë në programet e mëdha të zhvillimit evropian, nuk na duhet një ligj që hap dosjet e komunizmit barbar për të mbyllur dosjet e kapitalizmit klanor, duke na ndarë më shumë me Evropën, po një ligj lustracioni që flet gjuhën e Evropës dhe respekton vlerat e parimet e Bashkimit Evropian; nuk na duhet një drejtësi nën presion dhe pa efektshmëri që mbyll sytë përpara malit të korrupsionit qeveritar apo që s'e pyet as Policia e Shtetit, kur me urdhër të qeverisë duhet të dhunojë një gazetar, po një shtet i së drejtës, ku pushteti gjyqësor garanton barazinë e shtetasve përpara ligjit dhe ku ndarja kushtetuese e pushteteve, së bashku me liritë e të drejtat kushtetuese të njerëzve, nuk mund as të diskutohet e jo më të cenohet nga mazhoranca qeverisëse e nga kryeministri i radhës.
Kështu përkthehet shqetësimi i shprehur në deklaratën e sotme të 27 vendeve të këtij bashkimi të madh dhe me këtë shqetësim ne do t'i drejtohemi menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra pasnesër, Gjykatës Kushtetuese, ku do të provojmë antikushtetutshmërinë flagrante të këtij ligji famëkeq”, - tha Rama.
Pollo: Ligji për dosjet pushon së vepruari në vitin 2014
Zëvendëskryeministri, z. Genc Pollo, priti në një takim sot (dje) në mesditë Trojkën Evropiane, për të diskutuar çështje të lidhura me ligjin e lustracionit, ku deklaroi se ky ligj ka një afat veprimi 5-vjeçar dhe pushon së vepruari më 31.12.2014.
Ndërkohë, Pollo tha se e pranoi monitorimin e zbatimit të këtij ligji nga ana e BE.
Në këtë takim, Trojka ishte e përbërë nga ambasadorja e Çekisë Marketa Fialkova, e Ngarkuara me Punë e Suedisë, zonja Elisabet Stam, dhe shefi i delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan.
Zëvendëskryeministri Pollo tha pas takimit, për agjencinë e lajmeve NOA, se ai i siguroi bashkëbiseduesit se qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e ta paanshëm të këtij ligji.
“Çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tria shkallët e gjyqësorit dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë”.
Pollo sqaroi gjithashtu se ankimimi mund të vijojë eventualisht edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Gjithashtu, z. Pollo tha se është e mirëpritur pjesëmarrja e përfaqësuesve të opozitës në autoritetin e kontrollit të figurës, përbërë nga 5 anëtarë, nga të cilët opozita përcakton 3 të tillë. Kjo përfshirje që është jo vetëm detyrë ligjore, por dhe përgjegjësi publike, kontribuon në besueshmërinë e procesit.
Z. Pollo tha edhe se e falënderoi Trojkën për mirëkuptimin e BE mbi nevojën e Shqipërisë për t`u ballafaquar me të shkuarën nën një regjim komunist dhe domosdoshmërinë për t`u ndarë përfundimisht prej tij, bazuar në normat morale të gjithëpranuara.
Zyrtarisht, zyra e Shtypit e Pollos, nuk citoi deklarata të zyrtarëve të BE në takimin që u zhvillua pa praninë e medieve.