E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditjet e (pa)pritura

Gjashtë pikat e paraqitura nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban-Ki Mun, për rregullimin e gjendjes në Veri të Kosovës janë goditja më e fortë që iu bë Kosovës pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Euforia e kësaj dite të shënuar ka kohë që ka kaluar, ashtu sikurse institucionet tona të brishta dhe me njerëzit me përvojë të pakët kanë kaluar nëpër situata të paimagjinueshme, sikurse janë ballafaquar me shumë vështirësi në raportet ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Evropian e pranuan Kosovën e pavarur e sovrane, mirëpo fatkeqësisht shtetet e fuqishme sikur ia mbyllën dyert, apo nuk e ftuan asnjëherë Presidentin e vendit, Kryeministrin apo ministrin e Punëve të Jashtme në një takim kurtuazie, bile, sa për të thënë se ja po thyhet gëzhoja e izolimit. Është e vërtetë se axhenda e disa takimeve caktohet një apo dy vjet më parë, sidomos e takimeve të burrështetasve, vetëm takimet urgjente caktohen aty për aty, mirëpo takimet sa për t’ia bërë me dije Serbisë se në të ardhmen ka të bëjë me një shtet, ndaj të cilit nuk duhet të ushqejë pretendime të asnjë lloji, kanë mund t’i bëjnë disa prej shteteve evropiane, ashtu sikurse që e bënë SHBA-të. Mbase mund të arsyetohen se duhet të kalojë edhe një kohë, në mënyrë që shteti i ri të paraqitet më dendur nëpër metropolet evropiane. Mirëpo, emisarë të ndryshëm të bashkësisë ndërkombëtare ishin shumë shpesh dhe më shumë pompë në Kosovë, duke u takuar kështu me përfaqësuesit më të lartë të Kosovës, dhe në pjesën më të madhe, me përjashtime, duke u diktuar kushte për t’u pranuar në institucionet ndërkombëtare me rëndësi. Dhe zyrtarët tanë për të dëshmuar se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me zyrtarë dhe me institucionet ndërkombëtare, ashtu sikurse deshën të tregojnë mirënjohjen për pranimin e pavarësisë, i morën vath në vesh të gjitha këshillat e tyre, i pranuan të arsyeshme të gjitha propozimet edhe atëherë kur nuk kishte shumë logjikë politike dhe premtuan se do t’i trajtojnë serbët disa herë më mirë sesa shqiptarët, duke qenë të gatshëm që pabarazinë ta ngrenë në nivel kulti, ashtu sikurse e duan disa shtete në emër të diskriminimit pozitiv.

Kushtet e vëna në këtë propozim-direktiv, që më parë është tumirë nga Serbia, është sfida më e madhe për qeveritarët tanë, të cilët janë vënë në një qark të mbyllur dhe e kanë hapësirën shumë-shumë të kufizuar. Në fakt, mënyra se si një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht përfaqësuesit e BE-së e të OKB-së, po i bëjnë presion Kosovës, është forma më jodemokratike dhe një imponim i skajshëm i vullnetit politik, sepse nuk është fjala për të përfillur mekanizmat demokratikë, por për të përçuar vullnetin e serbëve e të Serbisë në shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Dhe është një goditje e fortë për proceset e mëtutjeshme, sepse veriu do të mbetet vatër e krizave, zona gri, madje disa synojnë ta bëjnë model rus të krizave, sikurse e bënë rusët Osetinë e Ingushtinë.

Pse evropianët duan vatra të reja të krizës, kur e shuan vatrën më të madhe të krizës në Evropë, duke e neutralizuar Serbinë? Nuk munden pa kriza, apo nuk janë të interesuar të jetojnë në paqe?

Disa thonë se kjo goditje, a ky kushtëzim që nuk ka alternativa, sipas disa zyrtarëve ndërkombëtarë, ishte goditje e pritur, të tjerët përpiqen të thonë se ishte thikë pas shpine për Kosovën, ndërsa në fakt kur u pranua Pakoja e Ahtisarit me të cilën nuk ishin të kënaqur as shqiptarët (por e pranuan për hir të pavarësisë) dhe as serbët (të cilët nuk e pranuan), kjo është hakmarrje e Serbisë dhe e atyre shteteve, të cilat nuk e deshën Pakon e Ahtisarit, prandaj i bëjnë shtesë këtij propozimi. Prandaj me të drejtë disa pyesin: A janë gjashtë pikat e Ban Ki Munit shtesë e Pakos së Ahtisarit, për të kënaqur serbët apo zhvlerësim i kësaj pakoje, për të faktorizuar Serbinë, e cila para disa kohësh shpresohej se ishte në margjina, sepse s’kishte çka kërkonte në Kosovën shqiptare.

OKB-ja është mësuar që të lërë vatrat e krizës pa i zgjidhur tërësisht dhe me mundësi të shpërthimit. Mirëpo, pse Bashkimi Evropian ia mbanë anën në këtë rast, kur e dinë apo do të duhej ta dinë se Veriu i Mitrovicës duhet të zgjidhet përfundimisht dhe të mos ua ushqejnë shpresën Serbisë për ndonjë ndërhyrje a përzierje në veriun e Kosovë, në emër të mbrojtjes së serbëve të atjeshëm, apo në emër të kinse mbrojtjes së paqes? Apo mbase evropianët edhe një herë mbetën në gjysmë të rrugës, duke ia dhënë sërish timonin e zgjidhjes përfundimtare të krizës Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është fatkeqësi që duket se gjashtë pikat, të cilat janë sjell e mbështjell që nga qershori, përnjëherësh dalin në sipërfaqe në kohën kur amerikanët ishin shumë të zënë me fushatën zgjedhore, përkatësisht me zgjidhjen e kryetarit të tyre të ardhshëm dhe kur tërë opinioni, por edhe administrata e këtij shteti është e preokupuar me çështjet e brendshme.

Dhe Kosova do të përballet sërish me një presion të madh ndërkombëtar, madje presioni sipas deklaratave të zyrtarëve do të jetë një përpjekje për diktate të hapura, në mënyrë që Serbia të bëhet faktor për të gjitha çështjet e Kosovës, sepse Beogradi do të përpiqet të bëhet partner për të gjitha çështjet, ashtu sikurse kanë pretenduar vazhdimisht. Dhe në OKB po ua plotësojnë këtë dëshirë! Ndërkaq, zyrtarëve tanë u mbetet të luftojnë deri në fund, rrugë tjetër nuk kanë: të humbin me faqe të bardhë, apo të bëjnë kompromise për faqe të zezë.

Ku mbeti Kosova Lindore me një territor dhe popullatë shumëfish me të madhe dhe që është autoktone e jo kolonë, sikurse që janë serbët në veri, apo gjetiu nëpër enklavat e ndryshme?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›