E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botaniku, përplas Olldashin me Ramën

SHKRUAN: Jonida Tashi 14-03-2011 12:34

Vijojnë përplasjet për Kopshtin Botanik, që tashmë është kthyer në një mollë sherri midis Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Transporteve. Ndërsa Bashkia e Tiranës dhe deputetët socialistë kundërshtojnë projektin e Unazës së Madhe, të miratuar nga qeveria, pasi, sipas tyre, ai parashikon prishjen e një pjese të Botanikut, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, deklaron të kundërtën, duke bërë të ditur se projekti në fjalë është i njëjtë me atë të Bashkisë. Dje, në një dalje publike për mediat, duke marrë shkas edhe nga protesta e disa qytetarëve të mbështetur edhe nga deputetë të opozitës për ruajtjen e Kopshtit Botanik, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka sqaruar projektin e qeverisë për Unazën e Madhe, duke u shprehur se nuk e kupton shqetësimin e Bashkisë dhe Partisë Socialiste për faktin se ky projekt prek një pjesë të Kopshtit Botanik të Tiranës.“Kemi filluar punimet për Unazën e Madhe të Tiranës, duke mbajtur premtimin. Pas tentativave për të ndërmarrë një projekt të përbashkët me Bashkinë dhe duke marrë përgjigje negative, kemi filluar punimet”, - u shpreh Olldashi. Sipas tij, shqetësimi që lidhet me Kopshtin Botanik të Tiranës është një përpjekje e PS-së dhe Bashkisë për të penguar këtë projekt, sepse Unaza prek vetëm 10 metra vijë lineare, aq sa prekte edhe projekti i Bashkisë së Tiranës. “Nuk ka ndryshim projekti ynë me atë të Bashkisë. Edhe në rast se Bashkia do e bënte projektin, do të ishte e detyruar të prekte Kopshtin”, - ka saktësuar kreu i Transporteve. Përsa i përket ndarjes në mes të Botanikut, për shkak të ndërtimit të Unazës së Madhe, Olldashi ka deklaruar të kundërtën, dhe për këtë pikë ai nuk ka kursyer as akuzat ndaj kryebashkiakut Edi Rama. Sipas Olldashit, projekti i Unazës së Madhe të Tiranës do të mbrojë Kopshtin Botanik, por ndërhyrja mbi të vjen si rezultat i lejeve të ndërtimeve, të dhëna nga kryetari i Bashkisë, Edi Rama. “Ne nuk i kemi hyrë Kopshtit mes për mes, nuk preken ambientet e serave dhe fidanishtes. Ky është i vetmi korridor i mundshëm, sepse pjesët e tjera janë bllokuar nga pallatet që kanë marrë leje ndërtimi nga Edi Rama. Do të mundohemi të prekim sa më pak të jetë e mundur, por pallatet shumëkatëshe të Ramës nuk i lëvizim dot më”, - pohoi më tej Olldashi. Të njëjtin qëndrim për Kopshtin Botanik ka mbajtur dje edhe një përfaqësues tjetër i mazhorancës, deputeti Aldo Bummçi, i cili tha se Unaza e Madhe e Tiranës nuk parashikon shkatërrimin e Kopshtit Botanik. Pas këtyre deklaratave, si gjithmonë, nuk ka munguar as reagimi i Bashksië së Tiranës, e cila, nëpërmjet zëdhënësit të saj për shtyp, Florion Serjani, ka deklaruar se “Olldashi ka vetëm një punë, të shpifë! Saliu ka vetëm një punë, të grabisë!”. Gjithashtu, zëdhënësi i Bashkisë ka mohuar çdo fakt të bërë të ditur nga ministri Olldashi për Unazën e Madhe, duke e kundërshtuar kreun e Transporteve, se projekti i Bashkisë dhe qeverisë është i njëjtë. Debati mbi Unazën e Madhe të Tiranës nisi pas vendosjes së piketave të qeverisë mbi zbatimin e projektit i cili pritet të lehtësojë mjaft trafikun e kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›